01 aprile 2016

Qeveritë ndërrohen, Trashëgimia Kulturore është e pakthyeshme


APOLONIA
NGA ERJON TASE
TIRANE- Udhëzimi i publikuar ditët e fundit për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të Kulturës ka rikthyer në vëmendje një problem të përsëritur në Ministrinë e Kulturës. Pavarësisht reagimit publik të ministres Kumbaro për të qetësuar ujërat, mbeten ende disa çështje, të cilave ajo nuk u ka dhënë përgjigje dhe ngjallin shqetësim për fatin e mëtejshëm të monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe historike. Së pari, udhëzimi i Ministrisë së Kulturës është bërë në mungesë të plotë transparence, duke mos përfshirë grupet e interesit, por mesa duket edhe ekspertizën e vetë institucioneve të tjera publike.
Meqenëse ministrja Kumbaro gjen shembuj mbi këtë udhëzim nga vendet evropiane, ndoshta duhet të zbatojë këto praktika të mira edhe përsa i përket detyrimit të konsultimit publik gjatë hartimit të legjislacionit dhe akteve nënligjore. Bashkimi Evropian, ku kemi marrë tashmë statusin e vendit kandidat dhe Këshilli i Evropës, pjesë të cilit jemi, e kanë zyrtarizuar prej vitesh detyrimin e konsultimit publik gjatë procesit legjislativ nëpërmjet manualit të “Kritereve të përgjithshme dhe standardeve minimale të konsultimit të grupeve të interesuara” ( ) si dhe “Kodi i praktikës së mirë për pjesëmarrjen civile në procesin e vendimmarrjes” ( ). Në rastin e udhëzimit të ministres Kumbaro nuk ka pasur asnjë informim paraprak, edhe pse dihej se sa reagim qytetar kishin shkaktuar vendimet e paraardhësve të saj gjatë qeverisë “Berisha”.
Duke ditur këtë situatë, dhe nëse do të dëshironte të evitonte ato që i cilëson si “keqkuptime fejsbuku”, Ministria e Kulturës duhet detyrimisht të hapte një diskutim të gjerë me të gjithë aktorët dhe shoqërinë civile. Së dyti, përvoja e deritanishme ka treguar se këto modele partneriteti me privatët nuk kanë qenë pozitive. Rasti i kalasë së Petrelës dhe asaj të Lëkurësit kanë qenë prova më e mirë se deri ku mund të arrijë babëzia e privatëve dhe mungesa e një kontrolli profesional nga institucionet shtetërore. Gjatë këtyre dy viteve të fundit, të njëjtin dështim dhe pafuqishmëri për të menaxhuar këto kontrata me privatët kanë dëshmuar për fat të keq edhe institucionet që drejtohen nga zonja Kumbaro. Si rrjedhojë, këto institucione publike (Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare apo edhe Bashkitë, si administruese të territorit nuk e zotërojnë ende ekspertizën profesionale dhe besueshmërinë e duhur se do menaxhojnë më mirë në një të ardhme të afërt këto kontrata qiraje me privatët.
Si rrjedhojë, përpara se të biem sërish në gabimet e së kaluarës në shfrytëzimin e monumenteve, duhet të siguroheshim se janë ndërtuar strukturat e duhura me integritet profesional dhe përgjegjësi morale e ligjore për të mbrojtur monumentet e trashëgimisë sonë kulturore e historike. Ministria e Kulturës duhet të kishte përgatitur terrenin e duhur për formimin e menaxhuesve publikë dhe krijimin e strukturave kontrolluese publike të këtyre partneriteteve me privatin, përpara se një tjetër monument të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi garancitë e duhura se fati i kalave e monumenteve të tjera me qira do të jetë më i sigurt në duart e privatëve se të atyre që janë mandatuar nga ne apo paguhen nga taksat tona.
Do të kemi më tepër garanci se trashëgimia historike e shqiptarëve nuk do të varet nga emri i ministrit në detyrë, drejtimit politik të privatit, që e menaxhon objektin apo edhe muskujt e krimit të organizuar, që nuk ka kursyer edhe këtë sektor. Ashtu siç i pëlqen të përsërisë shpesh edhe kryeministrit Rama, duhet të krijohet sistemi i duhur që njerëzit të mos rrëshqasin nga rruga e drejtë. Me këtë nxitim të Ministrisë së Kulturës për të ftuar privatët në menaxhimin e monumenteve, është harruar mesa duket të forcohet sistemi, i cili do të kontrollojë njerëzit që të mos dalin nga hullia e duhur. Për fat të keq, ministrat dhe qeveritë mund të ndryshohen, ndërsa trashëgimia është e pakthyeshme.
* (Përgatitur në kuadër të diskutimeve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore)
Udhëzuesi i Kritereve të përgjithshme dhe standarteve minimale të konsultimit të grupeve të interesuara – Komisioni Evropian, 2003 – http:/ /eur-lex.europa.eu/legalcontent/ EN/ALL/ ?uri=CELEX:52002DC0704
Kodi i praktikës së mirë për pjesëmarrjen civile në procesin e vendimmarrjes – Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, 2009 – http:/www.coe.int/en/ëeb/ ingo/civil-participation
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWebhttp://www.balkanweb.com/site/qeverite-nderrohen-trashegimia-eshte-e-pakthyeshme/


Ekspertët vënë në dyshim planet e qeverisë për të dhënë me qira kështjellat

kalaja

Një vendim i qeverisë për të dhënë me qira objektet e trashëgimisë kulturore te sektori privat ka shqetësuar ekspertët, të cilët kanë frikë se monumentet historike do të dëmtohen dhe do të zhvishen nga identitetet e tyre.
Plani i Ministrisë së Kulturës në Shqipëri për të dhënë me koncesion me afat deri 20 vjet monumentet e ndryshme të kulturës ka shkaktuar debat të ashpër mbi rrezikun e dëmtimit të objekteve historike.
Disa ekspertë të trashëgimisë kulturore thonë se vendimi nuk është transparent dhe është marrë pa debatin e duhur. Ata kanë frikë se dhënia me qira mund t’i dëmtojë monumentet, siç ka ndodhur në të shkuarën.
Dhënia me qira e kështjellës mesjetare të Petrelës në Tiranë dhe Lëkursit në Sarandë në fillim të viteve 2000 u cituan si shembull i keq i partneritetit publik-privat, i cili ka sjellë dëmtim të trashëgimisë kulturore dhe historisë.
Auron Tare, një ekspert mbi trashëgiminë dhe anëtar i Bordit Shkencor Këshillues i UNESCO, i tha BIRN se monumentet shqiptare nuk duhet të pësojnë fatin e Petrelës dhe Lëkursit.
“Ato nuk janë më kështjella, por vetëm restorante. Askush nuk mund të mësojë nga historia e tyre nëse i vizitojnë tani,” tha ai.
Gjithsesi, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se vendimi pasoi një studim dyvjeçar të situatës së monumenteve në Shqipëri.
“Partneriteti publik-privat është një nga mënyrat për të administruar asetet kulturore… dhe vendimi ynë mbi këtë çështje është më i kujdesshëm se sa ato të ministrave të mëparshëm,” argumentoi Kumbaro.
Tare tha se ai nuk qe kundër partneritetit publik-privat për monumentet e kulturës në parim, por sipas mendimit të tij, Shqipëria nuk është ende gati për diçka të tillë.
“Vendi ende nuk ka praktika të mira dhe mekanizmat e kontrollit shtetëror mbi sektorin privat janë shumë të dobëta. Ne nuk kemi gjithashtu kompani private me eksperiencë në restaurimin e monumenteve,” tha Tare.
“Është e rëndësishme që të kemi një debat të hapur mbi këtë çështje që përfshin organizmat e turizmit, të tilla si stimulimi i turizmit përmes këtyre iniciativave. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë humbjen e identiteteve historike të këtyre monumenteve,” tha Tare.
Ai tha se do të qe më mirë që disa nga këto monumente të rrezikuara dhe të neglizhuara t’i rikthehen bashkësive fetare që i kanë ndërtuar.
“Bashkësitë fetare kanë të drejtën t’i administrojnë ato. Parapëlqej që këto objekte t’i jepen bashkësive fetare para se t’i kalohen menaxhimit privat,” tha ai.
Vasil Tole, kreu i grupit të punës i cili përgatiti ligjin për Trashëgiminë Kulturore më 2013, i tha BIRN se prioriteti është ruajtja e monumenteve dhe jo ndihma për bizneset private.
Ai tha se një listë e plotë e objekteve që kanë nevojë për restaurime duhet të hartohet para se të merret vendim për dhënien e tyre me qira.
“Përveç një liste të plotë të monumenteve, ne kemi nevojë të qartësojmë se çfarë llojesh biznesi mund të lejohen të marrin me qira monumentet – dhe të kufizojmë të tjerët që nuk duhet,” tha Tole.
Deri tani, vendimi i Ministrisë së Kulturës nuk specifikon se cilat monumente kanë nevojë për restaurim, apo se çfarë llojesh biznesi do të lejohet t’i marrin ato me qira.
Më 2014, ministria e drejtuar nga Mirela Kumbaro anuloi një vendim të dhënë nga qeveria e qendrës së djathtë të udhëhequr nga Sali Berisha për të dhënë me qira kalanë e Lezhës, një nga monumentet më të rëndësishme në vend. Vendimi për ta dhënë me qira qe i pabazuar në ligj dhe qe kryer në shkelje të procedurave, tha ministria.
(d.b/BIRN/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate