10 aprile 2016

Glikotë artizanale i ëmbëlsojnë vizitën turistëve në Berat, albania


REPORTAZH1 Mar 2016

Në rrugicat e ngushta me kalldrëm të lagjes Mangalem, tradita e prodhimit të glikove, e trashëguar brez pas brezi, tërheq vizitorët e huaj që kërkojnë një kujtim të ëmbël nga qyteti i një mbi një dritareve.

Autor: Erjola Azizolli  BIRN  Berat
Margarita Guxhumani. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Margarita Guxhumani. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Shtëpia shekullore e familjes Guxhumani në lagjen Mangalem të Beratit prej vitesh është kthyer në një destinacion për turistët e huaj që vizitojnë qytetin. E ndërtuar me elementë guri dhe druri, shtëpia mbart vlera arkitekturore muzeale. Po aq e vjetër sa dhe vetë shtëpia është dhe tradita e prodhimit të glikove në këtë familje, e cila mbahet gjallë nga e zonja e shtëpisë.
“Unë dija të bëja gliko në familjen time si çdo vajzë tjetër, por kur erdha në familjen e bashkshortit tim, gjeta një traditë të hershme,” kujton 73-vjeçarja Margarita Guxhumani.
“Vjehrra ime, Polikseni Guxhumani, [dhe më parë] vjehrra e saj kanë prodhuar gliko prej shumë vitesh sepse e konsideronin si ëmbëlsirën që nuk duhet të mungonte në një banesë orthodokse në raste festash, kryesisht kur festonim ditët e shënuara të emrit të çdo pjesëtari të familjes,” shton ajo.
Sipas Zyrë së Turizmit, pranë bashkisë së Beratit vitin e kaluar këtë qytet e kanë vizituar 60,379 vizitorë ose 42 për qind më shumë se një vit më parë.
Marjus Qytyku, specialist i trashëgimisë dhe artit në bashkinë Berat, thotë se artizanati mbetet pjesë e pandashme e ofertës turistike të qytetit 2400 vjeçar.
“Në Berat, duke përfshirë punimet me gurin, drurin, qëndisjet, metalet, glikotë si në rastin e zonjës Guxhumani janë mbi 30 artizanë aktivë,” thotë Qytyku. “Zonja Margarita është pjesë aktive e artizanëve, ajo ka marrë pjesë në disa projekte dhe aktivitete që janë organizuar nga Bashkia, Shoqata e Artizanëve dhe institucione të tjera,” shtoi ai.
Gjatë periudhës së komunizmit, kur Margarita punonte në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimit, ajo prodhonte gliko për familjen dhe për shoqet e punës. Pas rënies së regjimit në vitin 1991 dhe daljen në pension të parakohshëm; prodhimi i glikove do të kthehej në profesionin e saj primar. Prej 25-vitesh, me duart e saj ajo prodhon gliko me çdo frut dhe perim të mundshëm duke ngacmuar qiellzën e vizitorëve të huaj dhe vendas.
Margaritës nuk i pëlqen që të flasë shumë për punën e prodhimit të glikove, duke u shprehur se në “Mangalem” të gjitha zonjat në shtëpitë e tyre i bëjnë me merak, por jo të gjithë e dinë që sot 21 llojet e glikove që Margarita prodhon, kanë gjetur rrugën në skajet më të largëta të botës.
“Kur nisën të largoheshin në emigrim, banorët e parë të lagjes, familjarët, kur njerëzit po shkonin drejt Greqisë apo Italisë, kërkonin që të merrnin me vete dhe nga një vazo gliko,” thotë Margarita.
Kështu ka nisur puna që glikotë e saj të kalojnë kufijtë.  Dhe nuk janë pak, por plot 21 lloje glikosh që nga arra, qershia, kajsia, patëllxhani, fiku, speci, trëndafili, thana, ftoi, portokalli, mandarina, shalqiri, karrota, rrushi, lulet e portokallit, qitro, nerënx, etj., që Margarita i prodhon sot në shtëpinë e saj dhe i shet brenda dhe jashtë vendit.
Glikotë në guidën e Beratit të “përjetshëm”
Përveçse pjesë aktive e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia dhe Shoqata e Artizanëve, glikotë e prodhuara nga zonja Guxhumani janë bërë gjithashtu pjesë të guidës turistike ‘Berat Eternal Experience’ [Berati një eksperiencë e përjetshme], të prodhuar nga Albania Rafting Group.
“Guida synon t’i shtojë vlerat produkteve të ndryshme tradicionale të Beratit, të cilat do promovohen për turistët vendas dhe të huaj,” thotë Blerina Ago, zëvendës presidentja e Albania Rafting Group.
“Gjithashtu, do t’i ndihmojë artizanët vendas të prodhojnë dhe shesin më shumë produkteve interesante për turistët, duke ruajtur në të njëjtën kohë nga një brez në tjetrin artizanatin e lashtë,” shton ajo.
Eksperienca shumë vjeçare me klientë nga vende të ndryshme ka bërë që Margarita të mësojë dhe shijet e tyre. Ajo e di sot se çfarë glikoje pëlqen një vizitor gjerman, se cilat janë shijet e një vizitori Italian, dhe të çdo vizitori të huaj që shkel në banesën e saj.
“Ky është vendi im i punës; kjo shtëpi e trashëguar në breza, ku sot turistët vijnë dhe kanë dëgjuar për glikotë e mia dhe ndalen të shijojnë dhe të blejnë,” thotë Margarita.
“Glikoja është art, është e bukur në ngjyra dhe forma, duhet bërë me shumë kujdes dhe dashuri jo në masa të mëdha, sepse ndryshe quhet reçel,” shton ajo.
E dashuruar me “artin” e saj siç e quan ajo prodhimin e glikove, Margarita tregon se nuk i kanë munguar dhe ofertat ndër vite për të punuar në ndërmarrje private prodhimi, por ajo shprehet se glikoja artizanale e prodhuar në shtëpi është tjetër gjë dhe nuk mund të prodhohet me të njëjtën cilësi dhe shije në ndërmarrje, ku kapacitetet janë të mëdha.
Në pjatën që ajo të shërben në shtëpinë e saj ka tre lloje glikosh në ngjyra dhe forma të ndryshme, por që janë në harmoni me njëra tjetrën. Glikoja ka shije dhe aromë dhe shoqërohet me një pije të lehtë prodhuar po prej duarve të Margaritës dhe me një gotë ujë. Pikërisht, kjo servirje dhe padyshim shija tërheqin çdo ditë dhe më shumë vëmendjen e vizitorëve që ndërsa shkelin në lagjen “Mangalem” nuk mund të largohen pa shijuar dhe një gliko.
Ana Dolidze është një franceze e dashuruar me qytetin e Beratit por edhe me glikotë. Në vizitën e saj në këtë qytet ajo ka bërë pjesë të guidës në lagjen “Mangalem” dhe shtëpinë e Margaritës.
“Kisha dëgjuar për këtë qytet nga miqtë e mi dhe kur erdha këtu doja të prekja gjithçka nga afër,” tha ajo.
“Jam mahnitur nga lagja muzeale, por dhe nga ajo shtëpi e bukur e zonjës Margarita, ku shijova glikon e prodhuar nga duart e saj, e cila kishte një shije të mrekullueshme,” shtoi Dolidze.
Lloje të ndryshme glikosh të servirura në shtëpinë e Margarita-Guxhumanit në lagjen Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Lloje të ndryshme glikosh të servirura në shtëpinë e Margarita-Guxhumanit në lagjen Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Lloje të ndryshme glikosh të prodhuara në kushtet e shtëpisë nga Margarita-Guxhumani në lagjen Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Lloje të ndryshme glikosh të prodhuara në kushtet e shtëpisë nga Margarita-Guxhumani në lagjen Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Një dhomë në shtëpinë muzeale të familjes Guxhumani në lagjen Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Një dhomë në shtëpinë muzeale të familjes Guxhumani në lagjen Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Pamje e përgjithshme e lagjes Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRN
Pamje e përgjithshme e lagjes Mangalem të Beratit. Foto: Erjola Azizolli/BIRNhttp://www.reporter.al/glikote-artizanale-i-embelsojne-viziten-turisteve-ne-berat/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate