Dyqani i Qamo Lanit në Qafën e Pazarit, pavarësisht ndërhyrjeve që ka pasur gjatë viteve është ndoshta i vetmi objekt në atë zonë historike ku mund të shikohen akoma gjurmë të fasadës së vet të parë (si asnjë objekt tjetër përreth në atë qafë), ndonëse edhe ajo shumë e dëmtuar. Për këtë arsye kjo ndërtesë ka një nevojë urgjente për ndërhyrje në fasadë.
Si i thonë asaj fjalës: të shpëtojmë sa më parë atë që ka mbetur… Më tej, pak më sipër kodrës në lagjen Palorto, shtëpia e familjes Kore e listuar si monument i kategorisë së parë ndonëse ka pësuar disa ndryshime, sërish ruan disa prej vlerave unikale të saj, sidomos tavanet prej druri.
Edhe kjo shtëpi ka nevojë sot urgjente për ndërhyrje. Komshinj me Kadaretë, familja Naka që ende jeton aty ka në pronësi të vet vetëm një gjurmë të mbetur nga shtëpia e dikurshme: portën impozante të hyrjes. Kjo portë, e vetmja gjurmë e madhështisë arkitektonike të dikurshme daton në vitin 1899. Edhe ajo ka nevojë për ndërhyrje. Gjithandej në Gjirokastrën e UNESCO-s ka nevojë për ndërhyrje.
Por një fondacion i quajtur Trashëgimia Kulturore Pa Kufij (Cultural Heritage Without Borders CHwB) që punon në Gjirokastër me gjirokastritë dhe studentë e eskpertë nga e gjithë bota nuk po pret më gjatë, por sapo ka zhvilluar një kamp restaurimi për të disatën herë në qytet. Këtë vit ata kanë marrë përsipër të bëjnë ndërhyrje specifike në 6 shtëpi monumente të kulturës si këto më lart.
Tek shtëpia e Vasil Nakës do restaurojnë çatinë mbi portën hyrëse, tek shtëpia Dalipi një bashkëpronar i së cilës është dhe skulptori Mumtaz Dhrami ata do zhvillojnë një survey dhe një proçes të plotë të dokumentimit të situatës në mënyrë që të dinë se ku dhe si të ndërhyjnë në një fazë të mëvonshme, - Mumtazi ka treguar një interes dhe bashkëpunim të jashtëzakonshëm, - thotë Lejla Hadzic drejtuese e CHwB në Shqipëri.
Tek shtëpia e familjes Kore gjatë këtij kampi restaurimi ku marrin pjesë dhjetëra student, të rinj dhe profesionistë nga e gjithë Europa dhe Shqipëria (përfshirë studentë të arkitekturës në Universitetin Luarasi dhe studentwt nga dega e masterit pwr menaxhimin e trashwgimisw kulturore, pranw Fakultetin Filologjik dhe Historik, Universiteti i Tiranws) u ndërhy për rinovimin e fasadës së saj duke i shtuar kështu qytetit një tjetër madhështi pothuajse të humbur, si psh ajo e Babametove.
Po kjo organizatë e restauroi edhe shtëpinë e Babametove që sot shërben si një hostel dhe si një ambient për evente sociale dhe kulturore në qytet. Këtë vit CHwB do të rinovoi murin rrethues të asaj shtëpie.
Ti e kupton pasionin e këtyre profesionistëve të rinj teksa ndjek me vëmendje guidën që bën Lejla në qytetin historik. Një arkitekte me origjinë nga Sarajeva, e martuar me një dhëndër shqiptar ajo është një miksim i bukur i gruas ballkanase me profesionisten europiane.
Teksa na shpjegon ndërhyrjen bënë në portën e shtëpisë së Vasil Nakës, e braktisi anglishten ku ajo ndihet më e sigurt, për tu folur në shqip punëtorëve që sapo kishin vendosur një skelë. U shpjegoi se ajo formë e skelës “mund të jetë e përshtatshme për ta, por jo edhe për studentët në kampin e restaurimit”. “Po nuk bëhet”, iu përgjigj njëri prej punëtorëve (përgjigje tipike e njerëzve që në fillim thonë gjithmonë jo!). “Po si nuk u bëka”, përgjigjet në shqip Lejla, “ja, mjafton të shtosh një shkallare këtu, një shkallare nga ato që përdorin bojaxhinjtë”. “Ah po! Ke të drejtë”, kujtohet punëtori tjetër i skelës.
Më duket se Lejla është e mërzitur jo vetëm më faktin që çdo vit në Gjirokastër lejohen të ndërtohen dhjetëra (tashmë janë bërë qindra) ndërtime pa leje, por sidomos me faktin që njerëzit kanë harruar se Shqipëria dhe sidomos Gjirokastra ka një shkollë të vetën historike të restaurimit.
“Kemi bërë një studim tonin dhe kemi kuptuar se ka patur mbi 250 zanatçinj në Gjirokastër, zejtarë që punonin gurin, zejtarë që punonin me metalin dhe me shumë detaje të tjera të shtëpive dhe ata e kanë ruajtur brez pas brezi dijen e tyre. Sot dimë me emër dhe me mbiemër të paktën 30 pasardhës të tyre që ende vazhdojnë ta bëjnë këtë punë. Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme. Kjo është shkolla e vërtetë shqiptare e restaurimit”, na thotë Lejla Hadzic.
Në Shqipëri ndoshta pak e kuptojnë këtë, por në Europë jo vetëm që e kuptojnë, por edhe e vlerësojnë në mënyrën maksimale. CHwB dhe projekti në Gjirokastër fitoi për vitin 2014 çmimin më të madh europian për Trashëgiminë Kulturore / Çmimi Europa Nostra për vitin 2014, pikërisht me projektin e Kampeve Rajonale të Restaurimit si ky në Gjirokastër, në një ceremoni ku merrnin pjesë jo vetëm autoritet më të larta të institucioneve europiane si dhe ajka e aristokracisë e interesuar në traditën dhe kulturën, por edhe figura patronazhi si tenori botëror Placido Domingo.
Studentët, të rinjtë dhe profesionistët mësojnë të bëjnë më mirë punën e tyre duke u bazuar pikërisht te tradita dhe shkolla lokale. Si mundet të ruash një qytet si Gjirokastra pa njohur më parë përvojën e atyre qindar mjeshtërave që dinë të bëjnë të njëjtën punë me të cilën gjyshërit e tyre ndërtuan qytetin?! “Isha me kupën në dorë në një shesh në Austri duke pritur dikë”, kujton Lejla, “kur një zonjë e moshuar me dukjen e një zonje të fisme mu afrua dhe më tha: sa mirë, keni marrë çmimin.
Por për çfarë arsye? I shpjegova punën restauruese dhe edukuese që bëjmë me kampet tona dhe mu përgjigj: Ahh Albania! Ata po që dinë të punojnë me zeje…” Deri më tani CHwB ka zhvilluar 20 kampe të organizuara përvecse në Shqipëri edhe në 3 vende të tjera të Ballkanit, 25 shtete janë të përfaqësuara në këto kampe përmes pjesëmarrësve, janë realizuar mbi 70 ndërhyrje restauruese.
Dhe janë mbi 566 pjesëmarrës që kanë ofruar mbi 34,800 orë punë praktike. Ja që gjërat mund të bëhen e ja që sigurisht, Gjirokastra mund të bëhet!
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/gjirokaster-perfundon-restaurimi--i-6-shtepive-karakteristike--243559.html#sthash.rDdoWLKR.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento