17 ottobre 2014

Qyteti i Lezhës, një ofertë turistike bashkëkohore dhe gjithëvjetore

- Intervistë për ATSH-në e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj -
viktor_tushaj
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj
TIRANË, 17 Tetor/ATSH-Maela Marini/.- Qyteti i Lezhës, një qytet në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, ka krijuar një përvojë të konsoliduar në fushën e turizmit. Lezha në vetvete përmbledh turizmin historik e kulturor, lagunor e balnear, malor e fushor, ndaj dhe ka çfarë t’u ofrojë turistëve vendas dhe të huaj përgjatë gjithë vitit.
Në një intervistë për ATSH-në, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, ndalet te puna që ka bërë kjo bashki për përmirësimin dhe promovimin e imazhit turistik, ndërsa e cilëson zhvillimin e turizmit, si një ndër 4 kolonat kryesore të strategjisë së zhvillimit që ndjek kjo bashki.
Promovimit turistik i ka shërbyer gjithashtu edhe një projekt që përfshin botimin e disa artikujve në media prestigjoze botërore, si Huffington Post, Factory 55, Il Mondo in Tasca etj, që sipas tij, “janë një ndihmë e mirë në përmirësimin e imazhit, jo vetëm të Lezhës, por edhe të gjithë Shqipërisë”.
3
Memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut
Në Lezhë ashtu siç shtresëzohet historia që nga antikiteti i hershëm me rrethimin antik të qytetit me 12 portat e tij të famshme duke vazhduar me mesjetën e lavdishme me kalanë mesjetare dhe ngjarjet e mëdha që lidhen me figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, me Kuvendin e Lezhës dhe të Arbërit dhe të tjera që i pasuan, është zhvilluar edhe letërsia e kultura në të gjitha etapat e zhvillimit tonë historik.
Janë me mijëra turistët e huaj, kryesisht nga vendet e lindjes si nga Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe sidomos Polonia, që vizitojnë objektet historike e kulturore të Lezhës. Këtë vit memorialin e Skenderbeut e kanë vizituar si 9 mujor 13 056 turistë nga të gjitha vendet europiane, ndërsa qytetin e Lezhës me kalanë mesjetare dhe objektet e tjera historike e kulturore shumë më tepër.
Për t’u theksuar është fakti se kalaja e Lezhës është futur në një rrjet të promovimit të turizmit historik të të gjithë zonës së Adriatikut në të dy brigjet e tij, jo thjesht duke konkuruar, por duke qenë pjesë përbërëse e një oferte turistike unike bashkë me simotrat e saj në Itali, Kroaci, Slloveni e Bosnje Hercegovinë.
Më poshtë vijon intervista e plotë e Kryetarit të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj për ATSH-në: 
ATSH: Si ishte sezoni i sivjetshëm turistik në Lezhë? A i arriti pritshmëritë dhe suksesin e nevojshëm për zhvillimin e turizmit në qytetin tuaj?
5
Kisha françeskane ( 1240 )
Tushaj: Duke qenë se Bashkia Lezhë e ka turizmin si një ndër katër kolonat kryesore në strategjinë e saj të zhvillimit, kemi qenë gjithnjë të angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të performancës në bashkëpunim edhe me të gjithë aktorët e tjerë, qofshin këto autoritete qëndrore, rajonale, si dhe shoqatat e ndryshme apo bizneset.
Pritshmëritë në fushën e turizmit janë gjithnjë ambicioze dhe asnjëherë ato nuk realizohen plotësisht, por duhet thënë se këtë vit në qytetin e Lezhës është vënë re një prani e shtuar e turistëve dhe vizitorëve të objekteve historike e kulturore. Numri i vizitorëve jo vetëm që është shtuar por është pasuruar nga ardhja e më shumë vizitorëve nga vendet e lindjes si nga Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe sidomos Polonia. Shtimi i numrit të turistëve ka patur shumë arsye ku renditen përmirësimi i infrastrukturës, puna me imazhin, puna e kualifikuar e agjensive turistike, përhapja e emrit të mirë të plazheve të zonës, sidomos Shëngjinit, Velipojës dhe Tales.
Duhet të theksojmë se në kuadër të projektit Adristorical Lands, që ka qenë një përvojë e mirë në përmirësimin e imazhit turistik, kemi arritur botimin e disa artikujve në media prestigjoze botërore, si Huffington Post, Factory 55, Il Mondo in Tasca që besoj se do të jenë një ndihmë e mirë në përmirësimin e imazhit, jo vetëm të Lezhës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Është një fakt interesant se kalaja e qytetit tonë është futur në një rrjet të promovimit të turizmit historik të të gjithë zonës së Adriatikut në të dy brigjet e tij, jo thjesht duke konkuruar, por duke qenë pjesë përbërëse e një oferte turistike unike bashkë me simotrat e saj në Itali, Kroaci, Slloveni e Bosnje Hercegovinë.
Kështu që duhet të them se si nga numri i vizitorëve, të ardhurat e siguruara nga operatorët, por edhe në fushën e promovimit të imazhit, mund të themi se patëm një vit pozitiv dhe sezon të suksesshëm turistik.
ATSH: Cilat janë pikat e forta të turizmit në zonën tuaj?
4
Muri lindor i qytetit antik, Lissus
Tushaj: Lezha në vetvete përmbledh turizmin historik e kulturor, lagunor e balnear, malor e fushor. Ajo ka malin, detin, fushën e lagunën, dhe më kryesorja është afër me portin dhe aeroportin, si dhe ka mundësi infrastrukturore mjaft të mira për kushtet e vendit tonë dhe për mundësitë që ofron Shqipëria turistike në përgjithësi.
Tashmë, jo vetëm Shëngjini e Talja, Rana e Hedhun e lagunat, të mirënjohura dhe të frekuentuara rregullisht, por edhe Lezha si qytet është një atraksion për turistët, i prezantuar në të gjitha mjetet e informacionit dhe nga agjencitë turistike. Këtu ofrojmë mundësi të mira ekonomike akomodimi, duke u kthyer shpesh në një destinacion edhe për ata që duan të vizitojnë qytetet e tjera me të cilat qyteti jonë është i lidhur shumë mirë.
Qyteti historik, me kalanë mesjetare dhe me Memorialin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut janë një nga pikat më të vizitueshme të të gjithë Shqipërisë. Kalaja e Lezhës tani ka një rrugë bashkëkohore që plotëson më së miri nevojat e guidave turistike të vizitorëve që duan të shijojnë arkitekturën mesjetare dhe panoramën e mrekullueshme që të hapet para syve.
Dashamirësit e historisë gjejnë në Lezhë, historinë, antikitetin dhe mesjetën, gjejnë të gjitha shtresëzimet e zhvillimit historik të vendit dhe njihen me traditën qytetare dhe vazhdimësinë urbane të Lezhës. Të apasionuarit e detit gjejnë plazhin e Shëngjinit dhe plazhin e virgjër të Tales të lidhur me infrastrukturë bashkëkohore me qytetin e Lezhës.
Lezha është dalluar gjithnjë për mikpritjen dhe bujarinë të cilat janë karakteristike e kësaj treve. Në Lezhë ndodhen lokale me emër. Këtu gatuhet ushqim tradicional dhe i kohës, si dhe ka restorante të përmendura për ushqimet bio, të cilat kanë krijuar një traditë dhe janë bërë të njohura edhe për të huajt që vizitojnë Lezhën, këtë qytet të paqes dhe harmonisë dhe të pejzazhit të mrekullueshëm, një destinacion për të mos u humbur.
Na mbetet të punojmë për përmirësimin e infrastrukturës në partneritet me biznesin privat për ngritjen e turizmit malor në Velë për ta kthyer këtë vend në destinacion turistik malor. Shumë shpejt turizmi malor do të kthehet në një hallkë të rëndësishme të plotësimit të larmisë së ofertës turistike të qytetit tonë.
ATSH: Çfarë ka bërë Bashkia për të ndihmuar rritjen e numrit të turistëve, zgjatjen e sezonit, apo shtimin e ofertës turistike të qytetit?
2
Varri i Skënderbeut
Tushaj: Përveç sa thamë, Bashkia Lezhë, në dispozicion të turistëve që vizitojnë këtë qytet ka një personel të plotë për vizitorët e Memorialit te Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Këtë vit në shëbim të përmirësimit të pritjes së turisteve është ngitur Zyra e Informacionit Turistik me personel të kualifikuar në shërbim për të gjithë ofertën turistike që ofron zona e Lezhës. Kjo zyrë bashkëpunon ngushtë me agjencitë turistike dhe sidomos me operatorët turistikë si hotele, lokale të njohura të zonës, shpërndan materiale publicitare dhe orienton grupet turistike për mundësite që ofron Lezha për vizitorët vendas dhe të huaj.
Këtë vit memorialin e Skenderbeut e kanë vizituar si 9 mujor 13 056 turistë nga të gjitha vendet europiane, ndërsa qytetin e Lezhës me kalanë mesjetare dhe objektet e tjera historike e kulturore shumë më tepër.
Kompletimi gjithvjetor i ofertës turistike të Lezhës është objektiv perspektiv i Bashkisë gjë që do të arrihet duke zgjeruar hartën e objekteve të vizitueshme , duke futur në guidën turistike të gjithë monumentet kulturore e ato të natyrës të cilat me bashkimin e njësive vendore do të marrin vlerësimin optimal dhe do të inkuadrohen në optikën e punës për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Lezhë.
Bashkia punon sistematikisht në mirëmbajtje të qytetit, në zhvillimin e jetës kulturore e artistike në shërbim të qytetarëve e turistëve që vizitojnë qytetin.
ATSH: Cili është niveli i bashkëpunimit me njësitë e tjera vendore apo me organizmat e tjerë në lidhje me zhvillimin e turizmit?
1(1)
Afresk nga kisha në Balldre
Tushaj: Zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa harmonizim të të gjithë faktorëve dhe aktorëve që administrojnë këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë dhe drejtim perspektiv të zhvillimit të vendit. Bashkëpunimi me operatorët turistikë, me agjencitë turistike të ngritura në qytet, dhe me njësitë e tjera vendore është pjesë e punës së përditshme dhe kusht për arritjen e suksesit.
Domosdoshmëri që diktohet nga rrethanat dhe objektivat që ka sejcili subjekt për zhvillimin e turizmit në sektorin apo zonën e tij, është bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punëve dhe harmonizimi i veprimtarive si promovuese të guidave turistike apo shërbimeve të tjera.
Në të gjitha materialet publicitare që kemi prodhuar ne si bashki, nuk kemi ndarë në asnjë çast ofertën turistike të qytetit nga të zonës përreth , duke shërbyer si lider të të gjithë trevës në promovimin e territorit. Mjafton të shohësh hartat turistike, katalogët e aseteve apo dokumentarët televizivë për të kuptuar se Bashkia Lezhë e ka konsideruar gjithnjë promovimin turistik të të gjithë zonës si një njësi e vetme, dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë subjektet që qeverisin apo operojnë në këtë territor.
Në aspekt të krijimit të ofertës turistike ne jemi kurdoherë në garë me kohën më shumë se sa me njëri-tjetrin. Ky parim ka bërë që të kërkojmë bashkëpunim dhe të nxisim me çdo mënyrë këtë bashkëpunim, si me entet shtetërore ashtu edhe me biznesin. Këtë garë kundër kohës na takon ta bëjmë të gjithë bashkë, si një stafetë, duke u përfshirë të gjithë, operatorët turistike, organet e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe subjektet që bëjnë shërbimin ndaj turistëve, të cilët janë edhe përfituesit kryesorë.
ATSH: Si e shikoni zhvillimin e turizmit, parë kjo edhe në raport me vendet fqinjë apo me konkurencën vendase?
lezha 3
Projektet infrastrukturore të Bashkisë
Tushaj: Zhvillimi i turizmit tashmë është pjesë e strategjisë kombëtare të zhvillimit, pasi të ardhurat nga turizmi kanë përparim të qëndrueshëm dhe ecuri pozitive nga viti në vit. Këtë vit me mbështetjen e qeverise shqiptare kemi ndërmarrë një seri investimesh të cilat do të transformojnë plotësisht hyrjen e qytetit që nga rrethrrotullimi deri në qendër të qytetit duke përfshirë, riparim dhe ndërtim të trotuareve, ndriçim dhe gjelbërim, rikonstruksion të urës mbi Drin, rikonstruksion i sheshit qëndror të qytetit, ndryshim i fasadave duke u dhënë një shije më klasike dhe të pranueshme për syrin e qytetarit në përgjithësi e patjetër të turistit. Po rikonceptojmë lulishten dhe rikonstruktojmë plotësisht sheshin administrativ, i cili do të ndryshojë pamjen rrënjësisht.
Ndryshim mjaft domethënës do të sjellë për qytetin e Lezhës ndërtimi i shëtitores së bregut të Drinit e cila është në proces dhe do t’i ndryshojë rrënjësisht pamjen qytetit. lezha 1Kjo shëtitore dhe vendqëndrimi i ri i autobuzëve dhe ura lidhëse me parkun arkeologjik të qytetit do ta ngenë në një nivel shumë më të lartë imazhin turistik të Lezhës në të gjithë vendin dhe më gjerë.
Këto investime të projektuara nga ana jonë dhe të mbështetura me financime nga qeveria, do të ndryshojnë krejtësisht pamjen e qytetit, duke sjellë një imazh të ri për turistët me qëllim që Lezha të jetë një destinacion turistik tradicional modern e bashkëkohor. Imazhi i ri i qytetit do të jetë një harmonizim i traditës të përfaqësuar nga muret e vjetra të qytetit antik me ndërtimin modern të sheshit duke përdorur gurë të modelit më të mirë për të harmonizuar zonën arkeologjike me pjesën tjetër të qytetit.
Vizitorët që do të vizitojnë Lezhen në një të ardhme të afërt do të befasohen nga pamja e re që do të marrë ky qytet në të gjithë hapësirën e tij në shërbim të qytetarëve lezhajnë dhe gjithë turistëve vendas dhe të huaj që do të vizitojnë këtë qytet.http://www.ata.gov.al/qyteti-i-lezhes-nje-oferte-turistike-bashkekohore-dhe-gjithevjetore-185328.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate