
Boga ndodhet rreth 18 km më në veri të fshatit Dedaj, qendrës së komunës Shkrel. E vendosur në një luginë 950 m mbi nivelin e detit, i rrethuar nga Alpet. Bukuria, pasuritë natyrore dhe kulturore të këtij fshati u lënë mbresa çdo vizitori. Shumë studiues apo kalimtar të huaj kanë shkruar për të, një nga të cilët është anglezja Mary Edith Durham, që e përmend këtë fshat në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Inxhinieri italian Piero Ghiglione, që vizitoi Bogën në vitet 1942, e quan atë “kryevendi” përsa i takon ngjitjeve në mal.
Sipas gojëdhënave Boga ishte emri i djalit të dytë të parit të Kelmendit. Nga djali i dytë rrodhi fisi i vogël i Bogës, i cili bënte pjesë në Fisin e Kelmendasve. Deri në shekullin e XVII ky fshat ka qenë pjesë e Kelmendit, duke qenë një ndër katër bajraqet e tij. Në trojet e Bogës janë gjetur dëshmi arkeologjike të vendbanimeve të hershme Ilire të shek. II-III. Shpella e Madhe, afër qendrës së banuar, është një dëshmi e hershmërisë së jetës në Bogë.
Lugina e këtij fshati fillon me Përroin e thatë në Grykë të Lugjeve dhe përfundon në Qafë T’thore në lartësinë 1700 m. Boga rrethohet nga male të larta, si Mali i Livadhit me 2494 m, ku ndodhet dhe bjeshka më e bukur e Bogës, Mali i Rrabësme 2222 m lartësi dhe Mali i Bridashit me 2128 m lartësi. Këto male përveç se ia shtojnë bukurinë këtij fshati përbëjnëitinerare interesante për ngjitje malore si dhe mundësojnë lidhjen me fshatra të tjerë të Kelmendit.
Në malet e veshura me masive pyjesh drunore të ahut dhe pishave gjenden shumë bimë mjekësore.
Boga është vendi ideal për amatorët dhe profesionistët e speleologjisë. Këtu gjendet shpella të shumta të çmuara ndërkombëtarisht për vlerat e tyre. Përmendim këtu, Shpellën e Pucit, Shpellën e Cilikokajve e eksploruar deri tani në thellësinë rreth 505 m, Pusi i Gjek Markut, më i thelli i eksploruar në Shqipëri ku gjendet akulli fosil, Shpella e Akullores,Shpella e Mullinit, Shpella e Livadhit Bogës, Shpella e Husit, Shpella e Njerëzve të Lagur etj.
Boga ka burime uji të mrekullueshme si kroni i Bogës dhe burimet e ujit Ogovan.

Nessun commento:
Posta un commento