11 agosto 2015

Restaurimi hap për vizitorët mozaikët e fshehur të Butrintit


REPORTAZH11 Gus 2015

Rizbulimi i një numri mozaikësh në qytetin e Butrintit, hap një dritare kohe për të studiuar dhe dokumentuar motivet dhe mjeshtrinë e artit antik.  

Autor: Raimond Kola  BIRN  Butrint
Agron Islami, mjeshtri i mozaikëve | Foto nga : Raimond Kola
Agron Islami, mjeshtri i mozaikëve | Foto nga : Raimond Kola
Në këto ditë vere Agron Islami ngrihet çdo ditë herët dhe merr në mëngjes rrugën që gjarpëron mes ullishtave nga Ksamili për në Butrint.
Ai mban në krahë një çantë ku ruhet një çekiçi i vogël, dalta, furça, penelat, pecetat, sfungjerët, shishja me ujë dhe kapelja e tij e rrumbullakët.
Islami është specialist mozaikësh në Institutin e Monumenteve  të Kulturës dhe prej disa vitesh lë çdo verë Tiranën dhe ngre në Butrint  një ekip të vogël, që mirëmban gjatë një periudhe dy mujore  mozaikët e tij më të famshëm.
Këtë vit, për herë të parë në shumë vjet, disa nga mozaikët më me vlerë të Butrintit, do të zbulohen nga rëra që i mbulon për t’i mbrojtur për t’u mirëmbajtur.
Njëri prej tyre, mozaiku pranë Columbariumit, qëndron i mbyllur që kur monumenti u gërmua për herë të parë nga arkeologu Italian, Luigi Ugolini, në vitin 1928.
“Armiku i mozaikëve është vegjetacioni, myshqet, likenet dhe algat që grumbullohen  gjatë periudhës kur shumica e mozaikëve në Butrint janë nën pushtetin e ujit dhe kjo pasi Kanali i Vivarit,  që lidh liqenin e Butrintit me detin Jon, ngrihet mbi nivelin e kësaj zone,” thotë Islami.
“Punohet me kujdes, së pari duke njohur mirë shtrirjen e tij dhe shtresat e mbulimit,” shton ai duke përshkruar punën e restauratorëve.
Skuadra e Islamit përbëhet nga Evjeni Thomagjini, specialistja e monumenteve në parkun e Butrintit, Klejdi, restauratori  që punon prej disa vitesh në parkun arkeologjik gjatë verës, si  dhe disa djem të rinj nga fshati Vrinë.
Përveç mozaikut pranë Columbariumit, ata kanë në program të gërmojnë mozaikun e pallatit të Trikonkës dhe mozaikun e Bazilikës së Akropolit. Të dy qëndrojnë të mbyllur prej vitin 2009.
Skuadra e Islamit gjithashtu do të nxjerrë në dritë këtë verë mozaikun e Termave Romake pranë Kullës Veneciane që hapet pas 20 vitesh dhe mozaikun pranë Bazilikës së Madhe që qëndron i mbuluar prej dhjetë vjetësh.
Thomagjini shpjegon se vlerat e këtyre mozaikëve do të dokumentohen në disa volume, në kolanënKorpusi i Mozaikëve të Shqipërisënjë bashkëpunim midis Qendrës Kombëtare të Kërkimeve Shkencore pranë Universitetit të Sorbonës, Paris dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës në Shqipëri.
Mozaiku i Columbariumit | Foto nga : Raimond Kola
Mozaiku i Columbariumit | Foto nga : Raimond Kola
Rihapja e mozaikëve të mbuluar me rërë për t’u konservuar nga ndikimi i faktorëve natyrorë është një proces delikat që kërkon durim dhe realizohet metër për metër në të gjithë sipërfaqen e tyre.
“Pas zbulimit nga rëra që shërben për të ruajtur dyshemetë e dekoruara para qindra vjetësh, fillon pastrimi i sipërfaqes duke përdorur furça dhe peceta,” shpjegon Islami.
“Më pas, çdo mozaik duhet të mirëmbahet ditë pas dite, duke  e rrethuar  me sinjalistikë, që vetëm të shihet por të mos shkelet nga vizitorët, si dhe duke e spërkatur  herë pas herë  me ujë për të ulur efektet e diellit rrëzëllitës të korrikut dhe gushtit,” shton ai.
Gjatë periudhës së restaurimit mozaikët monitorohen me kujdes pasi çdo rritje e nivelit të ujit detyron dhe mbulimin e menjëhershëm të tyre.
Restauratorët punojnë njëkohësisht për t’i fiksuar teserat e mozaikëve që kanë lëvizur por edhe për të krijuar bordurat që mund të jenë dëmtuar.
“Rimbulimi i mozaikëve është gjithashtu një proces delikat,” thotë Islami. “Pasi bëhet zbulimi, dokumentimi dhe mozaikët lihen për t’u shijuar nga vizitorët, bëhet përsëri mbulimi me plastmas gjeotekstil dhe një shtresë 20 -30 cm rërë të larë lumi,” shton ai.
Mozaiku i Termave Romake
Çdo vit, parku arkeologjik i Butrintit regjistron më shumë se 100 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. Mozaiku i cili zbulohet më shpesh për vizitorët e shumtë në Butrint është ai i Termave Romake te Teatrit.
Figurat e tij gjeometrike bardh dhe zi dalin në pah mjaft mirë dhe mozaiku ka pak dëmtime. Niveli i lartë i shtresës në raport me ujërat nëntokësore e bën këtë mozaik të qëndrojë më gjatë i hapur.
“Duke qenë se mozaiku  është dhe në itinerarin qendror, ka mundësi të shihet nga të gjithë vizitorët që mbërrijnë në Butrint,” thotë Eva Thomagjini.
Gjatë viteve të fundit, ky mozaik është lënë i ekspozuar në muajt korrik dhe gusht dhe më pas mbulohet për t’u mbrojtur nga uji.
Mozaiku i Termave Romake | Foto nga : Raimond Kola
Mozaiku i Termave Romake | Foto nga : Raimond Kola
”Mozaiku i Termave të Teatrit është hapur rregullisht vitet e fundit  dhe  kjo e bën më të lehtë  konstatimin e gjendjes se tij, krahasuar me atë të një viti më parë, sidomos për të parë nëse ka dëmtime të reja,” thotë Agron Islami.
Programi i hapjes së mozaikëve të tjerë, që nuk janë të pakët, ndiqet nga Parku i Butrintit sipas një ritmi të alternuar dy, tre apo edhe më shumë vjeçar, pasi proceset janë të vështira, kërkojnë kohë dhe financime por edhe specialistë dhe punëtorë mbikëqyrës.
Hapja e mozaikëve nuk është e rëndësishme vetëm për t’i ekspozuar për vizitorët, por mbi të gjitha për të parë nivelin e ruajtjes së tyre dhe për të realizuar mirëmbajtjen.
Së shpejti, mozaikët e Butrintit do të jenë edhe në një katalog elektronik, falë përfshirjes së parkut në një projekt që financohet nga programi i ndihmës IPA të Bashkimit Europian.
Pallati i Trikonkës
Më së shumti, mozaikët në Butrint gjenden në Pallatin Peshkopal të Trikonkës, që shtrihet pranë kanalit të Vivarit.
Pallati, sipas gjurmëve historike, besohet se i përkiste  njërit prej anëtarëve të parisë së Butrintit në periudhën romake, ndoshta në nivelin e senatorit. Mozaikë të shumtë  dhe shumëngjyrësh, të punuar me stil të hollë,  shtrihen në disa nga dyshemetë e dhomave të këtij pallati.
Sipas arkeologëve, kjo ndërtesë tipizon në Butrint më së miri  jetën aristokrate në antikitetin e vonë.
Ndërtimi ka planimetrinë tradicionale romake për ndërtimin e vilave, i përbërë nga dhoma elegante me dysheme të dekoruara me mozaikësh dhe mure të pikturuara.
Dhomat ishin të  vendosura rreth e rrotull një oborri qendror, i cili freskohej nga një shatërvan.
Shndërrimi i vilës në një pallat ndodhi në vitin 400 pas Krishtit, me zgjerimin e oborrit dhe një krah të ri ndërtimi në lindje.
Një dhomë ngrënieje luksoze e tipit trikonik, dëshmon dhe sot për përmasat imponuese të kësaj ndërtese.
Pamje nga mozaiku me maska në pallatin e Trinkokës | Foto nga : Raimond Kola
Pamje nga mozaiku me maska në pallatin e Trinkokës | Foto nga : Raimond Kola
Vendosja më mbresëlënëse në këtë hapësirë është ajo e një mozaiku të punuar shumë hollë me maska teatri, i përbërë nga miliona tesera të vogla me ngjyrë.
“Kjo hapësirë, e vlerësuar si një prej veprave të artit antik ndër më të bukurat e gjetura ndonjëherë në Shqipëri,  paraqet pesë figura antropomorfe në trajtën e maskave të teatrit, tre meshkuj dhe dy femra,” thotë Islami.
Ai nënvizon se niveli i ujërave në këtë zonë të Butrintit ndryshojnë pandehur, gjë që e bën hapjen e mozaikut problematike.
Sipas Islamit, rritja e nivelit të ujërave mund të ketë qenë dhe arsyeja pse banesa u braktis në antikitet, megjithëse ka një labirint kanalizimesh poshtë saj.
Mozaiku i Pagëzimores  
Në maj të vitit 1928, arkeologu Italiani Luigi Ugolini, teksa gërmonte gjatë ekspeditës së tij në Butrint, nën një mur që dukej jo shumë mbi tokë, punëtorët e tij panë të shfaqej një dysheme e dekoruar me peshq, zogj, një gomar, vile rrushi dhe drerë.
Punëtorëve të Ugolinit, të cilët ishin më së shumti barinj të zonës, nuk i kishin zënë sytë kurrë më parë një mozaik.
Me eksperiencën e tij prej profesionisti, Ugolini iu afrua pamjes rrethore me një transhe të thellë duke hequr ditë pas ditë dheun dhe duke  zbuluar atë që do të quhej  Mozaiku i Pagëzimores.
Mozaiku i Pagëzimores i përket  periudhës kur krishterimi po lulëzonte në Butrint  dhe  qyteti kishte peshkopin e vet. Në Perandorinë Romake të Lindjes, kjo është sipas studiuesve  pagëzimorja e dytë për nga madhësia pas asaj në Kishën e Shën Sofisë në Stamboll.
Mozaiku i Pagëzimores ka një kompozim të rrallë të motiveve të ndryshëm. Shtatë shirita rrethorë sillen rreth vaskës së pagëzimit në një sipërfaqe me diametër rreth 13,5 metër.
Shiriti i parë dhe i pestë tregojnë një degë dredhësi, një bimë kacavjerrëse e zonës.
Mozaiku Pagëzamores, Butrint | Foto nga : Raimond Kola
Mozaiku Pagëzamores, Butrint | Foto nga : Raimond Kola
Shiriti i dytë dhe i katërt i mozaikut kanë medalione të lidhur me njëri – tjetrin që mbajnë brenda figura lulesh, zogjsh, bimësh, peshqish dhe kafshësh të egra. I gjithë mozaiku ka 69 medalione me figura të larmishme.
Rrethi i tretë dhe i gjashtë kanë unaza të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa rrethi i shtatë, ai që rrethon dhe vaskën e pagëzimit, ka një qilim medalionesh me rombe.
Mozaiku i Pagëzimores u hap për restaurim për herë të parë dy vjet më parë, pasi kishte qëndruar i mbuluar për shtatë vjet me radhë.
Mozaiku i ‘vogël’ i tempullit të Asklepit
Dy vite më parë, Zamir Marika, specialisti në Institutin e Monumenteve, fliste plot pasion për një studim mbi një mozaik të vogël në përmasa, të zbuluar në tempullin e Asklepit në Butrint.
Mozaiku, kujtonte Zamiri, u dërgua disa vite më parë për restaurim në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe sot ndodhet në një nga magazinat e Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Tiranë.
Në këtë mozaik qëndron e vizatuar figura e një gjarpri të mbledhur rreth vetes. Mozaiku, në përmasa jo shumë të mëdha, është realizuar me gurë të bardhë, të zinj, të kuq dhe variante të tij, si dhe ngjyrë okër.
Zamiri dhe kolegia e tij, Enekelejda Nesturi, kanë bërë një studim të detajuar duke vlerësuar se ky mozaik shënjon etapën kalimtare të artit të mozaikut me guriçka ose zajë në atë me tesera.
“Mendojmë se mozaiku është i vetmi i këtij lloji i zbuluar deri tani në trevat shqiptare,” shprehen dy studiuesit në një botim shkencor.
“Nga mënyra e realizimit, teknika e përdorur, figura e kompozuar e gjarprit, ky mozaik është një rast i rrallë i zhvillimit të artit muziv në territorin Shqiptar, po kaq dhe me vlera të shumëfishta,” vlerësohet në këtë studim.
Pothuaj të gjithë tempujt e Asklepit, perëndisë së mjekësisë, janë të ndërtuar pranë puseve mirëbërës ose puseve me ‘ujë shërues.’
Zamiri ka propozuar që mozaiku vogël duhet të rikthehet në Muzeun e Butrintit, ku më së miri ‘mund t’u flasë’ vizitorëve dhe studiuesve për vlerat e tij.
Fusha e Vrinës dhe vila e Diaporitit
Përtej qytetit antik të Butrintit, që është sot zona e rrethuar dhe e vizitueshme e parkut, shtrihen dhe zona të tjera arkeologjike që ruajnë po ashtu zbulime të mëdha.
Mozaikët në ndërtesat në fushën e Vrinës, në Vilën e Diaporitit dhe më tej, gjithashtu janë të mbuluar dhe nuk mund të vizitohen, pasi është mjaft e vështirë mirëmbajtja e tyre dhe itineraret për turistët mungojnë ende.
Arkeologu Ilir Parangoni këtë vit është marrë me studimin e Kodrës së Shën Dimitrit dhe zonës përreth Butrintit.
“Këto zona kanë një interes të veçantë për studimin e Butrintit të shek. XVI-XIX,” thotë ai.
“Hulumtimet mund të nxjerrin të dhëna të reja mbi modelin e vendbanimeve gjatë kësaj periudhe dhe shumë shpejt do i propozohet Parkut të Butrintit përfshirja e Kodrës së Shën Dimitrit brenda itinerareve turistike,” shton Parangoni.
Sipas Parangonit, Butrinti tashmë njihet si një nga qendrat arkeologjike më magjepse në detin Mesdhe, dhe nëpërmjet tij, turistët që e vizitojnë atë mund të drejtohen dhe në zonat arkeologjike përreth.
“Mjedisi lagunor, legjendat homerike, rrënojat antike dhe mozaikët e bukur janë atraksionet që e shndërrojnë Butrintin në një destinacion të vërtet përrallor në këto ditë vere,” shprehet ai.
*Autori ka punuar në vitet 2010-2014 , Drejtor i Parkut Kombëtar Butrint
Fotogaleri

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate