TIRANË,18 Prill / ATSH- N.Lena/ – 18 Prilli është është caktuar si Dita ndërkombëtare e Monumenteve dhe Vendbanimeve historike (International Day for Monuments and Sites)
Gjatë një mbledhje në Tunizi, më 18 prill 1982, ICOMOS (International Council on Monuments and Sites – Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike) krijoi ditën ndërkombëtare të monumenteve dhe vendbanimeve historike (International Day for Monuments and Sites).
Në nëntor 1983 Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandonte shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.
Ndërsa shumë vende dhe rajone kanë krijuar ditët e tyre të trashëgimisë, të tilla si Ditët e Trashëgimisë Evropiane (European Heritage days) që përkujtohen çdo vit në muajin shtator.
Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.
Çdo vit një numër gjithnjë e në rritje i Komiteteve Kombëtare të ICOMOS-it në gjithë botën organizojnë aktivitete me rastin e 18 prillit.
Shqipëria është e pasur në monumente dhe vendbanime historike, por kujdesi ndaj tyre le për të dëshiruar. Shumë syresh janë dëmtuar rëndë ose janë grabitur. Monumente të trashëgimisë kulturore të dëmtuara apo të keqpërdorura I gjen dhe rreth Tiranës.
Duke konsideruar që Tirana së bashku me rrethinat e saj tërheqin numrin më të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj, kujdesi ndaj vendbanimeve historike, monumenteve të kulturës duhet të jetë i lartë. Një nga këto është dhe Kalaja e Petrelës e ndodhur fare pranë kryeqytetit dhe që vizitohet gati çdo ditë nga kuriozët dhe ata që kërkojnë të kalojnë disa orë ndryshe nga ajri i rëndë i Tiranës, por më e vizitueshme kjo kështjellë bëhet në fundjavë. Ditën e djeshme drejt saj u ngjitën me qindra vizitorë aq më tepër që në sheshin e komunës Petrelë, ishte organizuar dhe një festë në prag sezonin turistik ku qytetarë dhe artistë të zonës i kishin dhënë një tjetër ngjyrim ditës.
Organizatorët vendas ishin kujdesur që të çelnin dhe një panair me produkte bujqësore dhe blegtorale të vendit, por mbi të gjitha dominonin punimet artizanale të krahinës. Ky ishte një tjetër motiv që vizitorët të ngjiteshin drejtë kështjellës mesjetare.
Kalaja e Petrelës, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pasKrishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë.
Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. U ngrit kryesisht për qëllime ushtarake.
Kalaja e Petrelës kontrollonte rrugën Egnatia, dega Durrës–Tiranë–Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë. Në fillim të shek. XIV-të ishte nën sundimin e Topiajve, në atë kohë zotërues midis Matit e Shkumbinit, në një faqe të murit ruhet dhe emblema e parë e Topiajve. Po, tashmë kjo kështjellë me një histori të veçantë është kthyer në një kafene të zakonshme ku në vend të relikeve historike, gjen objekte të kohës, çadra dielli me reklama pijesh moderne, deformim gati deri në prishje të ambientit të brendshëm, të mureve të saj rrethues dhe mbi të gjitha për të ardhur keq është katandisur stereja e grumbullimit të ujit.
Ajo është një vepër arkitekturore dhe e inxhinierisë kimike e pa arritshme edhe sot. Uji i shiut duhej të grumbullohej aty e të ruhej për shumë ditë e mbase dhe vite e të mos prishej. Ajo është një objekt muzeal i rëndësishëm për historinë dhe arkitekturën. Sot ajo është katandisur në një pus të zakonshëm mbuluar me dërrasa të kalbura e izoluar dhe e veçuar pa mundësi për ta vizituar. Më bënë përshtypje dje në këtë kështjellë, disa turistë gjerman.
I shoqëronte një djalë i ri dhe ata pyesnin për kështjellën dhe historinë e saj. Djali fliste në përgjithësi, shpesh herë me deformime dhe shmangte pyetjet. Në kështjellë mungonte një cicerone i vërtetë dhe kompetent. Pronari tashmë i kësaj kalaje apo edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, duhet të mendojnë edhe për këtë. Kemi vlerat tona historike dhe nuk dimë ti shesim, nuk dimë ti reklamojmë. Pash që turistët gjerman nuk u kënaqën me shpjegimet amatoreske të qytetarëve të rastësishëm në këtë monument historik jo të rastësishëm, por që tregon historinë tonë.
Ata u larguan pa pirë asgjë nga shërbimi i atyshëm, u largova dhe unë pasi piva një kafe fshati.
Natyra e bukur, peizazhi, vendi historik,vet hija e saj e rëndë dhe historia që mbart, të emocionon ndërsa përkushtimi ose më mirë detyrimi për ta mirëmbajtur atë, le për të dëshiruar. /a.ghttp://www.ata.gov.al/dita-nderkombetare-e-monumenteve-dhe-kujdesi-ndaj-tyre/
Nessun commento:
Posta un commento