Berat- Në prag të sezonit turistik,
Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës (DRMK) ka hartuar një plan
masash për pastrimin e të gjithë perimetrit të mureve rrethues të Kalasë
nga mbetjet inerte dhe bimët, që kanë qenë të akumuluara aty prej
vitesh. Ky aksion, i nisur 2-ditë më parë, do të vazhdojë deri në
pastrimin e plotë të Kalasë e më pas do të zhvendoset në lagjet muzeale
“Mangalem” dhe “Goricë”, për pastrimin e tyre. Drejtori i DRMK-së,
Berat, z.Lonik Çuedari është shprehur për gazetën “Telegraf”, se
fadromat janë duke hequr çdo ditë rreth 100 metër kub materiale dhe
inerte të ndryshme, të cilat po dërgohen në pikat e grumbullimit. Sipas
Çuedarit, bashkia duhet të marrë masa të menjëhershme për të vendosur
kontenierë në lagjen “Kala”, pasi ndotja ka ardhur për shkak të mungesës
së pikave të caktuara për hedhjen e mbeturinave nga banorët e kësaj
lagjeje.
Mungesa e fondeve po shkatërron objektet e kultit
Berat- Mungesa e fondeve ka bërë që
shumë objekte të kultit të shkatërrohen dhe më pas të vidhen. Situata
tregon qartë se të gjitha këto objekte kanë mbetur në mëshirë të fatit
edhe pse mbartin vlera të mëdha kulturore dhe muzeale, deri në qindra
vjeçare. Burime nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, bëjnë të ditur
se janë gjithsej 108 monumente kulture, nga këto 72 janë kisha apo
xhami. Të gjitha këto objekte të kultit tashmë janë drejtë shkatërrimeve
madje ato janë vjedhur disa herë nga persona të ndryshëm. Pre e sulmeve
kanë rënë kambanat e kishave në Kozare, Vokopolë, Sinjë dhe Paftan.
Këto objekte të kultit tashmë kanë dhënë alarmin se po shkatërrohen nga
amortizimi i kohës dhe vjedhja nga hajdutët, të cilët prej kohësh i kanë
vënë në shënjestër. Sipas burimeve bëhet e ditur se, kjo gjendje ka
ardhur si pasojë e mungesës së fondeve.
Nessun commento:
Posta un commento