- Një fundjavë në Shkodër –
TIRANË, 3 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Yjet dhe hëna morën nën kontroll qiellin. Dritat pushtuan qytetin dhe i hapën rrugë “vallëzimit” të mbrëmjes nëpër qytet. Kjo është Shkodra, qyteti ku jeta ka marrë udhë që në fund të shekullit V dhe fillim të shekullit IV p.e.s. Është qyteti i mbretit Gent. Është qyteti i Kalasë së Rozafës dhe legjendës së saj. Është qyteti ku arti, kultura dhe historia kanë rrënjët e tyre dhe këtë e “nuhat” në çdo ndërtesë e rrugë të qytetit veriperëndimor të Shqipërisë.
Shëtitorja kryesore në qendër të qytetit mbart mbi vete ecajaket e qytetarëve vendas dhe vizitorëve të përditshëm të saj. Vajza të bukura me buzëqeshjen e tyre vijnë në harmoni të plotë me peizazhin dhe të krijohet ideja se një piktor lozonjar provokon fantazinë e vizituesve përmes kësaj.
Para Bashkisë së qytetit ndërthuren modernia me antiken. Gjimnazi “28 Nëntori” të zhyt në ujërat e historisë përmes arkitekturës së tij, ndërsa vetë institucioni i Bashkisë të transferon në kryeqytetin e Francës me stilin e tij parizien.
Shëtitoret, baret, lokalet, birraritë radhiten përbri njëra-tjetrës dhe të japin mikëpritjen e tyre përmes muzikës dhe fasadës së dekoruar me ngjyra të ngrohta dhe lule, të vendosura me kujdes nga dora e njeriut. Biçikletat më tej janë kryefjala e qytetit. Vështirë të gjesh ndokënd që nuk ka një të tillë, edhe nëse e gjen një, ai/ajo po kërkon një biçikletë. Vajza, djem, fëmijë e të rritur të gjithë kanë dy-rrotëshin e tyre me të cilin vozitin nëpër rrugët e qytetit historik të vendit tonë. Në çdo qoshe të qytetit, në çdo lokal e bar është dhe vend-parkimi i biçikletave.
Por, fatkeqësisht ka shumë pak pika ku vizitorët mund të gjejnë një dy-rrotësh me qera. Me shumë punë dhe me bashkëpunimin e qytetarëve shkodranë mjaft të kulturuar dhe mikpritës (pasi gjatë fundjavës pikat e informacionit të qytetit ishin të mbyllura) edhe vizitorët mund të gjenin një biçikletë. Hotelet familjare ishin të rezervuara nga turistë të huaj që vijnë në Shkodër për të vëzhguar se si në 47 kilometra largësi mund të kaloje nga bregu i detit në 17-të maja Alpesh. Ku në pak kilometra mund të vëzhgoje se si natyra bashkon tre lumenjë, Bunën, Kirin dhe Drinin (si dhe bashkimin e Drinit të Bardhë me Drinin e Zi disa kilometra më tutje).
Natyra vijon rotacionin e saj të përhershëm. Nata i le vendin ditës dhe vesa ka përkëdhelur “faqet” e luleve të varura mbi dritaret e banesave në afërsi të qendrës. Qyteti është në gjumë, ndërsa turistët e vizitorë të ndryshëm përgatiten për të vijuar turin e tyre. Disa në mal, disa në det e disa në liqen. Disa të tjerë në destinacione kluturore (Muzeu historik, Biblioteka Marubi me mbi 230 mijë shkrime, Fototeka Marubi ku flenë mbi qindra foto..etj, destinacionet kryesore, por duhet thënë se këta të fundit u ushqyen me lugën bosh, pasi këto institucione ishin të mbyllura në fundjavë dhe mund të soditeshin vetëm nga jashtë, ose gjatë javës.
Katedralja e “Shën Shtjefnit” mbretëronte me madhështinë e saj në afërsi të qendrës dhe shumë vizitorë u ndalën për të shkrepur fotot e radhës. Kulla e madhe ngjitur me kishën ku tingëllonin këmbanat ishte prishur nga urrejtja e sistemit komunist, ndërsa ishte rindërtuar më tej nga dashuria fetare pas vitit 1985, shkruhet në një pllakë pranë saj. Bashkëjetesa fetare në Shkodër është një model i asaj që quhet tolerancë fetare. Në pak metra, ndajnë oborrin mes tyre Kisha Orthodokse dhe Katolike, si dhe përbri ishte dhe Xhamia. Shkodranët të njohur për humorin e tyre të hollë dhe simpatik ironizonin duke thënë se “këtu të krijohet ideja se hoxha dhe prifti këndojnë së bashku”…
Për vizitorët e shumtë është e pamundur të largohen nga ky qytet me rrënjë të lashta pa vizituar shtëpinë muze të Oso Kukës.
Një shtëpi dykatëshe në qendër të Shkodrës, mjaft tradicionale e ndërtuar me stilin otoman. Karakteristikë e saj është ndarja e një kati në dy oda, oda ku rrinin burrat, që kuvendonin dhe oda ku rrinin zonjat (stili tradiconal i oxhaqeve të vjetra shqiptare në pusthimin otoman). Po ashtu në katin e parë të shtëpisë, mjaft tërheqëse ishte monedha Ilire, ku lexohej Skutari (emri i qytetit të parë), pasi romakët e njihnin Shkodrën si vendi ku udhëtonte Drini.
Perëndimi në Kalanë e Rozafës është një shfaqje e rrallë e cila duhet shijuar nga të gjithë. Bashkimi i tre lumenjve nga njëri krah i kalasë, ku vështrohet dhe zona e pazarit të vjetër dhe Liqeni i Shkodrës nga krahu tjetër dhuron një peizazh të pakrahasueshëm me të tjerë. Ngjyrat e perëndimit më tej sfidojnë dhe fantazinë më të spikatur të një piktori. Muzeu trekatësh brenda kalasë nis me rrëfimin e legjendës së Rozafës, gruas më të vogël të tre vëllezërve shkodranë të cilët thuhet se po ndërtonin një kala. Kështjella e Rozafatit është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan si “vendi më i fortë i labeatëve”.
Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Emri i Kështjellës është i lidhur me legjendën e murimit. E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare.
Rozafa, nusja e më të voglit ndër tre vëllezër (baca Gjergj), u muros e gjallë në themelet e kalasë,- si këshillë nga një plak, tregon legjenda,- si një sakrificë për të ndalur përgjithnjë syrin e keq që shkatërronte muret çdo natë. Uji gëlqeror që kalon ndër muret e kalasë lidhet, në fantazinë e folklorit, me qumështin e gjirit të Rozafës, kërkesa e së cilës si marrëveshje për të pranuar sakrificën ishte lënia e anës së djathtë të trupit jashtë murit, «synin e djathtë që t’shoh birin t’em, krahun e djathtë qi t’a mbaj, gjinin e djathtë qi t’a ushqej, kâmbën e djathtë qi m’e përkund djepin» që të kujdesej për të birin e sapolindur. Për toponiminë, balada, sidomos ajo që flet për kalanë e Shkodrës, jep një sërë territoresh. Ato gërshetohen me territorin rreth kështjellës së Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndohet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet Rozafati), Zarufe (kodra e Pashës). Të tria këto ekzistojnë edhe sot.
Largimi nga Shkodra në drejtim të kryeqytetit medoemos të detyron të kalosh në urën e Bushatllinjëve, një urë që mban emrin e një familje të vjetër shkodrane që drejtoi krahinën me vite të tëra. Po ashtu në të dalë të qytetit është zona ku bashkohen Drini i Bardhë dhe Drini i Zi dhe në një degëzim pak para ndarjes së qytetit të Shkodrës dhe Lezhës është degëzimi që të dërgon në Liqenin e Vaut të Dejës, ku janë të vendosur dhe hidrocentralet më të rëndësishëm të vendit, çka të bënë të kuptosh se në 47 kilometra 2, tokë Zoti i ka dhuruar Shkodrës gjithçka që një vizitorë mund të kërkojë nga një udhëtim turistik./m.m/http://www.ata.gov.al/shkodra-djepi-i-qyteterimit-shqiptar-ne-syrin-e-nje-turisti-193296.html
Nessun commento:
Posta un commento