22 giugno 2013

Hidhen dëm 300 mijë euro për muzeun e Gjirokastrës,Albania 06/2013

19 Qershor 2013 - 10:38
NGA DHURATA HAMZAI
Muzeu i tri galerive në Kalanë e Gjirokastrës sot mban emrin e veprës “Kronikë në gur” të shkrimtarit Ismail Kadare, por kjo gjë nuk e ka shpëtuar atë nga shkatërrimet.

Ja gjendja aktuale e këtij muzeu: “Kompleksi i tri galerive të cilat janë ndërtuar pranë muzeut të Kalasë së Gjirokastrës në katin përdhes të saj gjenden vetëm disa fotografi, një TV me ekran të sheshtë me një DVD player, dhe dëshmitë përkatëse të tij”, shkruhet në një artikull të BalkanInsight, ku autori Besar Likmeta ka shkruar një kronikë të gjatë për Muzeun e ri në Kalanë e Gjirokastër. Ky muze është ngritur me një ceremoni përurimi që u bë në ditën e Trashëgimisë Botërore në shtator të vitit 2012.

Megjithatë, asnjëherë këshilli i qytetit të Gjirokastrës nuk e dha miratimin për të, dhe kështu që pas muaj muzeu u mbyll. Besar Likmeta, kujton se dokumentet e dërguara për BalkanInsight tregojnë se në vitet e 2008-2012, janë marrë disa grante nga donatorët e ndryshëm, duke përfshirë Packard Humanities Institute, Hadley Trust dhe fondet e bamirësisë si dhuratë e Fidelity Charitable për të krijuar muzeun dhe rijetëzimin e kalasë.

Përmes këtij artikulli Likemta del në konkluzionin se donatorët kanë shpenzuar qindra mijëra euro për ndërtimin e një muzeu të ri në Gjirokastër – “por rezultati mbeti i diskutueshëm dhe ai përfundimisht u mbyll mbi një mosmarrëveshje ideologjike.

“Edhe pse donatorët dhe qeveria kanë shpenzuar gati një gjysmë milion euro për përgatitjen e albumit për ekspozitat, nga kupola e kështjellës vijon të rrjedhë ujë duke krijuar pishina të mëdha në mes të dyshemesë.”, shkruan Likmeta për BalkanInsight.

Sipas tij, rreziqet nuk kanë të sosur. “Rreziku tjetër që vjen pas kësaj është se riskohen vizitorët nëse do të ndizeshin dritat, sepse aty për shkak të lagështisë mund të ndodhë në çdo moment ndonjë qark i shkurtër”.
 
SPECIALISTËT: KA SPEKULIME ME FONDET E DONATORËVE
 
Edhe pse ishte muzeu më i ri i Gjirokastrës që mori edhe emrin “Kronikë në gur”, tashmë po qëndron i mbyllur për publikun e gjerë”, shkruan Likmeta, duke sjellë në vëmendje faktin se përmbajtja e këtij muzeu, që u krijua nga Fondacioni për Zhvillimin e Gjirokastrës, GCDO, “nuk u miratua asnjëherë nga Komitetit Shtetëror i Monumenteve, sepse nuk kanë qenë dakord mbi përmbajtjen e tij.”

Sipas Likmetës “ekspertët kanë vënë në dyshim edhe përdorimin e fondeve të donatorëve të GCDO-së”, ndërsa shkruan se “Përfundimisht, ajo që çoi në mbylljen e këtij muzeu ishte prezantimi i atyre pak gjërave që lidheshin me ish-diktatorin stalinist të  Shqipërisë Enver Hoxhën, që ka lindur në qytet”.

Duke përshkruar veçoritë më të spikatura të këtij qyteti, rrugët e tij me kalldrëme guri, çatitë marramendëse dhe pazarin e vjetër. Likmeta kujton se “Pas futjes së saj në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s në vitin 2005, fondet që u akorduan nga qeveria dhe donatorët ndërkombëtarë për të mbrojtur trashëgiminë kulturore janë shpenzuar të gjitha.

GCDO filloi punën për muzeun në vitin 2007, dhe koncepti i saj ishte që të rrëfente historinë e pasur të qytetit dhe luginën së tij përreth Drinos, duke filluar që nga lashtësia deri në kohët moderne, kujton Besar Likmeta, duke theksuar se “Muzeu e mori emrin sipas një romani të shkrimtarit më të njohur të Shqipërisë, Ismail Kadare, që përshkruan jetën e qytetit të vogël gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kadare gjithashtu ka lindur në Gjirokastër dhe karakteristikat e këtij qyteti përshkruhen shpesh në romanet e tij”. Në artikullin për BalkanInsight Likmeta rendit shifrat e shpenzuara, ku thekson se “në vitin 2008, Instituti i Monumenteve të Shqipërisë ka shpenzuar 140,000 € vetëm për hidroizolimin e tarracës së kalasë”.

Ndërsa shton edhe shifrën që GCDO-ja ka shpenzuar, si dhe një fond tjetër të donatorëve nga Instituti Packard prej 140.000 € për rikthimin e tri galerive, instalimin e një sistemi të ri elektrik dhe hidroizolimin e çatisë së kështjellës nga ana e sipërme, artikullshkruesi rendit edhe një tjetër fond prej 42.000 € është shpenzuar për instalimin e paneleve diellore për ndriçimin e hyrjes së Kalasë.

“GCDO-ja gjithashtu ka shpenzuar 86.000 € për kërkimet projektimin dhe konsultimet me ekspertët dhe publikun për muzeun”, por nuk dhanë asnjë rezultat, shkruan Besar Likmeta duke përmendur edhe shkaktarët që e sollën në në këtë gjendje muzeun: “Në një deklaratë për gazetarët më 1 mars, kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, vuri në pikëpyetje punën e GCDO-së.

“Unë e kam kundërshtuar këtë muze ... sepse ai degradoi me një ekspozitë e thjeshtë,’ tha Baçe. "Gjirokastra ka shumë objekte të tjera që mund të ishin përfshirë në këtë muze, por ata e përfunduan duke u fokusuar mbi Enver Hoxhën,” komentoi ai.

Baçe gjithashtu ka vënë pikëpyetje sesi GCDO-ja i ka shpenzuar fondet e donatorëve, duke argumentuar se muzetë e tjerë kanë qenë shumë më të lira. "Këtu bëhet fjalë për një abuzim me fondet, duke pasur parasysh se muzeu i Apolonisë u krijua vetëm me një fond prej 69.300 €," shtoi ai.
 
ALDO BUMÇI DHA URDHRIN TA MBYLLIN MUZEUN
 
Gjatë një seance në komisionin parlamentar për kulturën me  mediat, më 26 shkurt, ministri i atëhershëm i Kulturës, Aldo Bumçi, tha se Komiteti Shtetëror për muzetë nuk ka miratuar muzeun dhe kishte kërkuar nga bashkia që ta mbyllnin atë.

“Ne kemi pasur shqetësime në lidhje me atë pjesë të ekspozitës që lidhet me diktatorin (Hoxha), ku kemi kërkuar modifikime, dhe gjithashtu për mungesën e lejes nga këshilli vendor i qytetit”, tha Bumçi. "Ata nuk ndërmorën veprime për asnjërën nga pikat, dhe kjo është  arsyeja pse komisioni nuk e miratoi muzeun," shtoi ai.

Drejtori ekzekutiv i GCDO-së, Sadi Petrela, pranon se muzeu nuk e ka marrë vulën e miratimit nga autoritetet, por mohon që të jenë keqadministruar fondet e donatorëve. “Komiteti i monumenteve na pyeti për qëndrimin që duhet të mbanim në lidhje me jetën e Enver Hoxhës”, tha Petrela.

“Ne u përpoqëm për të arritur një kompromis, por kjo nuk ishte e mundur,” shtoi ai. Sipas Petrelës, procesi i legalizimit të muzeve duhet të kishte shkuar në komunën e Gjirokastrës, por ka ngecur, sepse GCDO-ja ka dështuar në përpjekjet për të marrë miratimin nga Komiteti Shtetëror i Muzeve.

“Për çdo monedhë që kemi shpenzuar nga donatorët, gjithçka është transparente," tha ai. "Sipas mendimit tim ky është një muze i plotë, por ende nuk është një muze i ligjshëm”, përfundoi Petrela”. Artikulli për BalkanInsight, botohet me titullin origjinal: “Troubled Albanian Museum Sunk by Hoxha Row” (Grindjet për çështjen Hoxha, përmbytin muzeun shqiptar)  
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.06.2013
 

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/hidhen-dem-300-mije-euro-per-muzeun-e-gjirokastres-163058.html#sthash.jNZLtIvs.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate