16 dicembre 2016

Rrugëtimi i Guidave Turistike në Shqipëri, drejt Integrimit në Bashkimin Evropian

turizem1TIRANE, 17 Dhjetor /ATSH/- “Rrugëtimi i Guidave Turistike në Shqipëri, drejt Integrimit në Bashkimin Evropian”, ishte tema kryesore e Konferencës së III-të Kombëtare të Guidave Turistike, që u zhvillua sot në Tiranë me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm të industrisë së turizmit në vend.
E ftuar nderi në këtë konferencë, Efi Kalamboukidou, Presidente e Federatës Evropiane të Shoqatave të Guidave Turistike, në fjalën e saj theksoi nevojën dhe rëndësinë që ka për guidat turistike trajnimi, kualifikimi i vazhdueshëm dhe përditësimi i njohurive profesionale.
Zv. Shefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Philipp Keller, theksoi se “Një nga sfidat e turizmit në Shqipëri është se si të rritet kohëqëndrimi i turistëve dhe të zgjerohet gama e vizitave pertej pushimeve tradicionale të verës në plazh. Shqipëria duhet të shfrytëzojë mikpritjen unike si një nga avantazhet e saj krahasuese dhe identitetin e vet për produktet turistike dhe shërbimet që ofron”.
“Me miratimin e akteve nënligjore të ligjit të turizmit, sfida jonë e përbashkët është zbatimi efikas i tyre përgjate 2017 e më tej” tha Ermal Elezi, drejtor i kabinetit në Ministrinë e Ekonomise. Ai vlerësoi se turizmi ka shënuar një rritje mbi 1.1 miliardë euro, ose 15% më shumë për periudhën janar – shtator 2016, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti sipas raportit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas Martin Mato, Kryetar i NATGA-s , zbatimi i standardit evropian bashkëkohor për guidat turistike, është i domosdoshëm për rritjen e numrit të turistëve, ditëve të qëndrimit dhe zhvillimit të turizmit në zonat rurale, rritjen e te ardhurave dhe vendeve të reja te punes.
Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike Shqiptare (NATGA) lançoi sot në këtë konferencë website –in e ri, www.natga.al, për ti ardhur më prane të rinjve që do të duan të jenë profesionistë në këtë fushë dhe “Ambasadorët” e eksperiencës unike shqiptare, si edhe ti shërbejë lidhjeve me kërkesën (tregun) e turistëve që duan të vizitojnë Shqipërinë nën interpretimin e guidave profesioniste turistike shqiptare.
Konferenca u mbyll me diskutimet e pjesëmarrësve rreth zbatimit sa më të mirë të sistemit të ri për guidat turistike në Shqipëri si edhe rolin e rëndësishëm që ka NATGA në këtë proçes. e.xh/ /a.g/
https://www.ata.gov.al/rrugetimi-i-guidave-turistike-ne-shqiperi-drejt-integrimit-ne-bashkimin-evropian/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate