22 luglio 2013

Cfar eshte Thethi,Albania...?



Thethi është park zoologjik natyror, 70 km larg Shkodrës. Ky park ka një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor, në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, duke filluar nga Qafa e Thanës, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit. Fshehin në brendësinë e tyre ballafaqime të panumërta me alpinistë, spedologë, botanistë, gjeografë dhe shumë dashamirës të alpeve, te të cilët kjo zonë lë mbresa të pashlyeshme. Fshatrat e kësaj zone shtrihen në të dy anët e lumit nga Okoli deri në Grunas, ku spikasin shtëpitë karakteristike që të gërshetuara me sfondin alpin, të shfaqen si peizazhe të papërsëritshme dhe të papara ndonjëherë. Pylli është mjaft i pasur edhe me shpendë të ndryshëm si shqiponja, skifteri, thëllëza, pëllumbi i egër, gjeli i egër dhe pula e egër e shumë shpendë të tjerë që shtegtojnë në Theth gjatë sezonit të riprodhimit. Nuk duhen lënë pa u përmendur edhe pasuritë e lumit të Shalës, që buron në Okol dhe të lumit të Kapresë, që shquhen për peshkun karakteristik: troftën pikaloshe e kryemadhe, pa harruar edhe liqenin e akullt të Tërthores, ku gjendet peshku triton alpin dhe shumë lloje të tjera. Ndërsa për banorët e kësaj zone, Dr. Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë Grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. 



Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, spelologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj, janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Resurset natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujvara e Thethit me lartësi 25m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojes, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar .
https://www.facebook.com/notes/thethi-shtepia-pushimi/cfar-eshte-thethi/113539500278

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate