TIRANE-01 Qershor 2013 - 20:50
Ka përfunduar sot finalja kombëtare e “Red Bull Kart Fight Albania 2013”. Pas tre etapash kualifikuese, katër javësh garë dhe rivalitet mes 200 garuesish, është shpallur fitues 23-vjeçari nga Suhareka e Kosovës, Agim Berisha.
23-vjeçari është kurorëzuar me titullin Kampion në këtë garë shpejtësie me makina Go-Kart, të zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza”, nën mbështetjen e Bashkisë Tiranë.
Të rinjtë shqiptarë dhe nga Kosova kanë treguar një interes të madh për këtë disiplinë sportive. Rreth 24 të rinj u përzgjodhën në raundet kualifikuese përgjatë gjithë muajit Maj tek Kartodrom 3 në Vaqar.
Koha më e mirë e realizuar gjatë tre etapave kualifikuese është shënuar nga Mariglen Tufa, me 41 sekonda e 49 të qindtat.
Ndërsa tre emrat që zunë vendet e para të garës janë Agim Berisha, Julian Cami dhe Olsi Gjoshi.
“Kam vetëm 2 vjet që praktikohem me makina Go-Kart. Jam mjaft i emocionuar që vij marr pjesë në një garë në Shqipëri dhe shpallem Kampion. Fillesat me këtë sport i kam në Suharekë, ku pas hapjes së një kartodromi, fillova të shkoj dhe të praktikohem rregullisht. Çfarë më tërheq më shumë në këtë disiplinë sportive janë manovrat dhe shpejtësia që e karakterizojnë” tha fituesi Berisha, teksa mbante në dorë edhe trofeun e garës.
Më i riu në këtë garë ka qenë konkurrenti nga Tirana, 15-vjeçari Julian Cami, i cili është ngjitur në vendin e dytë në podium.
Fituesi i kësaj gare do të përfaqësojë Shqipërinë në “Red Bull Kart Fight World Finals 2013”.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com) -
See more at: http://www.shqiptarja.com/metronews/2729/perfundon-gara-e-red-bull-fituesi-shkon-ne-finalen-boterore-2013-160016.html#sthash.M3PRBfDN.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento