13 dicembre 2016

Gerxhani: Platformë online për të “shijuar” kryeqytetin


unnamed-81TIRANE, 13 Dhjetor/ATSH/-Disa javë më parë, falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranës, 22 gra kanë mundur që sot të kenë bizneset e tyre në kryeqytet, duke punësuar veten, por edhe duke krijuar mundësi për t’u punësuar me dhjetëra të tjerë.
Një prej këtyre bizneseve, e cila ofron guidë turistike për vizitorët e kryeqytetit, duke promovuar pikat më të mira turistike në kryeqytet është edhe “Visit Tirana” e krijuar nga Manderina Promotions (kompani marketingu).
Në një intervistë për ATSH-në, Alma Gerxhani, Administratore e Manderina Promotions tha se idea e biznesit fillimisht lindi si pasion për të promovuar Tiranën në mediat sociale. Po kështu ajo tregon se shumë shpejt “Visit Tirana” u bë burimi kryesor i informacionit për të huajt që donin të vizitonin Tiranën.
Sipas saj, nuk është e rëndësishme të paraqitet kryeqyteti ynë si më i bukuri në botë por të jepen vlera që e dallojnë nga vende të tjera si : qytet që ndryshon çdo ditë, rini aktive, monumente historike etj.
Si lindi ideja për të ngritur këtë biznes?
Visit Tirana është projekt i Manderina Promotions, një kompani PR dhe Marketing me seli në Tiranë, e cila është më tepër e fokusuar në marketing online për bizneset, kryesisht në fushën e Turizmit. Visit Tirana nisi thjesht si një pasion i stafit të Manderinës për të promovuar Tiranën në mediat sociale, me postime fotosh, eventesh në gjuhen angleze, dhe me pas me shkrime blogjesh e rekomandime se çfarë të vizitosh në Tiranë. Shumë shpejt Visit Tirana u bë burimi kryesor i informacionit për të huajt që donin të vizitonin qytetin. Më pas u kthye në një platformë online visit-tirana.com ku mund të gjesh çdo informacion që i duhet një turisti për të vizituar dhe shijuar kryeqytetin. Visit Tirana ka marrë një çmim si Personaliteti i vitit 2015, nga Bashkia Tiranë për promovimin e qytetit.
15540302_425741351149438_842728401_oSa persona jeni që merreni me këtë punë?
Aktualisht janë 4 persona full time që merren me përmbajtjen dhe përditësimin e informacionit në portalin tonë, mes te cilëve gazetarë, staf IT, dhe social media manager. Por janë dhe dy webdeveloper part time që punojnë për ndërtimin e portalit tonë i cili është i personalizuar. Visit Tirana synon të zgjerohet me staf gazetarësh dhe agjente marketing dhe të këtë partneritet me bizneset e turizmit, të cilët do të reklamohen në mënyrë profesionale nga ky portal, i vetmi i këtij i lloji i fokusuar për Tiranën. Kështu do të krijohet një mundësi punësimi për të rinjtë që e duan Tiranën dhe duan të kontribuojnë.
Sa e rëndësishme është të promovimi një kryeqyteti si Tirana?
Tirana është qyteti ynë, ku ne jetojmë dhe prandaj mundohemi të nxjerrim lajme pozitive dhe optimiste. Përpiqemi të japim një këndvështrim tjetër, jo ta paraqesim si qytetin më të bukur në botë, por të japim ato vlera qe Tiranën e dallojnë nga kryeqytetet e tjera të botes si: qytet që ndryshon çdo ditë, rini aktive, monumente historike, e kaluara komuniste, gatimet fantastike, eventet e veçanta, sportet e aventurës në Tiranën rurale etj. Së fundi ne organizuam një konkurs fotografie #TiranaAutumn në mediat sociale, ku u promovua vjeshta në Tiranë për një muaj rresht. Nga rreth 500 foto të postuara në mediat sociale, u përzgjodhën tre foto fituese, që përfaqësonin qëndrën e Tiranës, liqenin artificial dhe një zonë rurale të Tiranës. Konkursi u organizua në bashkëpunim me tre bizneset turistike në Tiranë, të cilët ofruan shërbimet e tyre për fituesit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se Tirana do të ketë një “kryetar bashkie” në turn të tretë. A mos është ndoshta biznesi juaj, pjesë e kësaj mënyre?
Ka një konfuzion lidhur me vizitën e zotit Veliaj në kompaninë tonë. Kompania jonë fitoi mes 22 bizneseve të tjera të drejtuara nga gra, një fond mbështetës nga Bashkia Tiranë. Fondi simbolik i jep një ndihmë të çmuar avancimit të biznesit tonë. Zoti Veliaj në kuadër të vizitave të bizneseve fituese për gratë sipërmarrëse të Tiranës, vizitoi zyrat tona si biznes ekzistues për të vlerësuar veçanërisht punën tonë në promovimin e Tiranës. Manderina Promotions është një subjekt privat që bën promovim e kryeqytetit, siç bën edhe promovimin e disa rajoneve të Shqipërisë nëpërmjet kanaleve sociale. Mund të përmendim projektin e Liqenit të Ohrit në bashkëpunim me UNESCO-n si dhe dy projekte të tjera: Visit Gjirokastra dhe Visit Berat. Veliaj bëri këtë deklaratën e promovimit te Tiranës dhe natën përmes një kryebashkiaku tjetër që rri natën zgjuar,  meqë zyra jonë merret me promovimin e Tiranës, por kjo nuk ka lidhje me zyrën tonë dhe biznesin tonë. Është një iniciativë e Bashkisë dhe do të realizohet prej tyre. Ne do vazhdojmë me punën tonë me gjithçka që është pasqyruar në portalin tonë, i cili shumë shpejt do jetë në tre gjuhë. Ne informojmë, shkruajmë dhe u rekomandojmë të huajve çfarë të bëjnë në Tiranë, si t’i kalojnë bukur ditët e tyre në Tiranë, të impresionohen e të kthehen sërish. Për këtë arsye Visit Tirana është bërë si pikë referimi nga vizitorë të huaj, por edhe nga blogera e media të ndryshme.
Fondi për Gratë Sipërmarrëse, është nismë e Aleancës së Grave të Këshillit Bashkiak, për të cilin për herë të parë Bashkia Tiranë miratoi një fond 6 milion lek për mbështetjen e sipërmarrëseve gra nga 18 deri në 60 vjeç. /a.g/
https://www.ata.gov.al/gerxhani-platforme-online-per-te-shijuar-kryeqytetin/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate