16 maggio 2017

Turistë hollandezë lahen në ujërat termal të Bënjës

TIRANË, 15 Maj / ATSH-N.Lena/ –  Turistë  të ardhur nga Hollanda, vizituan në fundjavë  ujërat termale të Bënjës në Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotovës – Dangëlli” të Përmetit.
Ata u shoqëruan nga specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Gjirokastrës në disa vende të veçanta të këtij parku me vlera të shumta natyrore dhe historike.
Kurioz për ujërat termal të Bënjës, ata kaluan disa orë në këto ujra duke shprehur dhe konsideratën për peizazhet e rralla të natyrës shqiptare. Ujërat termale të Bënjës, njihen si të rralla në vlerat e tyre kurative. Kjo është arsyeja që këto ujëra frekuentohen nga turistë vendas dhe të huaj.
Ujërat termale të Bënjës dhe kanionet e Langaricës vizitohen çdo vit nga rreth 30 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.
Çdo cfillim sezoni, përreth burimeve termalë, vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë stinës së verës zhyten mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmës.
Pjesa më e madhe e vizitorëve janë qytetarë nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Gjirokastra, por gjen mes tyre edhe të ardhur nga Tirana, Shkodra dhe qytete të tjera të vendit. Së fundmi këto ujëra kanë filluar ti frekuentojnë dhe të ardhur nga shtete të tjera të Europës.
Një pjesë e frekuentuesve qëndrojnë në ngrehina të improvizuara, çadra, autokabina dhe ngrehina të tjera më të thjeshta, të ndërtuara me mjete rrethanore. Për shkak të ngrehinave provizore, vendi në stinën e verës  ngjan shpeshherë me një kamping.
Të dyja brigjet e kanionit dhe pellgjet e formuar nga ujërat sulfurore janë të mbipopulluar nga pushuesit, por pjesa më e madhe qëndron në burimet që ndodhen pranë Urës së Katiut, një monument i ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, që vazhdon t’i rezistojë kohës.
Para viteve ‘90, këtu ka funksionuar një llixhë me 40 shtretër, ku nën kontrollin e mjekëve merrnin shërbim pacientë të ndryshëm. Ndërsa sot, rreth zonës janë ngritur disa hotele e restorante që bëjnë të mundur akomodimin e pushuesve që frekuentojnë këto llixha./m.m/
https://www.ata.gov.al/turiste-hollandeze-lahen-ne-ujerat-termal-te-benjes/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate