17 febbraio 2015

Xhamia e Plumbit në Shkodër, një nga monumentet kulturore që po humb identitetin e saj

SHKODËR –  Gjatë regjimit komunist objektet e kultit që i rezistuan rrënimit nga autoritetet e kohës ishin të pakta, e ndër ta ishte edhe Xhamia e Plumbit në Shkodër. Kjo xhami  është një monument kulture i kategorisë së parë, që nënkupton se me këtë status ky objekt ruhet nga shteti dhe sipas ligjeve shqiptare duhet të tregohet një kujdes ndaj saj. Ajo njihet ndryshe edhe si xhamia Mehmet Pashë Bushatit, pasi u ndërtua nga ky i fundit në vitet 1773-1774, i cili në histori njihet si themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.

Anadolu Agency ka realizuar një vëzhgim për të shikuar gjendjen që ndodhet sot ky objekt kulti me një histori kaq të spikatur. Por sot ajo nuk nodhet në një gjendje që do të dëshironin jo vetëm besimtarët muslimanë, por edhe të gjithë qytetarët dhe ata njerëz që kujdesen për monumentet e kulturës.

Në vitet e fundit ambienti përreth xhamisë mbushet me ujë për shkak të reshjeve të shiut që janë të shpeshta në stinën e dimrit në Shkodër. Për pasojë kjo situatë krijon edhe probleme për besimtarët, por edhe për vizitorët që kanë interes për ta shikuar nga afër këtë xhami me statusin monument kulture. Për të vajtur deri në ambientet e brendshme të saj përdoret një urë e improvizuar.

Ndërkohë Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka përfshirë në projektet saj rikonstruksionin e disa xhamive në Shqipëri, përfshirë edhe Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ku pritet që ajo të rikthehet në identitetin dhe misionin e saj. Kjo është pohuar për Anadalu Agency nga koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Prof.Dr Birol Çetin.

Xhamia e Plumbit në Shkodër  përveç arkitekturës të stilit osman, ka edhe vlera të tjera historike, pasi  ajo shërbeu në fillimet tranzicionit shqiptar si një ndër xhamitë e para ku besimtarët muslimanë filluan ritet fetare të ndaluara për disa dekada nga regjimi komunist. Pas shumë përpjekjesh dhe përgatitjesh më 16 nëntor 1990, që përkonte edhe me ditën e xhuma, u krye falja nga besimtarët muslimanë dhe sipas dëshmive të banorëve të zonës këtë falje e drejtoi Hafiz Sabri Koçi.

Xhamia e Plumbit  është e vendosur në pjesën e jashtme të ish- pazarit të Shkodrës, ku ka pranë edhe kalanë e Rozafës por edhe rrjedhat e lumenjve  Kir e Drin. Specialistët pohojnë se për nga forma,  ndërtimit është mbështetur në arkitekturën e xhamive të sulltanëve të Stambollit dhe është e vetmja në Shqipëri që ka disa specifika si oborrin me kolona të gjera para hyrjes në sallën e faljes.


Redaksia Online
(do.k/shqiptarja.com)
 - See more at: http://shqiptarja.com/kulture/2730/xhamia-e-plumbit-ne-shkoder-nje-nga-monumentet-kulturore-qe-po-humb-identitetin-e-saj-272956.html#sthash.dmLAqwyx.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate