TIRANË, 15 Maj / ATSH-Nikolla Lena/ – Punonjësit e Administratës në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, në fillim- sezonin verorë turistik, po përmirëson infrastrukturën orientuese dhe informuese në ndihmë të lëvizjeve turistike të vizitorëve të parkut.
Këto tabela janë vendosur në Fushë Studen dhe po vazhdojnë edhe në zona të tjera si në Rrajcë, Qarrishtë, Hotolisht etj.
Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, është një ndër parqet kombëtare që është bërë mjaft atraktiv për vizitorët kohët e fundit.
Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me dëborë.
Vetëm 19 km larg Librazhdit, është një park nga më të mirëmbajturit në vendin tone.
I mrekullueshëm në çdo stinë të vitit, por i pakrahasueshëm në dimër, ky park ofron një natyrë thuajse të pashkelur me të gjithë hijeshitë e saj.
Parku ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësore ato jo prodhuese, shkëmbore, si dhe trojet.
Janë dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut me një gjatësi prej 22 km, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës qe bashkohet me lumin Shkumbin. Lumin i Rrapunit bashkohet në dalje të qytetit të Librazhdit me lumin Shkumbin.
Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi niveline detit. Parku përmban ahun, bredhin, pishën dhe specie lisi, si dhe lloje të tilla si shelg dhe bredhin evropian argjendi në shpatet veriore të tij.
Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve
Drejtoria e Zonave të Mbrojtura është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Ja vlen të përmenden këtu shtëpitë mbi 300 vjeçare të fshatit Llangë, karakteristike të zonës së Dibrës, ndërtuar me mure guri tre apo katërkatëshe.
Këto shtëpi kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve e sidomos të turistëve të huaj.
Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë në shek. II para erës sonë, duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës nëse doni të vizitoni Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë kishë është e vendosur në një shkëmb në lartesi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Shumë i rëndësishëm fakti që ngjyrat në këto piktura nuk janë zhdukur dhe qëndrojnë ende të gjalla.
Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit,Bredhin e Fushë Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vëmendjen tuaj.
Moratoriumi i gjuetisë bëri që edhe kafshët e egra të shtohen për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.
Gjatë monitorimeve të saj me kamera kurth, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka arritur të fotografojë një sërë kafshësh të egra si, derri i ëgër, ariu, kaprolli, ujku etj.
Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitete sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park.
Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski në stinën e dimrit e kanë bërë tashmë Shebenikun më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më të pëlqyera për tu vizituar. /a.g/
https://www.ata.gov.al/administrata-e-parkut-kombetar-shebenik-jabllanice-pergatitet-per-turizmin-veror/
Nessun commento:
Posta un commento