29 giugno 2013

Fundjava e qershorit në bregdetin e Dhërmiut

VLORE - 29 Qershor 2013 - 11:52

Në këtë fundjavë, bregdeti i Dhërmiut, 60 km në jug të Vlorës, është shndërruar në një destinacion për pushuesit vendas dhe ata nga Kosova. Pavarësisht nga kushtet jo shumë të favorshme atmosferike, një javë pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të 23 qershorit, qindra pushues nga rrethe të ndryshme të vendit dhe nga qytete të Kosovës, kanë zbarkuar këtu për të kaluar ditë të këndshme.

     Të premten në mëngjes, mjaft autobuzë me targa të Kosovës kanë mbërritur në Dhërmi, duke sjellë qindra pushues. "Kam ardhur me bashkëshorten dhe 2 fëmijët, për të kaluar pesë ditë këtu", thotë Isai, një 50 vjeçar nga Gjakova. Ai shprehet se bregdeti i Dhërmiut i pëlqen mjaft, sepse ka bukuri të rrallë natyrore dhe ujë të pastër.      

     Nuk është hera e parë që vjen këtu, por i duket se gjithmonë zbulon gjëra të reja. Tani në këtë periudhë, numri i pushuesve është më i pakët dhe kjo për Beharin, ashtu edhe shumë të tjerë, është e pakuptueshme. 45 vjeçari mendon se pavarësisht se kushtet atmosferike nuk janë shumë të favorshme në këto ditë, sezoni duhej të kishte vazhduar sepse bregdeti ofron mundësi për t’u shlodhur. Me këtë mendim bashkohet edhe një bashkëqytetar i tij, Mehmeti. “Shohim se lokalet janë mbyllur, ndërkohë që disa të tjera punojnë me personel të reduktuar!”, thotë ai.

     Dhe në fakt, në bregdetin e ish- kampit të pushimit, në Dhërmi, shërbimi që ofojnë lokalet nuk është ai i sezonit. Vetëm pak prej këtyre njësive janë hapur, ndërkohë që në pjesën më të madhe mbizotëron heshtja. “Po mundohemi të nisim këtë sezon, pavarësisht se numri i pushuesve nuk është ai që prisnim", thotë Tani, një nga pronarët e kompleksit "Nikki Beach" në Dhërmi. Sipas tij, në këtë drejtim kanë ndikuar edhe zgjedhjet. Por, ato tashmë kanë mbetur pas dhe sezoni duhej të kishte hyrë në rrjedhat e tij normale.

     Në fakt, ky kompleks duket se është ndër të paktat ku synohet të bëhet diçka ndryshe dhe sezoni turistik të dalë nga limitet e tij tradicionale. Në të funksionojnë baret, restoranti, ndërkohë që në plazh pushuesit janë relativisht më të shumtë se në pjesën tjetër të këtij bregdeti. Edhe këtu nuk mungojnë pushuesit nga Kosova. Mjaft qytetarë shqiptarë dhe të huaj zgjedhin këtë periudhë për të pushuar. Nesti, një 40 vjeçar nga Tirana, punonjës në një OJF të njohur, pushoi në Dhërmi gjithë javën e kaluar. "Kjo periudhë më pëlqen për qetësinë dhe për kthjelltësinë e ujit të detit”, thotë ai.

     Realisht, sezoni turistik në Vlorë, në Dhërmi e më gjerë, nis në fillim të muajit korrik dhe përfundon në fund të gushtit. Është një mentalitet paksa i çuditshëm, por që vazhdon të veprojë prej vitesh. Përkundër kësaj, pushuesit nga Kosova, por edhe mjaft të tjerë nga vendi, tregojnë se dielli i qershorit, pavarësisht se më i pakët këto ditë, ka po aq vlerë sa edhe në korrik e gusht e ndoshta edhe më tepër.

     Prandaj dhe në këto ditë pushuesit nga Kosova, mbizotërojnë në këtë mjedis bregdetar të Dërmiut, kundrejt qytetarëve më të paktë, por gjithsesi në një numër në rritje, nga Shqipëria, kryesisht nga Tirana e Fieri.

Reportazh i atsh
(sg/shqiptarja.com)
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/metronews/2729/fundjava-ne-bregdetin-e-dhermiut-164761.html#sthash.vpohVW4l.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate