22 marzo 2016

Shpallet zona e mbrojtur e Linit, Pogradec “Rrënojave të Kishës Paleokristiane dhe Mozaikët”


Lini
NGA FATMIRA NIKOLLI*
Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, zonën e mbrojtur të “Rrënojave të Kishës Paleokristiane dhe Mozaikët”, Lin, Pogradec. Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” ka sjellë në vëmendje fshatin Lin, duke propozuar zonën e mbrojtur rreth “Rrënojave të Kishës Paleokristiane dhe Mozaikët”, Monument i Kategorisë I. Bazilika Paleokristiane e Linit ndodhet në pjesën perëndimore të Kepit të Linit dhe përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë së Shqipërisë. Struktura është e dekoruar me mozaikë shumëngjyrësh me motive floreale, gjeometrike, tipike të periudhës paleokristiane. Gërmimet arkeologjike dhe të dhënat numizmatike mbështesin datimin e bazilikës dhe të dyshemesë me mozaik në shek. V – VI. Mozaikët polikrom dhe materiali i pasur arkeologjik, e bëjnë kishën të cilësohet si një nga monumentet më të bukura dhe më interesante në territorin e Shqipërisë.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, është diskutuar për t’u futur në mbrojtje i gjithë fshati Lin. Megjithatë, është rënë dakord që fshati pavarësisht vlerave që ka në pikëpamjen e thurjes urbane dhe në disa shtëpi karakteristike të shënuara arkitekturore, nuk mund të futet i gjithi në mbrojtje, pasi për ta bërë këtë kërkohet më parë një studim paraprak për vetë fshatin.
Ndërsa kjo do ti mbetet të ardhmes, përcaktimi i zonës së mbrojtur, nuk do të lejojë që Lini të shndërrohet nga veprimtari ndërtimore me karakter civil ose industrial. Gadishulli mbi të cilin ndodhet Kisha Paleokristiane e Linit u vu në mbrojtje në tërësi: Jo vetëm territori rrotull kishës, por e gjithë pjesa e pandërtuar (e padëmtuar) e liqenit deri tek vija e ujit duke siguruar jo vetëm mbrojtjen e monumentit, por edhe të peizazhit historik e kontekstit mjedisor ku ndodhet.
Tashmë mund të thuhet se në këtë pikëpamje nga sot, imazhi shekullor i atij shkëmbi mbi liqen, me monumentin majë tij, nuk do të lejohet të ndryshojë, duke shënuar një landmark të natyrës shqiptare dhe historisë së saj.
“Mozaiku, u zbulua nga gërmimet në vitin 1969 që janë bërë në Lin të Pogradecit. Gërmimet treguan për një vendbanim ilir, që i përket epokës së hekurit dhe vijnë deri në mesjetën e hershme. Nga mozaikët e zbuluar në këtë vend, bie në sy pasuria nga një dekor i larmishëm zoomorf, bimor e gjeometrik, me vlera të shquara artistike. Mozaikët nga ana artistike ngjajnë me stilin e një treve të gjerë ballkanike, që përfshinte qytete si Dyrrahu, Stobi, Tesaloniku, etj”, (Wikipedia). Gazetari i “The Guardian”, Kevin Rushby, i cili pak kohë më parë ka vizituar Shqipërinë, mahnitet nga Liqeni i Ohrit dhe në fund nga fshati i vogël Lin. “Shtëpitë janë të stolisura me lule, plakat me të zeza të ulura në hije dhe fëmijët që lozin jashtë me varka. Siç i themi njëri- tjetrit ‘do të ishte mirë të qëndronim në një prej këtyre shtëpive’, një grua e re na mirëpret në anglisht: “Doni të qëndroni në shtëpinë time?’, shkruan Kevin, duke përmendur edhe koranin e famshëm.
(m.k/GSH/BalkanWebhttp://www.balkanweb.com/site/shpallet-zona-e-mbrojtur-e-linit/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate