TIRANË, 17 Mars/ATSH -Nikolla Lena/.- Vendi ynë ka shumë gojëdhëna e mite që janë intriguese dhe shpesh të pa shpjegueshme për atë që thonë apo atë që ndodh në natyrë. Edhe legjendat apo përrallat tona nisin me malin, drurin, sidomos me ujin dhe një burim, një kuçedër që zotëron ujin e tij, një trim që e çliron me një bëmë gati të mbi natyrshme.
Por, a duhet menduar edhe për turizmin mitologjik?! Mitologjia është një pasuri kombëtare dhe duhet vlerësuar si e tillë. A ka më rrëfimtarë të zotët që t’i mbajnë gjallë dhe t’i përhapin si objekt i trashëgimisë kulturore,për të përfunduar në një pyetje: A është në axhendën e Ministrisë së Turizmit- Turizmi mitologjik?
Jemi në pranverë ku moti ngrohet dhe lëvizjet në natyrë bëhen të shpeshta.
Në qoftëse do të ngjiteni në malin e Tomorrit, do të dëgjoni shumë gojëdhëna e histori, nga ajo e Dodonës Pellazgjike e deri te Burimi i kuçedrës në shpatet e këtij mali.
Këtë mal e njohim të gjithë, është Olimpi Shqiptar. Edhe këtu ka një debat historianësh-Olimpi ka ekzistuar në trevat parahelene, apo në pellazgjinë Ilire, në Tomorr?!
“Nëse Olimpi, mali i përmendur i Greqisë së vjetër, ka rëndësi historike sot, ca më shumë Tomorri i Shqipërisë duhet të jetë më i përmenduri si selia parahistorike e Perëndive të vjetra të stërgjyshëve tanë Pellazgo-Illyrianë”, thotë historiani Perikli Ikonomi.
Më tej ai shton se: ”Dodona dimërkeqe është mali i Tomorit. Dodonën dimërkeqe e përmend dhe Homeri në librat e tij ku thot se: Aqilehti,(Akili) i çoi aso kohe një përshëndetje Zeusit të Dodonës pelazgjike e i thotë në formë lutje: “O Zot, mbret Dodonas pelazgjik që banon në ato vende të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe…”.
Në Tomorr bën një dimër i keq. Dëbora e mban malin të mbuluar pothuajse gjithë vitin. Mbi atë mal fryn një erë e ftohtë si akullimë. Është një tmerr i vërtetë. Atje gjen dëborë të pashkrirë ndonjëherë.
Banorët e atjeshëm thonë se mali ushton e gjëmon herë pas herë. Ushtima e tij është e tmerrshme dhe përhapet si jehonë, madje thonë se ai gjëmon edhe për së kthjellti. Në këto raste dridhet i gjithë vendi. Kjo është arsyeja që në atë vend njerëzit betohen: “Për atë Mal që vret në të kthjellët”.
Dodona dimërkeqe (dhisqimeros) në malin Tomor, ka pranë lumin Dodon dhe një burim, që bën çudira. Burimi i Dodonës, ka cilësinë që të zbrazeshin ujërat e tij në kohë mesdite dhe të mbushej prapë me ujra deri në mesnatë; kjo farë çudije përsëritej gjithnjë. Thonë se në malin e Dodonës rrjedhin 100 burime.
Dhe vërtetë, atje ka kaq shumë burime dhe nga ujërat e tyre, krijohen dy përrenj të mëdhenj ose dy lumenj: njëri është lumi i Tomorricës dhe tjetri lumi i Zagorës.
Por Tomori ka edhe dy lumenj të tjerë të mëdhenj; Osumin dhe Devollin, emri i këtij të fundit vjen nga fjala latine, Deo-lum- Deoli, prej fjalës Deus-perëndi që do të thotë “lumi i Zotit”.
Një nga burimet e çuditëshme është ai i Sulovës, një burim tepër i thellë e i çuditshëm, pastaj burimi i Lybeshës që ka një ujë të ftohtë si akull, burimi i Vitalenit që gjendet në krye të Tomorrit, Qafa e Dhodhonit dhe që emri i tij ka një shpjegim: vitalis –jetë, Vitalenis- jetëdhënës, burimi me emrin “Konti”, e plot burime të tjera, por edhe burimi çudibërës që ne e quajmë “Burimi i Kuçedrës”.
Ky burim herë sjell ujë dhe herë e ndërpret atë. Mund të të ndodhë që të jesh duke pirë ujë dhe atë çast të shterojë. Për këtë arsye banorët e thërresin me emrin Burimi i kuçedrës, sepse kur kuçedra nuk donte të të jepte ujë e zinte (bllokonte) atë. Ky fenomen ndodh edhe sot e kësaj dite.
Që të gjitha këto tregojnë se burimi çudibërës i kuçedrës është një vend turistikomitologjik që duhet vizituar dhe vende të tilla që jetojnë midis gojëdhënës dhe realitetit, duhen bërë objekt i turizmit tonë.
Historishkruesit e vjetër shkruajnë se fathënësit e Dodonës quheshin Tomuri, fat-thënat e tyre, që duan të thonë: Të mirat ose Të mirët. Prej këtyre fjalëve ka marë emrin dhe mali Tomor, që do të thotë mali i të mirëve ose i të mirave.
Fatthënat quheshin edhe pelje ose pelea. Gjeografi Meletios thotë: Pëllumba (pelje) quheshin gratë e tempullit, të cilat ishin barbare (me gjuhë jo greqishte) dhe dukeshin si zogj ndër të huajt”.
Ndërsa në shënimet e tij, Barthelemy thotë se prej dy pëllumbash të ikur nga Theba e Egjiptit, njëri erdhi në Dodonë të Epirit dhe tjetriqëndroi në Libi të Afrikës. Pëllumbi quhej me emrin Pelje, që në gjuhën e fiseve të vjetra të Epirit do të thotë “plakë”.
Peljet apo plakat përmenden edhe sot e kësaj dite në rrethinat e Tomorit, madje ekziston edhe legjenda e tri plakave, ku njëra prej tyre përfqëson datën 30 mars, e dyta 31 marsin dhe e treta 1 prillin. Në këto tre ditë në gjithë shqiptarët nuk punohej për nder të tyre, madje nuk punohet edhe sot. Jemi nga fundi i muajit mars dhe shpesh pyesim për plakat.
Në faqen jugore të Tomorrit, mbi katundin Bargullas, gjen qafën e Dhodhonit, po në këtë fshat ekziston edhe pllaka e Dodonit, ku nuk mungojnë as burimet me ujë të ftohtë, ndërsa në majën veriore të Tomorrit gjendet çuka e Peljes (peleas), fatthënëseve të orakullit të Dodonës.
Mbi Tomor gjendet edhe një fshat tjetër që ka emrin, Mrakull, apo Mbrakull që do të thotë (mbë)Orakull, (te)Orakulli ose shkoj mbë Orakull. Edhe në këtë fshat janë gjetur statuja të stilit primitiv. Po, mali i Tomorrit është vendi kulindën perënditë pelazgjike dhe duhet konsideruar si një vend i mirfilltë pelegrinazhi jo vetëm religjoz por edhe për turzmin natyror e mistik.
Akili, te lufta me Trojanët, i drejtohet Zotit: “O Zot, mbret Dodonas pelazgjik që banon në ato vende të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe, për rreth teje banojnë Selijtë, Dragomanët (fatthënës) këmbëzbathur e gjumëpërdheas….”. Pra Akili është Kryetar i lapathëve, lapëve( lebërve të sotëm) dhe ai i drejtohet Zeusit të Dodonës dimërkeqe për ndihmë që e kishte vendqëndrimin në Malin e Tomorrit.
Sa shumë mite, sa shumë histori, sa të verteta dhe të pa vërteta enden në këto troje. Sa pak vëmëndje për t’i mësuar e soditur këto bukuri të rralla.
Guidat profesionale me njohës të historisë, mitologjisë dhe dhe infrastruktura, janë disa prej arsyjeve që ky turizëm mjaftë tërheqës dhe bashkëkohor të futet dhe të zhvillohet edhe në Shqipëri,ashtu sikundër zhvillohet në botë.
Ka ardhur koha të mendojmë edhe për turizmin mitologjik.
/f.n/
https://www.ata.gov.al/mitologjia-dhe-turizmi-drejt-saj-sa-e-kemi-vleresuar/
Nessun commento:
Posta un commento