TIRANË, 13 Mars / ATSH-N.Lena /- Me ngrohjen e motit janë shtuar dhe lëvizjet turistike në vendet piktoreske, ku ka filluar dhe gjelbërimi pranveror.
Dje, një grup i madh turistësh të ardhur nga shumë qytete të vendit, vizituan Monumentin e Natyrës ” Pisha e Fushë Kuqes”, e cila ndodhet në fshatin Gjinar, në rrethin e Elbasanit, në lartësinë 920 – 1000 m mbi nivelin e detit.
Gjinari njihet si një vend me një natyrë të bukur dhe të veçantë, por po ashtu njihet edhe si një trevë me një kulturë të hershme. Gjinari, është një zonë turistike jo vetëm pranë Elbasanit, por edhe Tiranës.
Rreth 70 km. rrugë e ndajnë atë nga Tirana dhe ajo është një rrugë mjaft e mirë, e asfaltuar dhe me tabela orientuese për shoferët.
Aty shkojnë jo vetëm elbasanasit, por dhe vizitorë nga Tirana, Durrësi dhe mjaft të huaj vijnë në këtë pikë turistike klimaterike.
Kjo zonë me pishat e larta dhe me ajër të pastër, përbën një dëshirë më vete për ta frekuentuar. Liqenet e vegjël, uji i kthjellët dhe bora në dimër, përbëjnë më tepër se një zonë turistike.
Asfaltimi i rrugës automobilistike ka bërë që kjo zonë dhe ky fshat të futen në zonat më të preferuara turistike të zonës së Elbasanit dhe të Shqipërisë.
Kjo pikë turistike është e frekuentuar gjatë gjithë stinëve të vitit, por më tepër në ditët e nxehta të verës dhe në ato me borë.
Gjinari si pikë turistike, është njohur që në kohën e Zogut, por më shumë në vitet e regjimit socialist, ishte një ndër pikat më të preferuara malore ku ishin ndërthurur bukuritë e natyrës me dëshmitë e historisë së zonës.
E veçanta e Gjinarit është se ai dallon për nga klima dhe resurset e veta natyrore, duke të ofruar një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër. Krahas kënaqësisë, kur shkel në këto anë, një vlerë jashtëzakonisht të madhe ka Gjinari edhe si zonë kurative, sidomos për sëmundjet e mushkërive. Ajri këtu është i pastër e plot oksigjen.
Gjinari dhe zona e Shpatit, veç natyrës së bukur, ka dhe një histori interesante të kulturës dhe traditës sonë. Krahina e Shpatit ka patur lulëzimin e saj më të madh në Mesjetë. Këtë e dëshmojnë jo vetëm numri i madh i objekteve të kultit, por edhe i kujdesit për to.
Kështu kisha e Shën Kollit në Shelcan është pikturuar nga Onufri në vitin 1554.
Piktura të tij ka edhe në kishën e Shënepremtes në Valësh, ku një faqe muri është pikturuar nga Onufri. Në mur, pikturat shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.
Kostandini u martirizua nga forcat osmane me prerje të kokës për idetë e tija përparimtare dhe mëmëdhetare. Veç natyrës dhe historisë, pushuesi gjen në këtë vend edhe qetësinë e humbur në metropole.
Dje në Gjinar, kishte shumë vizitorë të ardhur nga Elbasani, Kavaja, Shkodra, Tirana, grupe të organizuara që vinin me linja të guidave turistike etj.
Një mrekulli natyrore dhe historike pranë Tiranës, që veçon edhe për gastronominë e saj tipike ku në krye qëndron mishi i pjekur, produktet blegtorale dhe bujqësore të zonës, shërbimi i kulturuar dhe qetësia e natyrës.
Gjinari ka natyrë të gjelbër, ajër të pastër, histori, kuriozitete, sporte alpine dhe një gastronomi bio për ta patur zili.
Gjinari është shumë afër dhe udhëtimi është komod./m.m/
https://www.ata.gov.al/dyndje-turistesh-drejt-gjinarit-ne-fundjave/
Nessun commento:
Posta un commento