31 ottobre 2014

Galeria Kombëtare një e shtunë e çdo muaji falas për vizitorët, ftesa si nxitje drejt artit dhe kulturës


Galeria Kombëtare e Arteve dje mirëprit falas vizitorët, të cilët vizituan ekspozitën retrospektivë të piktorit të popullit Sadik Kaceli, por dhe linjën muzeale të galerisë, që prezanton vepra nga piktorët më të njohur shqiptarë ndër vite. Hyrja falas pa biletë, bëri që GKA të jetë në vëmendje të vizitorëve. Hyrja falas në GKA deri tani ka qenë për veprimtari të veçanta apo ngjarje të shënuara, dhe e shtuna falas që filloi dje për herë të parë në GKA ishte një ftesë që institucioni më i rëndësishëm i artit pamor në vend i bëri fëmijëve, nxënësve, studentëve të cilët kanë nisur vitin e ri akademik, publikut më të madh në moshë, që të shijojnë të vërtetën e artit pamor shqiptar.   “Ejani familjarisht, në çift, në grupe miqsh, apo edhe vetëm, vizitoni linjën muzeale të Galerisë Kombëtare të Arteve si dhe ekspozitën “Sadik Kaceli -Retrospektivë”, ishte ftesa që bëri dje GKA, duke pasur si qëllim nxitjen e publikut drejt artit dhe kulturës. Pranë GKA bëjnë të ditur se kjo gjë do të praktikohet një të shtunë të çdo muaji, dhe vizitorët do të kenë mundësi që të ndjekin falas pa paguar biletë ekspozitat që mund të jenë në GKA apo dhe linjën muzeale. “E shtuna të jetë në vëmendje të publikut për të shijuar artin pamor në GKA, duke mos e parë fundjavën vetëm si një ditë pushimi, vetëm në lokale, por dhe si një mundësi për të qenë më pranë krijimtarisë së artit. Tashmë ka nisur dhe viti akademik dhe kjo është dhe një mundësi më shumë për studentët. 


Një e shtunë falas do të jetë çdo muaj në GKA, publiku nuk do paguajë biletë”, bëjnë të ditur pranë këtij institucioni.   Tashmë GKA ka ndryshuar në politikat e saj jo vetëm punës që po bëhet në drejtim të afrimit të publikut, por dhe prezantimit të krijimtarisë së artistëve, mundësive të ekspozimit, etj. Një e shtunë falas për publikun është dhe një nga premtimet që drejtori i GKA Artan Shabani theksoi kur mori drejtimin e GKA. I cili ndërsa pohoi për punën që po bëhej në drejtim të zhvillimit të jetës artistike në GKA, foli dhe për rëndësinë e programeve të edukimit përmes artit në institucionin që ai drejton. “Të gjitha këndvështrimet, strategjitë, politikat kulturore i përmbahen asaj që kam thënë dhe më herët në intervista, do të jenë në funksion të artistëve, afrimit të publikut, politikat e edukimit të fëmijëve, një prezencë më konstante me shkollat me fëmijët, me njerëzit që kanë pamundësi për të ekspozuar, artistëve emergjentë shqiptarë, sigurisht dhe arti ndërkombëtar. Por jemi duke menduar që një e shtunë e çdo muaji të jetë falas për publikun, dhe kjo do të bëhet”, pohoi vitin që kaloi Artan Shabani, drejtor i GKA, dhe pas disa festave apo ngjarjeve historike që GKA ka qenë falas për publikun, e shtuna e kësaj fundjave nisi me vëmendjen e edukimit përmes artit dhe afrimit të publikut.   GKA dhe publiku   Në 11 Janar të vitit 1954 u hap zyrtarisht për herë të parë në vend, ajo që ne sot njohim si Galeria Kombëtare e Arteve. Institucioni më i rëndësishëm i artit pamor në vend prezanton sot një pasuri të madhe të artit pamor, fondi me vepra nga krijimtaria e artistëve më të shquar të artit shqiptar. Prej vitesh në GKA politika të tilla të afrimit me publikun, apo edukimit përmes artit të brezit të ri i kanë munguar këtij institucioni. Vizitorët në GKA duhet të paguajnë një çmim prej 200 lekësh të reja, ndërsa për studentët bileta është me gjysmën e këtij çmimi. Duke përjashtuar ndonjë përvjetor, apo ngjarje historike, GKA nuk ka pasur politika të tilla për afrimin dhe edukimin e publikut, dhe vetëm tani kanë filluar të marrin jetë të tilla politike, siç ishte dhe kjo e shtunë që erdhi falas për publikun, pas disa bashkëpunimeve që kanë qenë gjatë sezonit që kaloi apo dhe tani me shkollat, ku nxënësit vinin në GKA duke marrë më shumë njohuri mbi artin. Pas njoftimit që bëri GKA, e shtuna falas bëri që publiku ta kishte në vëmendje këtë institucion.   Në orët e paradites pranë GKA pohuan se ka qenë një numër i konsiderueshëm vizitorësh krahasuar me ditët e tjera, numër që pritej të ishte më i madh në orët e pasdites. Ndërkaq që sa i takon ekspozitave, më e fundit që është çelur “Retrospektiva” e artistit Sadik Kaceli ka qenë gjatë kësaj kohe në vëmendjen e vizitorëve, një ekspozitë që prezanton  91 vepra të artistit, duke marrë në shqyrtim një periudhë rreth 70 vjeçare krijimtarie, nga vizatimet e para të tij në fundin e viteve 1920, e deri në fund të viteve 1990.  Nga Julia Vrapi - See more at: http://www.sot.com.al/kultura/galeria-komb%C3%ABtare-nj%C3%AB-e-shtun%C3%AB-e-%C3%A7do-muaji-falas-p%C3%ABr-vizitor%C3%ABt-ftesa-si-nxitje-drejt-artit#sthash.hkOAgOsd.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate