07 luglio 2013

Borshi, perla e Jugut që vuan ende për pak asfalt edhe kesaj vere 2013


Plazhi i Borshit
Banorët: I gjithë Bregu është rehabilituar, veç neshFSHZH nis punimet, rruga me vlerë 64 milionë lekë do jetë gati për turistët në dimër

 Dielë, 7 Korrik, 2013 | 11:38 am
Natyra është treguar bujare me borshiotët. Në fund të ullishtës, që i jep bukuri e freski këtij fshati, nis deti i mrekullueshëm dhe i pastër i Jonit, duke e kthyer këtë zonë në një nga brigjet më mbresëlënëse për pushuesit e shumtë vendas, por edhe për ata të huaj. Borshi, apo siç quhet tashmë edhe si perla e Jugut, është një fshat i madh dhe i bukur, me histori të lashtë në rivierën shqiptare dhe bën pjesë në komunën e Lukovës. Në lindje kufizohet nga fshati i Fterrës dhe ka një popullsi mbi 2500 banorë. Në Borsh asgjë nuk mungon, bregdet mahnitës, plazhe të pastra zallore me det të kristaltë; klimë malore dhe e pasur me kafshë dhe shpezë të egra, histori dhe kulturë, gjurmët e së cilës i gjen prej shekullit të katërt të para erës sonë. Por, ndërsa pritet piku i sezonit, dy investime të mëdha për zonën kanë mbetur në mes. Bëhet fjalë për rreth 2.2 km rrugë që lidhin atë nacionale me detin, nisur muajin e shkuar, si dhe investimi për rrjetin elektrik, që ende nuk është realizuar. 

RRUGA E MUNGUAR 
Jo pak, por rreth 6 kilometra vijë bregdetare, të rrethuara nga ullishtat, shkrihen natyrshëm me blunë e thellë të detit Jon. Por ky oazë me vijën bregdetare më të gjatë në detin Jon, përtej premtimeve politike të majta e të djathta, nuk ka marre asgje me shume, duke u anashkaluar thuajse plotësisht në të gjitha projektet qeveritare për zhvillimin turistik të Jugut të Shqipërisë, edhe pse kërkesat e nevojat i ka pasur të shumta, e madje tepër të domosdoshme. Kjo situatë bën që mos të të habisin mendime të tilla të thëna pa droje nga banorë të zakonshëm këtu në Borsh: “Pse kështu me Borshin?! Që nga Dhërmiu e deri te shpella e Lukovës gjithë rrugët e plazheve me dalje në det janë rregulluar e asfaltuar, ndërsa neve në Borsh vetëm na gënjejnë, madje nuk është e tepërt edhe të thuash na mashtrojnë, duke na thënë do bëhet sot, do bëhet nesër, e faktikisht asgjë”. 

Ata shprehen mosbesues derisa ta shohin të realizuar atë, ndërtimin e rrugës, për të cilën ka ditë që flitet. Në hyrje të rrugës së plazhit, por edhe në mbarim të saj, një tabelë ka ditë që është vendosur. Ajo tregon se kanë nisur punimet. Rruga ka nisur ndërtimin në muajin qershor me investitor Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ka një vlerë rreth 64 milionë lekë, dhe pritet të përfundojë brenda 6 muajsh. Shihet se kanë nisur punimet, mjete të punës të grumbulluara aty në një vend në krye të rrugës, ndërsa nëpër gjatësinë e rrugës, nga krahu i detit, dallohen prerje pemësh që do të shërbejnë për zgjerim të rrugës. Deri tani këto janë shenjat e dukshme që tregojnë se ka nisur të rikonstruktohet edhe kjo rrugë, që në mbarim të saj ta sjellë detin më afër. Edhe për pushuesit është shqetësuese gjendja e rrugës që lidh rrugën nacionale me detin. Agimi nga Shkodra thotë: “Ky vend kaq i bukur, me ujin e detit të pastër kristal, e ka tepër të domosdoshme rikontruksionin e rrugës sipas çdo parametri të nevojshëm”. Petriti nga Tirana e frekuenton prej vitesh Borshin për pushime, por çdo vit e njëjta gjendje e rrugës. Një tjetër pushuese nga Tirana thotë: “Të dhemb shpirti që në këtë bukuri natyrore nuk gjen forcë dora njeriut për të rregulluar. Edhe pse është kjo gjendje, unë vij shpesh për pushimet e verës në Borsh”. “Ujin e detit e shohim, po kjo është e natyrës. A nuk duhet menduar edhe për rrugën? Rruga është urgjente, e ndoshta edhe rrugë që përshkon gjatë gjithë vijës bregdetare”, thotë Albani, një tjetër pushues që ka zgjedhur këto ditë të para të korrikut për të shijuar plazhin në Borsh. 

BORSHI, PROBLEM ENERGJIA
 

Energjia elektrike është një tjetër shqetësim për banorët dhe pronarët e hoteleve dhe komplekseve turistike. Prej dy muajsh kanë nisur punimet për të çuar energji 24 orë në Borsh, megjithatë, ende nuk ka përfunduar projekti. “Nuk dimë se si dhe kur energjia do të vijë normalisht në Borsh. Prej 20 vjetësh energjia ka qenë problem për Borshin. Këtu janë akoma linjat e vjetra në punë, dhe ky është ende problem. Kemi dyshuar se fikja e dritave ka qenë e qëllimshme çdo behar për Borshin. Kjo bindje dyshuese na është krijuar pasi po të shohësh matanë, që është fshati Qeparo, nuk vuajnë asnjëherë për energji. Uji në Borsh është pa fund, derdhet në det, dhe ujë nëpër shtëpia nuk ka”, shprehet një prej biznesmenëve që veprojnë në këtë zonë. Sipas tij, për këto probleme nuk duhet të kujtohesh vetëm në kohën e sezonit turistik, por gjatë gjithë vitit.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate