01 giugno 2013

GJIROKASTËR - TURIZMI ALTERNATIV, POTENCIAL PËR ZONAT NDËRKUFITARE 2013

Poliçani, fshati që shtrihet në malin e Nëmëçkës, ka një peizazh natyror të mrekullueshëm dhe mbart një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit natyror.

Dikur, rreth 400 vjet më parë, në fshatin Poliçan, 40 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës, numëroheshin 700 familje me 3 mijë banorë, ndërsa sot jetojnë vetëm 60 familje me 350 banorë. Poliçani, fshati që shtrihet në malin e Nëmëçkës, ka një peizazh natyror të mrekullueshëm dhe shumë banorë të tij, megjithëse jetojnë në qytet, ia dinë vlerat kësaj zone që mbart një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit natyror.
     Panajot Kuro, 32 vjeç, ekonomist, banor i fshatit, thotë se asnjëherë nuk ka menduar të braktisë vendlindjen edhe pse mundësitë i ka pasur. “Njerëzia këto vende i kërkon me qiri", thotë Kuro, duke nënvizuar se banorët e zonës janë të lidhur shumë me blegtorinë. Sipas tij, qumështi prodhohet me cilësi të lartë falë bujarisë së natyrës, ndërkaq tregu është i sigurtë. “Grumbullimi i qumështit është ekskluzivitet i fabrikës së prodhimit të djathit “Gjirofarma”, ndërsa Rrapi i Poliçanit, 280 vjeçar, në lartësinë 750 metra mbi nivelin e detit, është vendtakimi i blerësit dhe shitësit”, tregon Kuro, duke shpjeguar se rrapi në formë ombrellore të rregullt qe ndodhet në qendër të fshatit në gjendje vegjetative, është i lartë 30 metra, diametër 104 cm dhe perimetër 350 cm. Kuro mendon se fshati Poliçan ka potenciale të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit natyror.
     Katër vite më parë ka nisur të ndërtohet rruga e re Dhrimadhe-Pogon, me gjatësi 25 km, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare me Bashkimin Europian, me vlerën 1.2 milionë euro.Kuro thotë se banorët e zonës duhet të përmirësojnë që tani infrastrukturën hoteliere, pasi në të ardhmen sektori i turizmit natyror do të jetë konkurrues, ndërsa turistët gjithmonë kërkojnë të eksplorojnë zona të virgjëra, duke nënkuptuar se fshati Poliçan është një destinacion i tillë.
     “Arti i kulinarisë është mjaft i pasur dhe prodhimet bujqësore janë BIO. Disa ditë më parë tre familje kosovare, rreth 12 veta, kanë ngelur pa gojë, u “embëlsuan” nga mishi i qengjit”, thotë Kuro, duke nënvizuar se ata ishin befasuar edhe nga natyra e gjelbër. Ai thekson se klientët pëlqejnë një shërbim të thjeshtë, të shpejtë dhe çmim të arsyeshëm. Kjo jep shumë avantazhe dhe klientët paguajnë 30% më pak se sa në qytet.

     - Prefektura e Gjirokastrës -

     Mimoza Como, prefekte e qarkut të Gjirokastrës, shprehet se prej një viti institucioni që ajo drejton është duke zbatuar projektin “Krijimi, zbatimi dhe promovimi i rrjetit tematik për turizmin alternativ dhe zhvillimi i formave interpretuese” (NetRoutes), në kuadër të programit IPA, me vlerë rreth 200 mijë euro, prej të cilave 85% financim i Bashkimit Europian dhe 15% Qeveria Shqiptare. “Objektivi kryesor i projektit është krijimi i kësaj zone ndërkufitare në një prej destinacioneve më të rëndësishëm turistike në Europë, e cila bazohet në stimulimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe mjedisore të rajonit me fokus në interpretimin e burimeve potenciale turistike”, shprehet Como.
     Sipas saj, zona e projektit është lugina e lumit Vjosë, lume i cili rrjedh në malet e Greqisë dhe derdhet në brigjet shqiptare. “Në mënyrë më specifike në projekt marrin pjesë gjashtë njësi vendore, tre nga Greqia (Bashkitë Konicës, Zagori dhe Pogonit) dhe tre nga Shqipëria, përkatësisht Komunat Petran (Përmet), Lunxhëri dhe Pogon (Gjirokastër)”, thotë Como, ndërsa shton se projekti mbulon pesë veprimtari të ndryshme, përpunimin i dy studimeve për zhvillimin e turizmit alternativ, i cili do të vlerësoj burimet potenciale të turzmit rural; krijimi i rrugëtimeve interpretative tematike, që do të adresojë një temë specifike dhe do të fokusohet në një zonë me karakteristika të unifikuara; krijimi i shtatë qendrave të informimit; prodhimi dhe printimi i materiale audiovizuale, për të informuar dhe tërhequr vizitorët që kanë interesa të veçanta, si dhe organizimi i takimeve me operatorët turistike, të cilët do të specializohen në turizmin alternativ dhe tematik.
     Ornela Çuçi, koordinatore e projektit, thotë se zonat në të dyja anët e kufirit kanë tradita dhe kulturë të ngjashme, duke përfshirë edhe disa monumente kulturore. “Mjedisi në të dyja zonat ndërkufitare është i pasur, me disa habitate dhe specie të rralla. Si rezultat i këtyre ngjashmërie, e gjithë zona është e bekuar me elementë të rrallë dhe unik qe përbëjnë një interes për vizitorët vendas dhe të huaj, si dhe një eksperiencë të lartë shpirtërore”, pohon Çuçi.
     Ajo specifikon se turizmi alternativ dhe tematik mund të bazohet në burime kulturore dhe natyrore. “Arkitektura e rajonit dhe strukturat e saj arkitekturore, si ura prej guri, shtëpi, kisha, alpinizmi, eksplorimi i shpellave, vozitja në lumenj, garat me xhipa etj., janë karakteristikat e këtyre zonave rurale”, shprehet Çuçi. Për të, zona e projektit është një vlerë e madhe kulturore dhe ekologjike. Disa fshatra janë të mbrojtura me ligj për shkak të stilit të veçantë tradicional.
     Çuçi thekson se komunat në jug të vendit duhet të zhvillojmë forma të ndryshme turizmit, ashtu si zonat ndërkufitare greke, pasi të dyja shtetet fqinje kanë disa monumente kulture dhe fetare të ngjashme, si dhe habitate me vlera të mëdha ekologjike. “Ky projekt në kuadër të Programi IPA CBC, që parashikohet të përfundoj në muaj janar të vitit 2014, ka si qëllim regjistrimin dhe vlerësimin e burimeve turistike, krijimin e një rrjeti lokal (TATNework), zgjatjen e kohëqëndrimit të vizitorëve, rritjen e numrit të vizitorëve, si dhe të kontribuoje në zhvillimin e zonës përmes rritjes së të ardhurave të anëtarëve të komunitetit vendas, duke mbështetur ne mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë turizmin tematik dhe alternativ”, theksoi Cuçi. 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate