31 maggio 2015

Parku Arkeologjik i Orikumit i rikthehet hartës turistike të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama vizitë në Parkun e Orikumit
11391546_10152995856276523_6246669173259105086_nTIRANË, 31 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ -Guidës turistike të Shqipërisë së fundi i është shtuar Parku Arkeologjik i Orikumit. Deri një vit më parë, Parku ishte lënë jashtë itinerarit turistik të vendit, për shkak të gjendjes së rrënuar, monumenteve të mbuluara nga ferrat, mungesës së udhërrëfyesit dhe çdo tabele informuese.
Pas një projekti rehabilitues të Ministrisë së Kulturës, tashmë ky Park që gjendet është brenda bazës së Pashalimanit është rikthyer në një destinacion atraktiv i turizmit elitar. Në Orikum është pastruar vegjetacioni, është sistemuar ambienti, janë vendosur tabela informuese shqip dhe anglisht për çdo monument dhe janë sistemuar ambientet e zyrave të shërbimit dhe biletarisë.
Në këtë Park ishte sot, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se, si rezultat i këtyre ndërhyrjeve në një vit është trefishuar numri i turistëve dhe vizitorëve. “Para një viti e gjysmë ishe e tëra e mbuluar me ferra. E rindërtuam, e pastruam, ishte komplet e braktisur, tabelat mungonin, nuk kishte udhërrëfyes dhe nuk kishte pothuajse fare turistë. Kemi bërë gjithë pastrimin e territorit, pastrimin e  vegjetacionit, kemi vendosur tabelat e reja që në hyrje të rrugës, kemi një bashkëpunim me komandën që na lehtëson gjithë aksesiblitetin e turistëve, kemi vendosur shërbimin, guidën permanente dhe në një vit kemi një trefishim të numrit të turistëve dhe vizitorëve,  jo vetëm të të huajve, por edhe të qytetit të Vlorës që nuk e frekuentonin dhe është kthyer në qendër aktivitetesh për shkollat dhe studentët”, tha Kumbaro.
Parku i Orikumit dhe të gjitha atraksionet turistike të Vlorës, nënvizoi Ministrja Kumbaro, tashmë janë gati për sezonin veror, kur edhe fluksi i vizitorëve vendas e të huaj është shumë më i madh. “Me reformën e re, Orikumi futet brenda bashkisë së Vlorës dhe futet në gjithë itinerarin turistik të bashkisë, bashkë me monumentet e tjera që tani  janë gati për sezonin, të gjitha të pastruara, që nga kalaja e Kaninës, muret antike e me radhë”, theksoi ministrja Kumbaro.
Një nga monumentet më interesante të Parkut është monumenti i gërmuar nga misioni shqiptaro-sovjetik në vitet 1958-1960, i cilësuar si Teatër, por që pas gërmimit sërish nga misioni shqiptaro-zviceran në vitin 2013 u konfirmua se bëhet fjalë për një Fontane ose Nymfe Monumentale, e ndërtuar rreth shek. I p.e.s.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate