10 novembre 2014

Turizmi i aventurës- Një udhëtim në “Koloradot” shqiptare…

  • Turizmi i aventurës- Një udhëtim në “Koloradot” shqiptare…
- Intervistë për ATSH-në e Blerina Agos, zv/presidente e Albania Rafting Group –
raftingTIRANË, 6 Nëntor/ATSH-Maela Marini/.- Mirësevini në “Koloradot” shqiptare…Një udhëtim në Disney Land-in e natyrës që do t’ju bëjë të ndiheni sikur jeni në xhirimet e filmit Avatar… Kështu të paktën e kanë cilësuar turistët e huaj eksperiencën e rafting në kanionet shqiptare.
Turizmi i aventurës, vjen përmes një interviste me Blerina Agon, zv/presidente e Albania Rafting Group, si një mundësi eksplorimi virtual, për të gjithë ata që ende nuk e kanë marrë guximin të provojnë adrenalinën e një udhëtimi real në kanionet shqiptare.
Dhe mos u trembni…Të bësh rafting në Shqipëri nuk është një sport ekstrem. Për shkak të nivelit të vështirësisë që paraqesin kanionet, në Shqipëri bëhet rafting-turizëm dhe jo rafting ekstrem.
rafting 1Rafting promovohet jo vetëm në vend, por është përzgjedhur edhe si aktiviteti që përfaqëson Ballkanin Perëndimor se fundmi nga National Geografic “Ballkani Përëndimor – Toka e Zbulimit”. (shikoni videon për më tepër) http://www.youtube.com/watch?v=J9zA0sZ2Yok
Gjithashtu media të shkruara prestigjioze si Lonely Planet, Yahoo Traveler, Balkan Insight e media vizive të Italisë, Polonisë, Gjermanisë, Çekisë, Kosovës, Maqedonisë dhe ato online etj sugjerojnë rafting në Shqipëri si një nga aktivitetet kryesore që duhet bërë gjatë pushimeve. (shikoni videon për më tepër) http://www.youtube.com/watch?v=NzJh6ikbDKQ
“Potenciali këtu është i pashfrytëzuar dhe i pafund,” thotë Chris Doyle, Drejtor Ekzekutiv për Europën i Adventure Travel Trade Association. “Ejani në Ballkanin Perëndimor, ne e kemi aventurën për ju: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni”.

Turizmi i aventurës- Si nisi rafting në Shqipëri
Idetë e para përsa i përket zhvillimit të sportit rafting në Shqipëri lulëzuan nga viti 1985, dhe edhe pse do të duket e çuditshme, fillimisht është bërë rafting me komerdaret e gomave të kamionave, nëpër kanionet e Osumit.
rafting lartNjë aventurë nisi menjëherë kur Zamo Spathara, sot President i Federatës Shqiptare Rafting, përdori këto komerdare për të kaluar nëpër kanionet e Osumit, një vend përrallë, me natyrë të virgjër dhe bukuri marramendëse.
Por ky pasion nuk mund të ngelej me kaq. Pas emigrimit në Itali në vitin 1991, Spathara mori pjesë në një Qendër Trajnimi Ndërkombëtar të Rafting, e cila u bë një nga mbështetësit kryesore të Albania Rafting Group. Ata ofruan pajisjet e para kryesore të tilla si: (gomone, lopata, kostume neoprene, jelekë shpëtimi, skafandra).
Së fundi një ëndërr e madhe u bë realitet! “Ishte pikërisht kjo aventurë e vogël e cila krijoi grupin e rafting në Shqipëri: “Albania Rafting Group””, thotë për ATSH-në Blerina Ago.
Albania Rafting Group është shoqata e parë e sportit rafting në Shqipëri, themeluese e Federatës Shqiptare të Rafting, anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Rafting e cila ofron ture emocionuese në grup, udhëtime ditore ose në fundjava, duke promovuar Shqipërinë në rrjedhat e një pasioni të ri.
raftAlbania Rafting Group organizon udhëtime rafting dhe ofron aventura fantastike në respekt të natyrës shqiptare dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Misioni ynë është rritja e kohëzgjatjes së turistëve në Shqipëri, nëpërmjet ofrimit të produktit turistik të rafting dhe turizmit aventurë, që do të zhvillohet me një vëmendje të veçantë për eko-turizmin, duke forcuar potencialin turistik natyror dhe vlerat ekologjike të vendit në mënyrë të qëndrueshme, në respekt me standardet ndërkombëtare të sigurisë”, thotë Ago.
Shqipëria, një vend për t’u zbuluar
Shqipëria është një vend për t’u zbuluar. Me vende të paprekura dhe ekzotike, traditat e ruajtura në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe me njerëz të gatshëm për të lëvizur përpara dhe për të ndarë kulturën e pasur dhe autentike me të gjithë botën.rafting lengaricaRafting si aktivitet sportiv nuk synon thjesht argëtimin e turistëve, por arrin të zgjasë kohën e qëndrimit të tyre në Shqipëri. Ky turizëm aventure, që kombinon aktivitetin fizik me shkëmbimin kulturor të Shqipërisë, përfshirë ndërveprimin dhe angazhimin me natyrën e pashfrytëzuar është e ardhmja e turizmit në vendin tonë. Kjo për disa arsye…
Sipas Blerina Agos, turisti i aventurës është i pari turist i gatshëm të udhëtojë në vende të paeksploruara dhe të padëgjuara. Turisti i aventurës, pasi zbulon një vend të ri bëhet promovuesi më i madh dhe kthehet për të shpërndarë vlerat autentike të zbuluara. Turisti i aventurës, për nga natyra e tij është i fokusuar më shumë te mbrojtja e natyrës, trashëgimisë njerëzore dhe kulturore, duke gjeneruar të ardhura dhe sjellë zhvillim për zonat rurale.
“Nëpërmjet rafting, si produkt i zhvilluar me standardet ndërkombëtare ne plotësojmë kërkesat e turistit të aventurës: ofrojmë eksperieca autentike, emocione, adrenalinë por të garantuara mbi bazat e sigurisë”, shprehet Ago. Turizmi i aventurës, është e ardhmja e turizmit edhe sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, duke patur rritje domethënëse vitet e fundit.
4 në 10 turistë në botë zgjedhin turizmin e aventurës. Numri i vizitorëve në rafting është 3000 në vit dhe sipas Agos, synohet dhjetëfishimi në një parashikim afat-mesëm. Si fillim kanë qenë turistët e huaj ata që kanë “guxuar” të provojnë adrenalinën e rafting, ndërsa sot me krenari raportojmë se mbizotërojnë turistët shqiptarë.rafting 2
Jo sepse është ulur numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, por rritet në mënyrë të shpejtë numri i turistëve shqiptarë. Kemi një përmbysje të raportit 70% shqiptare dhe 30% të huaj. Për ne është shumë e rëndësishme rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitete në natyrë për një shëndet më të mirë dhe për t’i qëndruar larg drogës, alkolit, problemeve dhe për këtë ofrojmë paketa në kosto për fëmjët, nxënësit dhe studentët. Duke qëndruar në natyrë bëhen më të ndjeshëm dhe e kuptojnë më mirë rëndësinë e mbrojtjes së natyrës. Rafting është aktivitet që forcon punën në grup, prandaj rrit rendimentin në jetën e përditshmë të çdo pjesëmarrësi, duke e çliruar nga energjitë negative. Prandaj një interes përherë e në rritje kemi dhe nga kompani të ndryshme shqiptare apo të rajonit të cilat zgjedhin të shpenzojnë 2-4 ditë me aktivitete sportive, sipas paketave tona.
Kanionet shqiptare, mirësevini në Koloradot e Evropës
Albania Rafting Group zhvillon aktivitete sportive në Skrapar dhe Përmet, përkatësisht në Kanionet e Osumit, luginën e Vjosës dhe Kanionin e Lëngaricës dhe banjot termale të Benjës, duke ndërthurur aktivitetet sportive me turizmin kulturor që ofrohet nga dy qendrat e rëndësishme, përfaqësuar në pasurinë botërore të UNESCO-s si Berati dhe Gjirokastra.
raftinPër Blerina Agon, këto janë zona të bekuara nga një natyrë e pasur dhe trashëgimi e madhe njerëzore dhe kulturore. Aktivitetet e tjera të cilat ofrohen në zonë nga guidat lokale janë hiking/trekking, mountain bike, peshkimi etj. “Nëpërmjet bashkëpunimit më guidat e sporteve të tjera ne synojnë të rrisim alternativat për pushim aktiv në Shqipëri”, thotë ajo.
“Personalitetet e shumta të fushës së turizmit të aventurës dhe të rafting në botë, të cilët i kemi shoqëruar në rafting i kanë konsideruar Kanionet e Osumit si Koloradot e Europës për nga ndërthurja e elementëve dhe karakteristikave unike që kanë”, thotë Ago.
Gjithashtu përmendin si pjesë të rëndësishme faktin se niveli i vështirësisë së rafting në këtë kanion eshtë i thjeshtë-mesatar, gjë që e bën rafting një aventurë të përballueshme për të gjithë personat që e duan natyrën dhe gëzojnë një gjëndje të mirë shëndetësore. Pra rafting në Shqipëri është i përshtatshëm për çdo lloj turisti, pa kërkuar specifikime të caktuara apo pa patur kritere të posaçme për t’u plotësuar.
Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato jane formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë. Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara. Ka hamendje se kanionet kanë shërbyer kohë më parë si nënkalime mbi lumin e Çorovodës, por me kalimin e shekujve, tavanet e nënkalimeve nënujore janë shembur duke nxjerrë dhe formëzuar një tjetër reliev, sot këtë kanion. Në gjirin e këtij kanioni, që përshkrohet nga lumi Osum, në të dy krahët e tij rrjedhin ujëvara nga fshatra të ndryshme, të cilat kalojnë në një sistem shkëmbor.
rafting 4Kanioni si origjinë, më i madhi në Shqipëri, është ndër më fantastikët në Europë, i karakterizuar kështu dhe nga studiuesit europian 137 gjeografë që kanë ardhur në zonë. Ky kanion ka bukurinë mahnitëse edhe për ekosistemin që ruan në vetvete, ku gjelbërimi në të dy krahët gjatë shpateve të kanionit, është i përhershëm. Shkurre mesdhetare me bimësi si marja, shqopa etj me një botë të pasur të gjallë dhe peshq të kategorive nga më të ndryshme të ruajtura në themelet e lumit Osum. Në shpatet e të dy krahëve të kanionit, veprimtaria erozive e faktorëve të jashtëm ka krijuar një sërë shkëmbinjsh, nga më të rrallët të gjendur në kanionet shqiptare.
Në Kanionet e lumit Osum, ndodhen 6 ngushtica, ku kanioni në shtratin e lumit merr një ngushtësi deri në 1.5 m, ndërsa hapësira lart në sipërfaqe shkon deri në 35 m. Gërryerjet ndër vite i kanë dhënë formën e ngrehinës natyrore të kultit.
Rafting- Të bësh sport dhe turizëm
“Sot rafting është shndërruar nga një nismë individuale në një aktivitet sportiv-turistik i njohur nga shteti shqiptar, nëpërmjet implementimit të kuadrit ligjor dhe rregulloreve teknike-organizative ndërkombëtare”, shprehet Blerina Ago, zv/presidentja e Albania Rafting Group. Që prej 2011 më urdhër të Ministrisë përkatëse, është themeluar Federata Shqiptare e Rafting, anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtarë të Rafting.
rafting 11Si pasojë e angazhimit të shumë të apasionuarve të natyrës, jemi krenar të themi që rafting-produkt turistik ofrohet në bazë të gjithë standardeve dhe kerkesave të turistit europian, vijon Ago.
Më mbështetjen e Fondit Shqiptar për Zhvillim u arrit përmirësimi i segmentit rrugor Çorovodë –Hambull dhe si pasojë pati një interes gjithnjë e në rritje të komunitietit drejt turizmit, si një mundësi të ardhurash ekonomike.
Me mbështetjen e USAID, Federata Shqiptare e Rafting ka certifikuar 13 guida profesioanale të rafting, të cilët zotërojnë patentën përkatëse, që i lejon ushtrimin e rafting si profesion.
Albania Rafting Group punon mbi parimet e zhvillimit të qëndrueshëm. “Ne ofrojmë një guidë të mirëfilltë bazuar mbi disa elemente: burimet njerëzore janë të kualifikuara dhe operojnë bazuar në të gjitha kushtet e sigurisë sipas normave të KE. Pajisjet që ofrojmë për ushtrimin e këtij sporti janë të destinuara për këtë përdorim. Aktiviteti që ne ushtrojmë respekton natyrën dhe rrit ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ne përfshijmë komunitetin e zonave të këtyre itinerareve turistike për të patur impakt sa më të madh social”, shprehet Ago.
rafting ujevareRafting dhe river hiking & eksplorim kanioni kanë qenë të parat aktivitete që kanë tërhequr vëmendjen drejt Kanioneve të Osumit. Ago thekson se një nga qëllimet për të cilat kjo organizatë punon është nxitja dhe rritja e fitimit ekonomik dhe nxitja e hapjes së vendeve të reja të punës për shkak të zhvillimit të eko-turizmit. Një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria sot është numri i ulët i netëve të qëndrimit të turistëve në zona. Kjo gjë, sipas Agos, është përmirësuar nëpërmjet aktiviteteve të Albania Rafting Group, duke rritur minimalisht me 1 deri në 2 netë qëndrimin e turistëve.
Rafting promovohet jo vetëm në vend, por është përzgjedhur edhe si aktiviteti që përfaqëson Ballkanin Perëndimor se fundmi nga National Geografic- Ballkani Përëndimor Toka e Zbulimit. Gjithashtu media të shkruara prestigjioze si Lonely Planet, Yahoo Traveler, Balkan Insight e media vizive të Italisë, Polonisë, Gjermanisë, Çekisë, Kosovës, Maqedonisë dhe ato online etj sugjerojnë rafting në Shqipëri si një nga aktivitetet kryesore që duhet bërë gjatë pushimeve.
DGjithashtu, vijon Ago, ne shpërndajmë informacion nëpërmjet faqes sonë web: www.albrafting.com dhe përfaqësimit tonë në rrjetet e ndryshme sociale/profesionale në internet (Facebook, Trip Advisor etj).
Impakti i drejtëpërdrejtë, vijon Ago, është hapja e vendeve të reja të punës për guida turistike të rafting dhe ngritja e kapaciteteve për burimet njerëzore në drejtim të turizmit. Zgjatja e kohës së qëndrimit të turistëve në zona, duke sjellë më tepër të ardhura ekonomike për bizneset lokale. Rritja e kërkesave të viziorëve po sjell nxitjen e investimeve në turizëm kryesisht për kërkesat bazike hoteleri/gastronomi. Ne po punojmë që të sjellim investime të rëndësishme në këto zona të izoluara të Shqipërisë, në përputhje me planin e zhvillimit turistik të zonës, i cili për momentin është prioriteti ynë kryesor.
Turistët e huaj: Kanionet shqiptare, një Disney Land i natyrës
E pyetur mbi kompeticionet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë Albania Rafting Group, Ago veçon pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të Rafting në vitin 2012 në Republikën Çeke, ku Shqipëria u prezantua për të parën herë me kombëtaren “Albanian Eagle”. rafting 12Eksperiencë që na shërbeu jo vetëm përsa i përket organizimit të këtyre aktiviteteve sportive, thotë ajo, por mbi të gjitha në promovimin e Shqipërisë dhe rafting në një event të rëndësisë botërore. Aktualisht organizojmë gara, kampionate, festivale kombëtare.
Federata Shqiptare e Rafting ka komunikuar me Federatën Ndërkombëtare të Rafting për mbajtjen e Kupës së Europës dhe ata kanë shprehur interesin për ta realizuar këtë. “Jemi duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës pritëse dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për të mbajtur një event ndërkombëtar, i cili do të jetë prezantimi i dytë i rëndësishëm i Shqipërisë në të gjithë botën, nëpërmjet përcjelljes së aktivitetit në mediat më prestigjioze sportive.
rafting 7Të huajt që kanë shijuar rafting në Shqipëri, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës janë shprehur së ka qenë një nga udhëtimet më të bukura të bëra. “Shumë e krahasojnë me një Disney Land të natyrës, të tjerët ndihen sikur janë brenda filmave si Avatar, Tarzan apo Mbreti i Unazave”, thotë Ago. Përveçse natyrës, turistët e huaj vlerësojnë shumë shpirtin shqiptar që gjejnë tek guidat lokale të zonës dhe patjetër gjithçka shijojnë dhe provojnë gjatë qëndrimit të tyre në vend.
Një ditë rafting me Albania Rafting Group
Ne promovojmë rafting turizëm, pa asnjë rrezikshmëri dhe lehtësisht i përballueshëm nga të gjithë, shprehet Blerina Ago, zv.presidente e Albania Rafting Group.
Sipas saj, rrezikshmëri ka nëse rafting ofrohet nga kompanitë të cilat nuk njihen nga Federata Shqiptare e Rafting. Pra, nuk kanë pajisjet e kompletuara të rafting sipas kërkesave të KE-së dhe guidat profesionale të rafting, të cilat shoqërojnë turistët në çdo udhëtim.
rafting osumAgo sqaron se rafting në Shqipëri ka nivel të ulët dhe të mesëm vështirësie. Kjo varet nga itineraret e lumenjve dhe sezoni kur zhvillohen udhëtimet. Albania Rafting Group promovon rafting turizëm, jo rafting ekstrem. Udhëtimet janë të përshtatshme për të gjithë personat që gëzojnë një gjendje të mirë shëndetësore.
“Ne i japim mundësi edhe fëmijëve mbi 5 vjeç dhe të rinjve të ushtrojnë rafting në itineraret e luginës së hapur të Osumit (Jaupas-Mbrakull, Berat) për periudhën shkurt-maj apo në lumin Vjosa (Çarshovë-Përmet) gjatë periudhës qershor-nëntor, të cilat kanë klasën e veshtirësisë së dytë me disa rrëmbesa të klasës së tretë, nga 6 nivele që njeh rafting si aktivitet.
Gjithashtu fëmijët marrin pjesë edhe në river hiking & eksplorim kanioni, periudha korrik-shtator në përshkrimin e 4-5 km më të bukur të Kanioneve të Osumit, Skrapar dhe Kanionit të Lëngaricës, Përmet.
Për personat e rritur, të cilët kërkojnë më shumë emocione dhe adrenalinë ofrohet rafting në Kanionet e Osumit, Skrapar (periudha shkurt-maj) dhe rafting në luginën e Vjosës, Përmet (periudha mars-qershor). Klasa e tretë e vështirësisë së rafting.
Eksperienca që merr në rafting nuk ka çmim, karahasur me shërbimin që ofrohet dhe kënaqësinë që turisti merr. “Ne jemi për të promovuar këto zona dhe nxitur zhvillimin ekonomik atje nëpërmjet turizmit, kështu që paketat tona janë të përshtatshme për të gjitha nevojat duke filluar nga familjet me të rinj, për nxënësit, studentët etj”, shprehet Ago.http://www.ata.gov.al/turizmi-i-aventures-nje-udhetim-ne-koloradot-shqiptare-194304.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate