TIRANË, 23 Maj /ATSH-N.Lena/ – Në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit u zhvilluan një sërë aktivitetesh edhe në qarkun e Beratit.
Midis aktiviteteve pati dhe ngjitje alpinistike në malin e Tomorrit. Të rinj amator të ngjitjeve sportive, ngritën kampin e tyre të përgatitjes në vendin e quajtur Çezma e Tarikos ne Roshnik. Prej këtu do të niste dhe marshimi.
Kjo çezëm ka një histori të cuditshme. Pllaka përkujtimore e vendosur në murin e çezmës thotë: “Ju udhëtarë që kaloni e pini ujë e uroni, Tarikon ta kujtoni. Tarikua e ëma e Demirit që ngeli garibe nga dora e qafirit në vitin 1925” .
Kjo çezëm ndodhet në Roshnik të Beratit, një vend malor dhe stacion për turistët aventurier të natyrës dhe ngjitjeve malore. Prej këtu mund të ngjitesh drejt majave të thepisura të Tomorrit. Ky fshat ka tradita patriotike dhe histori në formë gojëdhënash.
Kjo zonë ka një bukuri të rrallë natyrore. Kushtet e favorshme klimatike i kanë falur një gjelbërim të përhershëm.
Kjo ka sjellë që produktet e saj blegtorale të jenë nga më të kërkuarat në treg.
Veç tyre, Roshniku ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike. Nga Roshniku e kanë prejardhjen Qyprillinjtë e famshëm që drejtuan Perandorinë Osmane më shumë se 50 vjet.
Këtu është dhe rrugë-kalimi i “Vrromit të Madh”ose rrugës së karvaneve për kohën që lidhte Vlorën me Beratin, me Voskopojën, Maqedoninë e përfundonte deri në Bizant.
Këtu kryqëzoheshin dhe bëmat dhe historitë me kusar e hajdutë por dhe me trima që i dilnin për zot vendit të tyre. Një nga këto viktima ishte dhe Tariko.
Tariko ka qenë një grua dhe nënë e mirë që ju vranë të dy djemtë nga hasmi dhe ngeli e vetme. Ajo e përballoi dhimjen dhe qëndroi kryelartë. Banorët e zonës e nderonin dhe e respektonin.
Në nder të sakrificave të saja, ata ngritën një çezëm që Tarikos mos t’i humbte emri i mirë. Kjo çezëm e lashtë ndodhet në anë të rrugës tregetare ose Vromit të madh siç i thonë fshatarët e zonës, që lidhte dikur Beratin me pjesën perëndimore të tij me atë lindore.
Kjo rrugë ishte një degëzim i rrugës Egnatia që të shpinte në Stamboll. Mbi këtë rrugë ndodhet dhe “Hani i Perisnakës”, që është futur në gojëdhëna për bëmat e tij të kusarisë.
Aty mblidheshin hadutët e kusarët që grabisnin karvanet që kalonin në rrugën e madhe dhe ndanin plaçkën. Aty ziheshin, rriheshin dhe vriteshin për plaçkën e vjedhur. Në këtë rrugë grabiteshin dikur edhe të pambrojturit.
Kjo rrugë e vjetër dhe zona përreth Tomorrit, kanë vlera historike, kulturore, mbartin në vete kuriozitete dhe shumë vlera natyrore e turistike. Udhëtari që kalon në këto zona, do të qëndrojë e do pijë një grusht ujë nga çezma e Tarikos.
Kështu bëjnë dhe turistët e sotëm që udhëtojnë drejt Tomorrit. Kjo çezëm tashmë është kthyer në një vend shlodhjeje, freskimi, por edhe pelegrinazhi për të mësuar më shumë prej historisë së saj./m.m/
https://www.ata.gov.al/cezma-e-tarikos-ne-roshnik-dhe-amaneti-per-udhetaret-qe-pijne-uje-ne-te/
Nessun commento:
Posta un commento