TIRANË, 24 Tetor / ATSH / – U përurua infrastruktura e re e Ligatinës së Tushemishtit. Të pranishëm në përurimin e masave restauruese ishin zv.ministrja e Mjedisit Djana Bejko, zv.ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Anke Holstein, drejtori i GIZ-it për Shqipërinë, Hans-Juergen Cassens, prefekti i qarkut Korçë, Ardit Konomi etj.
Në fjalën e saj, zv.ministrja e Mjedisit, Bejko, theksoi se “Ministria e Mjedisit me mbështetjen e partnerëve të qeverisë shqiptare si, KfW, GIZ, JICA, WB etj, ka ndërmarrë aktivitete konkrete për mbrojtjen dhe rehabilitimin e ekosistemeve ligatinore kryesisht në Rezervatin Natyror të Menaxhuar “Kune-Vain-Tale, Parkun Kombëtar të Divjakë – Karavastasë, Lagunën e Nartës, Parkun Kombëtar të Butrintit” etj, me qëllim mbrojtjen e biodiversitetit dhe burimeve natyrore, promovimin e vlerave natyrore, kulturore dhe tradicionale si dhe edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit. E në vijim kemi një tjetër praktikë pozitive në kuadër të projektit “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në tri liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës”, i financuar nga Ministria Federale për Bashkëpunimin dhe Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë dhe zbatuar nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ)”.
Projekti rajonal “Ruajtja dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Biodiversitetit në tri liqenet e Prespës, Ohrit dhe Shkodrës” (CSBL), i financuar nga Ministria Federale për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë dhe zbatuar nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në Shqipëri, i ka akorduar komunës Buçimas një fond prej 61,000 euro për marrjen e masave mbrojtjëse dhe restauruese në një nga ligatinat më të njohura në vend, atë të Tushemishtit.
Marrëveshja financiare mes projektit të GIZ-it dhe komunës Buçimas, e cila u firmos në dhjetor 2012, ndërmjet të tjerash ka mbështetur njësinë e qeverisjes vendore si dhe partnerët e tjerë lokale, kryesisht në restaurimin e burimit ujor (lumi i Kullës), që lidh fshatin e Tushemishtit me burimet e Drilonit, duke përmirësuar infrastrukturën. Tashmë ligatina ka një urë lidhëse, një pikë vrojtimi, si dhe një Qendër të Gjelbër duke e shndërruar atë në një pikë tërheqëse për të gjithë vizitorët. Qendra e Gjelbër do të shërbejë për të informuar vizitorët dhe për të rritur ndërgjegjësimin qytetar lidhur me pasurinë e biodiversitetit të liqenit të Ohrit dhe ligatinës së Tushemishtit.
Liqenet e Prespës dhe Ohrit janë pjesë e Rezervës Ndërkufitare të Biosferës, shpallur pak ditë më parë në Korçë. Burimet e Drilonit, të cilat gëzojnë dhe statusin e monumentit të natyrës, si dhe ligatina rreth tij, ndodhen në qendër të kësaj rezerve biosfere.
Ndërhyrja në ligatinën e Tushemishtit, ka konsistuar edhe në organizimin e një fushate të gjerë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e ligatinave dhe larminë e rëndësinë e tyre në përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit. Për më shumë se dy vjet, projekti CSBL ka mbështetur vendet ndërkufitare të tri liqeneve për të mbrojtur burimet e biodiversitetit në katër fusha kryesore: monitorimin e florës dhe faunës në përputhje me Direktivat Evropiane të Habitateve (Natura 2000); monitorimin e peshkut dhe menaxhimin e peshkimit, përfshirë vendosjen e kuotave; mbrojtjen dhe restaurimin e ligatinave; karakterizimin e liqeneve dhe përcaktimin e objektivave mjedisorë sipas kërkesave të Direktivës Evropiane në Kuadër të Ujit .
Faza e dytë e mbështetjes së GIZ-it në Shqipëri nëpërmjet projektit CSBL do të nisë në nëntor të këtij viti dhe do të përfshijë përsëri tri vendet kufitare në pjesën e liqeneve, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Shuma që pala gjermane do t’u akordojë këtyre vendeve është 2 milion euro. /a.ke/http://www.ata.gov.al/ligatina-e-tushemishtit-me-infrastrukture-te-re-189491.html
Nessun commento:
Posta un commento