
Krahas ligjit për turizmin, që sipas Ahmetajt është ligj organik, brenda dy javësh ai informoi se do të prezantojë edhe një paketë ligjore mbështetëse për turizmin, që tashmë është në Këshillin e Ministrave për diskutim, në të cilën propozohet ulja e TVSH-së në 10 % si dhe përjashtimi nga sigurimet shoqërore për punonjësit mbi normën mesatare për periudhat bosh. Sipas kreut të MZHETT-së, Ahmetaj, ulja e TVSH-së nga 20-10 % do të bëjë tregun shqiptar më konkurues.
Ligji parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese me asistencën e një kompanie të huaj. Ahmetaj theksoi se hotelet në Shqipëri duhet të marrin asistencë të huaj për klasifikimin e tyre. Ai tha se investitorët mund të vijnë me paketa të plota investimi, si psh resorte dhe porte jahtesh në një paketë, duke shkurtuar disa procedura burokratike. Ministri deklaroi se duhen vendosur rregulla për cilësinë e produkteve, ndërkohë që qeveria shqiptare ka planifikuar që brenda pak muajsh, të bëhet pastrimi i të gjithë vijës bregdetare.

Gjithashtu, projektligji synon të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm, që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi e rritjeje, veçanërisht për komunitetet rurale, me synimin e harmonizimit të tërësisë së veprimtarive turistike, që plotësojnë kërkesat e turistëve të huaj dhe vendas, mbron dhe ripërtëritjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisore, si pasuri për gjeneratat e sotme e ato të ardhshme.
Por, kapitulli që ngjalli më shumë debate në komision ishte ai i investimeve, për të cilin deputetët thanë se nuk parashikon një procedurë të qartë konkurimi për investitorët. Për këtë, ministri siguroi se mënyra e transferimit të pronës për çdo rast do të bëhet me një garë të hapur. ./a.gjonaj//m.m/ http://www.ata.gov.al/turizmi-vleresimi-i-hoteleve-do-te-behet-nga-nje-agjenci-e-huaj-tvsh-ulet-ne-10-259956.html
Nessun commento:
Posta un commento