Nga Enver Robelli
Buzëmbrëmje në Theth. Pasi kemi ecur gati 7 orë rreth e rrotull fshatit, në oborrin e Arben Marashit një grua rrjep një edh si me shpatë. Shkurtja është mbi 50vjeçare.
Në fytyrën e saj koha ka lënë rrudha të thella.
Pas i shkojnë disa dhi, të cilave u shndrit lëkura. Bota bimore e Thethit është parajsë jo vetëm për dhitë. Fatkeqe është ajo dhi, fatkeq është ai edh që përfundon nën shpatën e Shkurtes. Në këtë buzëmbrëmje ajo e preu një edh për 5 dakikë. “Nën tunin e sëpatës / Pëlset rrashta e kaut te prroni”, shkruan Martin Camaj
në një poezi të tij. Në këtë buzëmbrëmje rrashta e kecit nuk u ça, por u fut në frigorifer, ku do të ruhet dhe një ditë do t’u shtrohet në tavolinë mysafirëve në shenjë nderimi të madh.
Këtë do ta bëjë Violeta, gruaja e Arben Marashit, e cila turistët nuk i pret si klientë, por si mysafirë. Ata gostiten me ushqimet më të shëndetshme dhe më të shijshme të vendit, tubohen pastaj rreth zjarrit që ndizet në oborr, dëgjojnë tregime e anekdota derisa pak më tutje gurgullon lumi i Thethit me ujin
kristal dhe të ftohtë akull. Krenari shekullore Tri orë në këmbë larg Thethit, afër fshatit Kapre, gjendet Syri i Kaltër i Thethit, kështu së paku kanë filluar ta quajnë në përpjekje për t’i treguar Toskërisë se edhe Gegëria ka një atraksion që gati mund të matet me Syrin e Kaltër afër
Sarandës. Kësaj i thotë: konkurrencë me bukuri. Mbi Syrin e Kaltër të Thethit, që nga populli njihet si Pusi i Sokol Ramës, Filip Imeraj me familje mban një restorant.
Një grua që shërben si bleta na shpjegon me durim si shkohet dhe sa zgjat rruga deri te Qafa e Thorës, deri te Shtegu i Dhenve dhe si duket më tutje, në drejtim të Bogës, Koplikut e deri në Shkodër. “Ne që jemi të mësuem me ec për ‘i Zot as nji orë e gjysë deri n’Qafë të Thores s’e bajmë. E ju ndoshta i bani 3 orë”, thotë gruaja me shikim të mprehtë dhe plot kureshtje. Krenaria dhe çiltëria e grave të Thethit dhe rrethinës të kujton kohërat e largëta, para gati një shekulli, kur
këtë rajon e kishte vizituar shkrimtarja amerikane Rose Wilder Lane. Takimin me një grua të Shalës, Wilder Lane e përshkruan kështu: “‘Jam e lindur në Shalë, e martuar në Shosh’, u përgjigj ajo. Zërin e kishte të butë, kurse duart e këmbët e saj do të çmendnin çdo skulptor. Në çdo restorant të Parisit këta gishtërinj delikatë, thonjtë si bajame dhe kyçet e dorës, aristokrate dhe të rralla, do të paraqisnin sensacion”.
Në librin e saj “Majat e Shalës” (përkthyer nga Avni Spahiu) autorja amerikane tregon se fillimisht e kishte ndërmend të mos pinte raki në udhëtimet e saj në fshatrat e Shqipërisë veriore. Por ajri i pastër, uji kristal, ushqimi i shëndetshëm me gjasë kishin ndikuar që ajo dhe shoqërueset e saj të mos i rezistonin tundimit për të pirë këtë pije të fortë: “Njëra pas tjetrës, ne morëm kupën që mbushte shërbëtori dhe e zbraznim deri në fund. Nga ajo kohë e tutje e pinim këtë pije
si ujin dhe nuk kishte kurrfarë ndikimi të dukshëm. Ndonëse në ndonjë restorant parisien një gotë vere të butë do të më bënte të mendoja se një gotë e dytë nuk do të ishte punë me mend”.
Tri molla në gjoks Në këtë pjesë të Shqipërisë edhe sot zor se të deh ndonjë pije, por ka gjasa që bukuria e natyrës ta bëjë këtë.
“Tridhjetë e dy ujëvara i numërova nga ajo dritare, që përshkonin malet si damarë me vezullime të mrekullueshme të argjendit”, shkruan Rose Wilder Lane. Në këto vise bukuria dhe krenaria e grave është po aq e dëgjuar sa rrëfimet për orët, figura të besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohen si gra që jetojnë në male, kroje ose afër njerëzve, të cilëve ato u sjellin fat ose ndëshkojnë shpirtligët. Këtu besimi katolik përzihet me tradita pagane. Rose Wilder Lane tregon se, ndonëse katolikët e Shalës shkonin në meshë, ata të vdekurit i varrosnin pa arkivol, me tri molla në gjoks dhe kur
vendosnin ndonjë gur apo pllakë druri mbi varr, ata shpesh gdhendnin në të jo vetëm kryqin, por edhe diellin. Nuset, kur martoheshin, nga shtëpitë e tyre merrnin me vete një mashë me të cilën ruanin zjarrin në shtëpinë e burrit.
Zjarri si dhuratë hyjnore, si simbol i dritës dhe jetës së përhershme – kështu ishte me shekuj dhe gjurmë të kësaj tradite ende ruhen në Shalë. Për këtë flasin edhe emrat e grave: Mrikë, Shkurte, Diella. Priftërinjtë kanë qenë zakonisht tolerantë ndaj traditave pagane. Ata përveç kultivimit të besimit të krishterë janë kujdesur për përhapjen e dijes, shkrimleximit në viset e largëta e alpine shqiptare. Rose Wilder Lane kishte vizituar një shkollë gjashtë javës pas hapjes: “E pyeta priftin çfarë mund t’i dërgoja nga Parisi dhe sytë e tij u mbushën me lot tek kërkonte, duke u hamendur për një
çast nga frika mos kërkon shumë, nëse mund t’i dërgoja pak letër të bardhë dhe ca lapsa.
Boja ishte në të sosur; ata do të mund të bënin ngjyrë tjetër nga manaferrat, por ai do të dëshironte që djemtë të shihnin lapsat dhe të mësonin t’i përdornin”. Për fat të keq në këtë fushatë fisnike të arsimimit para një shekulli nuk u përfshinë edhe vajzat. Gratë dhe vajzat duhej të kryenin punët e shtëpisë dhe të arave, prania e tyre në jetën publike ishte pothuaj e padukshme. Nga ana tjetër toleranca dhe respekti për ndjekës të besimeve të tjera ishin proverbiale: kur Rexha i vogël, njëri nga shoqëruesit e Rose Wilder Lane, tregoi në një shtëpi katolike se si muhamedan nuk e hante
mishin e derrit, meshkujt e shtëpisë u shpërndanë në fshatrat përreth për t’i gjetur mish hallall. Krahas traditës pagane në këto treva kanë mbijetuar gjatë edhe zakone mjaft barbare.
Grabitja e vajzave për qëllime martese deri para një shekulli ka qenë dukuri mjaft e përhapur, martesa e fëmijëve po ashtu, siç dëshmon një prift në librin e Rose Wilder Lane. Ai ankohet se kisha e ka shumë të vështirë të luftojë këtë fenomen, po aq sa gjakmarrjen sipas Ligjit të Lekës. “Lum udha që ju solli!” Ndërkohë Shkurta e ka copëtuar mishin dhe dalëngadalë dielli i thotë lamtumirë Thethit. Tani, në këtë vend ku lepuri i uron dhelprës “natë të mirë”, bie dalëngadalë nata. Turiste gjermane pinë kafenë e mbrëmjes, që shoqërohet me një gotë raki, dhe vëzhgojnë me kujdes e kureshtje zhvillimet në oborrin e Arben Marashit. Derisa përgatitet darka, dhitë e Shkurtes, ato që nuk kanë
rënë pre e shpatës së saj, kërcejnë gardhin, futen në oborr dhe u hidhen perimeve. gjithnjë e më shumë turistë nga bota perëndimore. Ata janë të ngopur me kamerierë që me ftohësi i marrin porositë, të sjellin pijet me shpërfillje dhe pa treguar asnjë shenjë afërsie dhe interesimi për udhëtarin marrin paratë dhe të largohen nga restoranti me një falënderim të shpifur dhe mekanik. Thethi është ndryshe, njerëzor sidomos falë grave si Violeta, Shkurta e të tjera. Mirëpritja në Theth i kishte rënë menjëherë në sy e vesh Rose Wilder Lane: “Atëherë pasoi një shpërthim të shtënash. Shkëmbinjtë përreth nesh kërcitën si fishekzjarrë gjigante, qielli sikur ra në copëza përreth nesh dhe përmes poteres erdhën britma të shumëfishta.
Katër kryeparë të gjatë u dukën në shtegun e shkëmbit, madhështor në të zeza e të bardha, në të bardha e të kuqe, të kaltra, të gjelbra dhe të argjendta. Po na uronin mirëseardhjen në Theth. Britmat u dyfishuan, pushkët kërcitën nga çdo shkëmb, kambana e kishës binte me egërsi dhe përmes këtij pështjellimi shurdhues dhe paksa marramendës, ne hymë në fshatin e Thethit. Të katër kryeparët, pasi na kishin përshëndetur (‘Tungjatjeta! Ju lumshin këmbët! Lum udha që ju solli!’, thoshin ata) na prinë në çerekun e fundit të pafrymë të udhës, dhe gjatë tërë rrugës çunat bënin kërcime në duar
mbi shkrepa”. Lum udha që ju solli! Këtë përshëndetje madhështore edhe sot e dëgjoni në Theth.http://www.gazetatema.net/web/2014/09/07/reportazhne-theth-ku-shkurta-e-pret-kecin-per-5-dekika/
Nessun commento:
Posta un commento