07 giugno 2013

Porto Palermo bëhet park peshkimi ambientalistët kundër kesaj inisiative... 06/2013

Të tjera rreth shkrimit
TIRANE 07 Qershor 2013 - 07:37
NGA ESMERALDA KETA
Njëra prej këtyre zonave, ku tashmë janë miratuar plot 20 leje për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit, është edhe Porto Palermo. Sipas ambientalistit Xhemal Mato, vendimi vjen pikërisht në kohën kur pritet që kjo zonë të shpallet park arkeologjik nënujor. Sipas tij një nismë e tillë do ta shkatërronte krejtësisht këtë pikë kaq të rëndësishme turistike.

Ai na shpjegon që për këtë, mjafton të shikojmë se çfarë i kanë bërë Porto Palermos pesë lejet që aktualisht po zhvillojnë aktivitetin në të. “Imagjinoni që këtu do të shtohen edhe 20 pika të tjera. Porto Palermo nuk do të jetë më një park arkeologjik nënujor, por do të shndërrohet në një park peshkimi”, - na thotë ai.

Të njëjtin fat me të do të kenë edhe mjaft zona të tjera ujore të shpallura të mbrojtura me ligj. Kështu lejet janë miratuar për këtë aktivitet në Gjirin e Ftelesë, Liqenin e Butrintit, Laguna e Patokut, Laguna Vajin dhe Laguna e Nartës, të cilat pavarësisht se janë zona të mbrojtura, ministria e Mjedisit ka parashikuar të japi leje për akuakulturë intensive peshqish ose midhjesh.

Po ashtu dhe në bregdetin e Ksamilit parashikohet aktivitet, ndërkohë kjo zonë paraqet një interes të madh për turistët vendas dhe të huaj. Ambientalistët i kanë dërguar një letër ministrisë së Mjedisit, ku i kërkojnë sqarime për këtë çështje. “Disa prej koordinatave të vendndodhjes bien ndesh me “Legjislacionin Shqiptar” pasi janë aktivitete që nuk lejohen të zbatohen në Zona të Mbrojtura.

Konkretisht sipas ligjit nr. 8906, datë 06.06.2002 sipas nenit 6, pika 2 paragrafi a, c, ç, e “Për zonat e mbrojtura”, thuhet se aktivitetet që sjellin ndryshime në ekosistem apo përbërjen e biodiversitetit në një zonë të shpallur “Park Kombëtar” nuk lejohen.

Gjithashtu në këtë kategori ndalohen aktivitete të kultivimit intensiv dhe monokultura, ku në thirrjen për konkurim shkruhet qartësisht – Akuakulturë intensive kocë dhe levrek. Pra këtë thirrje për konkurim mund ta shohim si një problem jo vetëm për biodiversitetin por dhe për vetë turizmin”, - thuhet në letrën që “Grupimi Ekolëvizja” i ka dërguar ministrisë së Mjedisit.

Ndërkohë që përgjigja që u ka kthyer Patriot Çobaj, drejtor i Drejtorise se Peshkimit, pranë MMPAU-së, nuk i ka bindur ambientalistët. Ata thonë se kjo është një përgjigje shumë e paqartë, duke u nisur edhe nga fakti se data e tenderit u ndryshua, dhe fituesi i shpallur me datë 4 maj po mbahet shumë sekret, por edhe për faktin se shumë prej koordinatave të vendeve të dhënë në shpalljen për konkurrim, janë evazive që lë vend për dyshime.

“Objektet ujore të shpallura për konkurim publik, për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit dhe/apo të akuakulturës,  janë objekte në të cilat është zhvilluar aktiviteti i peshkimit, aktivitete te cilat po zhvillohen aktualisht dhe që do të vazhdojnë të ushtrohen krejtësisht në formën artizanale apo tradicionale (në rastin e peshkimit) dhe krejtësisht extensive (në rastin e akuakulturës)”, - ka qenë përgjigja që u ka dhënë drejtori Çobaj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.06.2013


Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/porto-palermo-behet-park-peshkimi-ambientalistet-kunder-mediut-160938.html#sthash.BOOKb1Qr.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate