26 aprile 2012

Rama: Turizmi në Shqipëri jo vetëm etnik


Rama: Turizmi në Shqipëri jo vetëm etnik
Transmetuar më 24.04.2012 17:45
 

Tiranë, 24 prill 2012, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po propagandon në mënyrë të shfrenuar rritjen vjetore të turizmit duke dhënë statistika të gënjeshtërta për numrin e turistëve që vizitojnë vendin dhe të ardhurat e përfituara nga turizmi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Duke folur në tryezën për turizmin të grupit të punës pranë Partisë Socialiste, kryetari i PS-së theksoi se ka një mospërputhje shumë të qartë shifrash mes shifrës së numrit të rritur të turistëve dhe shifrës së të ardhurave nga turizmi bazuar në dy burime zyrtare.

“I pari burimi zyrtar i qeverisë së Shqipërisë përmes gojës personalisht të kryeministrit shqiptar që thotë se në vitin 2011 për shembull numri i turistëve është rritur me 550 mijë. Ndërkohë që burimi tjetër zyrtar ai i Bankës së Shqipërisë thotë se pikërisht në vitin 2011 rënia e të ardhurave nga turizmi është 60 milion euro. E, duke shkuar pak më pas në vite, nga viti 2009 në vitin 2011, të ardhurat në ekonomi nga turizmi kanë rënë me 140 milionë euro”, bëri me dije Rama.

Ai akuzoi qeverinë se e ka kthyer në realitet të përditshëm mospërputhjen e realitetit me shifrat zyrtare të qeverisë në të gjitha fushat.

Por, sipas Ramës, shifrat që jep kryeministri për turizmin i kalojnë caqet e të pranueshmes.

Në këtë kontekst, shefi i selisë rozë nënvizoi se turizmi është një fushë për t’u eksploruar me fokus punësimin.

“Deri më sot ne konsiderojmë që kështu siç është konceptuar dhe siç është administruar, turizmi në Shqipëri nuk ka pasur impaktin, që duhet dhe mund të ketë në ekonomi në tërësi dhe në punësim në veçanti. Forma kryesore e turizmit në Shqipëri dihet botërisht është ajo që quhet e rërës dhe detit dhe për pasojë jo pak, por 40% e vizitorëve vijnë në Shqipëri gjatë muajit korrik dhe gusht. Pas vitit ‘90 ndryshimet gjeopolitike kanë krijuar mundësinë që bregdeti shqiptar të kthehet në bregdetin natyral të shqiptarëve kudo ku jetojnë dhe kjo është edhe arsyeja pse 60% e vizitorëve janë, pikërisht, nga trevat ku jetojnë shqiptarët rreth e rrotull nesh. Por, sot është koha për të parafytyruar një transformim rrënjësor në fushën e turizmit dhe për të konceptuar me vizion, me kurajo dhe me kreativitet politika të reja për turizmin, që tërheqin edhe turistë të huaj, pra jo shqiptarë”, tha Rama.

Duke folur për zhvillimin e turizmit të detit dhe rërës, Rama e cilësoi një politikë literalisht të çmendur atë të qeverisë Berisha, që ka futur në burg të gjitha mjetet lundruese.

“Futja praktikisht në burg e të gjitha mjeteve lundruese dhe futja në burg e vetë detit si një faktor themelor në ekonominë e një vendi që njësoj si Shqipëria ka një masë të konsiderueshme dalje në det është një politikë literalisht e çmendur. Ne besojmë që moratoriumi mbi skafet është absolutisht kundër zhvillimit turistik dhe kundër buonsensit në një vend si Shqipëria dhe për një vend si Shqipëria”, tha Rama.

Kreu i PS-së tha se opozita ka kërkuar shfuqizimin e moratoriumit të skafeve, dhe pret që Kuvendi ta votojë këtë propozim.

“Ne nuk besojmë për asnjë sekondë të vetme se kostoja e jashtëzakonshme në ekonomi e bllokimit të detit për mjetet lundruese dhe këtu flasim për një tërësi mjetesh lundruese, ja vlen një ndërmarrje e tillë ligjore që ka vetëm pasoja në ekonomi dhe në zhvillimin e turizmit dhe nuk ka absolutisht as një të mirë, as edhe atë të mirën që propagandohet si sukses të bllokimit të trafiqeve sepse shteti duhet të jetë në gjendje që të garantojë rendin ligjor në tokë dhe në det”, u shpreh Rama.

Rama përmendi këtu se krahas degradimit të territorit të vendit dhe shfrytëzimit në mënyrë barbare të pasurive, një problem i madh mbetet ndotja e vendit, i mbytur nga plehrat në të katër anët.

Kryesocialisti iu referua 20 Prillit, ditës për Shqipërinë e pastër, duke nënvizuar se “Në fakt maksimumi që bëri shiu atë ditë, është që lau kryeministrin, sepse më shumë s’kishte ç’të bënte as shiu në një territor ku gjendja e plehrave ka dalë tërësisht jashtë kontrollit”.

Kryetari i PS-së gjatë fjalës së tij në tryezën për turizmin solli disa statistika mbi turizmin shqiptar në vite.

Edi Rama theksoi se ofertat turistike për të vizituar monumentet e natyrës shqiptare nuk duhet të jenë vetëm për turizmin etnik, por të zgjerohen edhe për të huajt, pasi sipas tij vetëm kështu të ardhurat nga turizmi do ta kthenin turizmin në industri tejet me rëndësi për vendin.

“Dhe për të pretenduar një ofertë turistike jo vetëm për turizmin etnik, pra për shqiptarët që jetojnë në trevat rreth e rrotull, por për turistë të huaj, që përballë një informacioni të  mirëorganizuar, mbështetur në një inventar shumë rigoroz të gjithë këtyre pasurive, do të ishim shumë herë më tepër të tunduar që ta ndërmerrnin udhëtimin drejt Shqipërisë dhe nuk do kishim më pastaj ato mospërputhjet qesharake të shifrave, por do kishim rritje reale të numrit dhe rritje reale në progresion të të ardhurave sepse do të hynte i gjithë turizmi si industri”, sqaroi Rama.

mit/noa.al

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate