Nga: ENRIK MEHMETI |
VLORE-Hajdutët e thesareve kanë nxjerrë në dritë një varr antik, që mendohet se i përket shekullit të 4. Varri ndodhet në parkun antik të Amantias në Vlorë dhe u zbulua fillimisht nga hajdutët një vit më parë, të cilët në tentativë për të grabitur sendet më vlerë aty shkaktuan dhe dëmtime. Arkeologët nisën gërmimet, në sajë të një projekti të Institutit të monumenteve të kulturës, aty ku tashmë në sajë të kërkimeve janë gjetur unaza ari, karfica ari, një objekt që mendohet se ka qenë pjesë e kurorës, monedha të ndryshme argjendi dhe bronzi.
“Ky si varr përfaqëson një nga tipet më interesante në varret e parkut antik të Amantias në Vlorë. Është një tip i varrit rrethor, brenda të cilit ndodhen varre me tulla. Ky varr gjen paralele dhe jashtë Ilirisë së Jugut. Mund të datojë gjatë shekullit të IV. Ne patëm fatin që gjatë gërmimeve të gjenim një inventar me monedha me vlerë”-shprehet arkeologu, Jamarber Buzo.
Drejtoria Rajonale në bashkëpunim me policin ka ngritur një grup pune për parandalimin e akteve të tilla të ripërsëritura me pasojë për trashëgiminë kulturore. “Persona të papërgjegjshëm, më saktë të organizuar mirë, kanë grabitur pjesën më të madhe të varreve me strukturë rrethore dhe me strukturën e vetë varreve”-shton më tej Buzo.
Kështu, varri antik i shtohet si monument parkut arkeologjik të Amanties. “Varri antik i shtohet si monument parkut arkeologjik të Amanties. Ne i apelojmë popullsisë lokale që ti mbajnë në mbrojte, pasi janë pasur kombëtare”-shton arkeologu, Elio Hobdari. Sipas specialistëve mendohet se zona përreth ka shenja të monumenteve të tjera antike, por që nevojiten ekspedita dhe kërkime të tjera për të nxjerrë në pah këto vlera.
“Nga hapja e sipërfaqeve përreth u identifikuan dhe tipe të reja varresh. Ky nekropol i Amnatias ëhstë shumë i pasur dhe ka endedomosdoshmëri për të vazhduar kërkimet.”-tha Ermal Sina, përfaqësues i Drejtorisë së monumenteve Vlorë.
(ed.me/News24/BalkanWeb)http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/vlore-hajdutet-e-thesarit-zbulojne-varrin-antik-ne-parkun-e-amantias-210522.html
Nessun commento:
Posta un commento