Të tjera rreth shkrimit
|
Pas botimit të fotove për monumentet e lëna në mëshirë të fatit në Forumin Romak pas gërmimeve të arkeologut David Hernandez dhe Dhimitër Çondi, këto ditë ndeshemi me pamje të tjera shqetësuese në Butrint. Për dy ditë me radhë një ekskavator ka punuar gjithë ditën për të mbuluar monumentet e sapogërmuara, të cilat ishin lënë nën ujë dhe në mëshirën e fatit.
Fotot i dërgon për Shqiptarja.com anëtari i Forumit për Mbrojtjen e monumenteve të Kulturës, Auron Tare, i cili komenton se: “Siç shikohet nga fotot ky është një skandal me vete, ku mu në zemrën e Butrintit punohet me ekskavator për të bërë një punë e cila do kohë dhe kujdes për t’u bërë, pasi zona është shumë delikate.
Si mund të punohet me ekskavator në zemrën e Pasurisë Botërore të UNESKOS dhe në një nga vendet më të rëndësishme që ne kemi, një Zot e di, por që në Shqipëri ka marrë fund ccdo standard profesional kjo kuptohet qartë”.
Auron Tare pohon ndër të tjera se “eskavatori ka dy ditë që punon deri në orët e vona të natës për të mbuluar urgjentisht monumentet e lëna në mëshirë të fatit për katër vjet, të cilat kanë dalë nga gërmimet e një ekipi të vogël të Universitetit të Notre Dame dhe kolegut të tyre shqiptar Dhimitër Condi”.
Këto monumente të cilat duhen konservuar dhe më vonë restauruar sipas një plani të përcaktuar mirë kanë vite që rrinë ashtu të ekspozuara duke qenë edhe rrezik për këdo që afrohet pranë tyre. Me sa duket zotërinjtë në fjalë janë trembur nga ekspozimi i këtyre gërmimeve pa standarde profesionale dhe vendosën ta zgjidhin në mënyrë shqiptarçe, me ekskavator.
FRASHËRI: GËRMIMET BËHEN JASHTË ÇDO RREGULLOREJE
Problemin e gërmimeve që bëhen jashtë çdo rregulloreje dhe profesionalizmi, kohë më parë e kanë ngritur dhjetëra profesionistë, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga institucionet. Një reagim të detajuar ka bërë për Shqiptarja.com edhe arkeologu dhe restauruesi Gjergj Frashëri, i cili është shprehur se “Rreziku vjen se gërmimet arkeologjike bëhen jashtë çdo rregulloreje dhe përdoren si eksperimente për qëllime studimore nga Institucionet Arkeologjike dhe Universitetet vendase dhe të huaja.
“Është njësoj sikur një njeri me shëndet të mirë, të cilin universitetet duan ta operojnë për të parë nga “kurioziteti” organet e brendshme të tij, çfarë ka brenda dhe si duken ato> është shprehur arkeologu i njohur Gjergj Frashëri në një intervistë për “Shqiptarja.com”, ndërsa na ka bërë të ditur se “Një gërmim arkeologjik për qëllime studimore lejohet të kryhet vetëm kur sigurohet konservimi i përhershëm i substancës arkeologjike in situ që do të dalë nga gërmimi, pra kur plotësohen nevojat profesionale, financiare dhe logjistike për ruajtjen dhe mbrojtjen afatgjatë të saj”.
A bëhet kjo në Shqipëri? “Aktualisht bëhet e kundërta. Çdo ekip vendas dhe i huaj që është në gjendje të financojë një gërmim në Shqipëri ia arrin qëllimit. Ai merr rezultatet që do, duke e lënë substancën arkeologjike in situ në mëshirë të fatit”, është shprehur Gjergj Frashëri për “Shqiptarja.com”.
TELEFONATA
Auron Tare: Ja si i përligj IMK-ja skandalet në Butrint
Papërgjeshmërinë për gërmimet e pafundme në Butrint, baltosjen që lejon pas kësaj të futet edhe ujë dhe agjentët shkatërrues të monumenteve nën tokë, askush nuk po i merr parasysh. Institucioneve shtetërore dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës iu mungon gatishmëria që a priori të mbulohen vatrat e gërmuara si në gjendjen e mëparshme.
Këtë e konfirmon më së miri ky dialog që ka zhvilluar dhe zbardhur për Shqiptarja.com Auron Tare, kur komunikon me ata që merren me mbulimin e vatrave të gërmuara. Tare përpiqet të gjejë se nga vjen kjo papërgjegjshmëri. Ja përgjigjet që merr ai për ato që po ndodhin aktualisht në Butrint:
A. Tare: Alo! Profesor jam tek Muri venecian. Shikoj disa punëtorë që punojnë këtu, po nuk ka asnjë njeri që t’i ndjekë. Është projekt i IMK-së ky?
Përgjigjja: Po është.
A. Tare: Punëtorët më thonë që është projekt i një zonje me emrin Valbona po ajo nuk ka ardhur fare.
Përgjigjja: A po, e vërtetë ajo është me barrë. Nuk vjen dot, por ka dërguar burrin që ta mbikëqyrë projektin.
A. Tare: Po ky burri i IMK-së është?
Përgjigjja: Ah jo, por merr vesh, është arkeolog i mirë.
A. Tare: Arkeolog?! Kush ky djali që ka punuar në pastrim dikur në Butrint?
Përgjigjja: Po cca të them unë. Shkruaje në gazetë nëse do.
A. Tare: Profesor, zoti na ruajt nëse shkojmë në spital dhe doktoresha është me barrë kushedi se kush na viziton?
Përgjigjja: ....(Telefoni mbyllet)
Çfarë ka ndodhur brenda
javës në Butrint
Pamjet tregonin se pas largimit të tyre, vatrat e zbuluara ishin lënë në mëshirën e fatit pa asnjë masë konservuese apo restauruese. Fotot u publikuan në gazetën Shqiptarja.com dhe një ditë më pas bashkëpunëtori shqiptar në këto gërmime Dhimitër Çondi u shpreh se kemi nisur t’i mbulojmë.
Një mbulim i bërë shpejt e shpejt duket shumë absurd për cilindo që ka pak dije mbi arkeologjinë, por Çondi tha se arkeologu amerikan David Hernandes i universitetit të Cincinatit ka ikur dhe “ne po bëjmë mbulimet”.
Duket se për gropat e lëna hapur për katër vjet, u dashka të vihet në punë një buldozer...! Nëse arkeologu amerikan Hernandez ka bërë zbulime arkeologjike në Shqipëri për hir të eksperimenteve studimore dhe iku e la gropat hapur, mbulimi i tyre me buldozer është i tepërt...! Array
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
VISTA/ Dhimitër Çondi: Ja
pse gërmojnë të huajt në Butrint
Një pjesë të shkaqeve se pse janë lënë në këtë gjendje na i pohon indirekt edhe vet arkeologu Dhimitër Kondi, i cili ka qenë partner në këto gërmime me arkeologun amerikan David Hernandes të universitetit të Cincinatit, i cili ka lënë gropat hapur dhe është larguar nga Shqipëria. Çondi flet për gazetën “Shqiptaraja.com” për fatin e gropave të thella të mbushura me ujë dhe si e ka ngritur rrethimin mbrojtës të munguar prej 4 vjetësh brenda një dite.
Të duket e pabesueshme, por Çondi u shpreh dje për gazetën se ka bërë gjithçka (sipas tij gjendja nuk është më si tek fotot!), ka mbuluar gërmimet, ka bërë kangjellat rrethuese, ishte “duke shtruar rrugët”. Duke e marrë me rezerva këtë pohim, zbulojmë më tej nga kjo intervistë me arkeologun faktin e hidhur sesi siti arkeologjik i Butrintit është kthyer një qendër eksperimentesh për universitetet e huaja.
Profesor Çondi si është puna e atyre zbulimeve të Butrintit që janë lënë në atë gjendje. E patë ju artikullin për to në “Shqiptarja.com”?
-Po po e pashë. Ja unë jam këtu në Butrint dhe mbulova ato pjesët që kanë qenë në ujë. Kolegu im amerikan David Hernandes është larguar. Unë këtu do të zgjerojë për momentin pjesën që kemi menduar ta lëmë të zbuluar dhe që është e mbuluar me ujë. Këto pjesë lihen jashtë me qëllim që të nxjerrim në pah një pjesë të bukur arkitekturore të forumit romak.
Pasi të kemi rregulluar punën me mbulimet dhe me sipërfaqet që do të lihen hapur, do të bëjmë rrethimin me kangjella, për të mos hyrë njerëzit. Ja me këto gjëra po punoj unë këtu. Po rrethojmë me kangjella pjesën që keni botuar ju në atë foton me atë vajzën. Kangjellat do të lejojnë që të shikohen nga larg ato që janë zbuluar pa u rrezikuar njeri.
Unë jam arkeolog i vjetër dhe ju s’mund ta merrni me mend sesa e dua unë Butrintin. Këtu jam ende në Butrint. Kolegu amerikan është larguar dhe unë po rregulloj mjedisin, ku kemi menduar të krijojmë një pjesë të re arkeologjike për t’u parë dhe vizituar ashtu siç vizitohet edhe Teatri i Butrintit.
Pra ju po punoni vetëm aty. Cilët janë pjesëtarë të projektit? Kush i ka bërë zbulimet dhe pse janë në atë gjendje që tregohen në fotografi?
-Unë me David Hernandes. Ne bëmë zbulime të reja në marrëveshje me drejtuesit e Parkut Arkeologjik. Unë po punoj këtu. Tani mbarova mbulimin e atyre pjesëve që janë bërë gërmime dhe po sistemoj rrugët për kalimtarët. Me kolegun amerikan kemi planifikuar edhe një shtesë në formë restaurimi për muret romake për pjesën që do të lihet zbuluar. Muret romakë zakonisht janë unikë dhe lihen ashtu siç janë, por do të bëjmë disa restaurime të vogla për të bërë të vizitueshme këtë pjesë.
A ishte e nevojshme të behëj zbulimi, kur dihet që Butrinti është nën nivelin e ujit dhe pjesët e zbuluara mund të pësojnë erozione të forta nga kripa?
-Po edhe Teatri i Butrintit është nën ujë, por është i bukur. Ne kemi dhjetë vjet që bëjmë gërmime në Butrint, mbulojmë e zbulojmë. Unë ju them me bindje se uji nuk e prish teatrin. Pastaj ne do të mundohemi t’i largojmë algat gurëve, të kujdesemi. Dua t’ju bëj të ditur se ne po nxjerrim në dritë një pjesë të bukur që është me kolonada dhe kjo është një pjesë është vërtetë interesante që ia vlen të dalë në dritë dhe shikohet edhe nga vizitorët.
A mund të më thoni, ju profesor, se pse janë të interesuar kaq shumë arkeologët amerikanë që t’i nxjerrin prej vendit tonë zejet e nëntokës arkeologjike?
-Po të gjithë arkeologët e botës janë të interesuar për studime. Në Butrint ka pasur gërmime edhe me italianët, në Butrint kanë ardhur për të gërmuar nga të gjitha universitetet e botës. Kanë zhvilluar gërmime grekët, etj. Po janë interesa të përbashkëta, ne jemi financiarisht dobët dhe kemi nevojë për mbështetje financiare për të bërë botime dhe sigurisht ata kanë interesat e tyre studimore.
Po u jepet leje të huajve të gërmojnë për interesa financiare?!
Po ata kanë interesa studimore dhe ne mbështetemi financiarisht prej tyre sepse jemi dobët. Për shembull, libri “Adrianopoli nr 2” që ka sapo ka dalë në dritën e botimit ka kushtuar. Unë mendoj se interesat janë të përbashkëta, sepse libri studimor ka shumë rëndësi. Kështu ne e ndihmojmë arkeologjinë tonë me botime bashkëkohore. Kolegu im amerikan ka gërmuar 4 vjet në Shqipëri.
Ne i kemi kërkuar ndihmë të gjithë këtyre që punojnë në shumë qendra arkeologjike të botës dhe jo vetëm tek ne. Në vitin 2002-2003 kemi pasur bashkëpunim me anglezët. Pastaj studentë të tjerë nga vend e të tjera të botës kanë ardhur në Butrint dhe kanë gërmuar të huajt. Edhe në fillim Butrinti është zbuluar nga një i huaj, ju i dini gërmimet e Kont Ugolinit.
Profesor, arkeologjia moderne ka një teori tjetër sot, që të zbulohen sa më pak objekte dhe të bëhen studime me mënyra të tjera, sepse toka është ruajtësja më e mirë, sesa kur bien ndesh me faktorët atmosferikë. Ju nuk jeni për këtë teori?
-Po është e drejtë ajo që thoni ju, por ky që po zbulojmë tani është forumi më i madh romak në të gjitha provincat romake, që ndodhet në Butrint dhe ia vlen të ekspozohet, ndërsa zbulimet tjera i kemi mbuluar prapë. Dje i mbulova....
I mbuluat se patë lajmin në gazetë?!
-Jo. Jo, gazeta doli sot, unë i mbulova dje. Sot kam vënë edhe mburojat...
Profesor ju pohuat më sipër se gërmimet po bëhen nga universitetet e botës, nga studentët. Si arkeolog i vjetër, jeni i sigurt që kjo nuk po sakrifikon Butrintin?
-Jo Butrinti nuk sakrifikohet. Tani e tutje nuk do të ketë më të huaj. Ky ka qenë bashkëpunimi i fundit, dhe tani do të ketë gërmime vetëm me arkeologë dhe studentë shqiptarë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/intervista--dhimiter-condi-ja-pse-germojne-te-huajt-ne-butrint-165303.html#sthash.KYNln2ry.dpuf
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/dhunohen-me-buldozer-germimet-ne-butrint-165683.html#sthash.DPYvXVIe.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento