TIRANË, 15 Mars / ATSH- N. Lena/.- Muzeu i Apollonisë është pa dyshim muzeu më i mirë arkeologjik dhe më interesanti që ka Shqipëria dhe po ashtu edhe një ndër më të vizituarit.
Muzeu është organizuar në manastirin e vjetër të Apollonisë. Së bashku me kishën, trapezarinë dhe kambanaren, formojnë një ansambël shumë të këndshëm për vizitorët. Aty je në një qetësi mbreslënëse të së kaluarës së largët.
Veç busteve e statujave të shumta, pllakave gurore, amforave, thikave dhe shpatave të lashta, aty ka dhe një relike më të afërt në kohë, është edhe dhoma muze ku Jakov Xoxe shkroi “Lumin e vdekur”, romanin e famshëm ku përmblidhet jeta dhe qëndresa e njeriut myzeqar.
Muzeu mbart vlera të rralla të lashtësisë. Prandaj dhe prurjet turistike në këtë muze janë të shumta. Por duke e vizituar këtë muze kujtojmë dhe punën e palodhur të restauratorëve të shquar shqiptarë që vunë mendjen dhe profesionalizmin e tyre në restaurimin dhe modelimin e tij në një sallë të vërtetë muzeale. Aty kanë punuar restauratorë të shquar si Spiro Koçi, pionier i restaurimeve në Shqiperi që në vitin 1957, Namik Bodinaku, më vonë Sotir Kosta dhe Hatixhe Simo. Objektet e restauruara nga ata janë aty, në vitrinat e ekspozitave, ndërsa restauratorët qëndrojnë si heronj të heshtur prapa tyre, duke na dhënë një kënaqësi estetike tepër të lartë pasi e shohim historinë ashtu si ajo ka qenë para mijërave vitesh.
Më vonë, nga punimet në terren gati me mjete rrethanore dhe pa kushte të përshtatshme, u ngrit laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë të Institutit të Kulturës Popullore. Në këtë laborator punuan restauratorë të mirëfilltë shkencorë me metoda dhe mjete bashkëkohore që rindërtuan mjaft objekte të dëmtuara, por që sot duken si në ditën e krijimit të tyre.
Një ndër këta mjeshtra të restaurimit është dhe Frederik Stamati. Aty u bë restaurimi i qeramikës për herë të parë në vitet 2000-2005 me mjete dhe kimikate moderne. Po kështu u veprua edhe me objektet metalike, sidomos me ata prej bronzi.
Ndërhyrjet rregulluese që u bënë në ndërtesën e muzeut arkeologjik të Apolonisë disa vjet më parë, mundësuan edhe kushte më të mira për ekspozimin e objekteve, por edhe për vizitorët. Stafi i sotëm i punonjësve të Parkut të Apollonisë ka bërë që ky muze të jetë tepër i vizitueshëm nga të huajt. E veçantë është sidomos ekspozimi në trapezarinë e kishës të shumë skulpturave, duke i dhënë asaj një vlerësim edhe më kulturor, natyrisht edhe skulpturave të ekspozuara aty.
Apolonia është një nga qytetet antike më të vizituara në vendin tonë. Prapa objeketeve që shohim sot në atë gjendje mirëfilli të restauruara e të mirëmbajtura, qëndrojnë dhe punonjësit tanë specialistë në fushën e restaurimit./m.mhttp://www.ata.gov.al/muzeu-arkeologjik-i-apollonise-dhe-restauratoret-qe-fshihen-pas-tij-387171.html
Nessun commento:
Posta un commento