04 novembre 2016

Liqeni i Shkodrës, gumëzhinë nga zhurma e shpendëve ujorë


shkoderTIRANË, 31 Tetor / ATSH / – Liqeni i Shkodrës është një ndër liqenet më të rinj natyrorë të kontinentit tone dhe më i madhi në Ballkan.
Thonë se ky liqen u krijua nga derdhjet dhe depozitimet e lumit Kir.
Lumi Kir, degë e majtë e Bunës, që vjen nga malet e pjerrëta të Shqipërisë, e ka mbushur, gjatë shekujve, shtratin e Bunës me lëndë të ngurta dhe kështu ka penguar derdhjen e ujit nga këneta që ishte formuar afër Shkodrës.
Uji në kënetë u rrit vazhdimisht dhe u shndërrua në liqen. Formimin e liqenit e ka shpejtuar edhe Drini, i cili zbret, po ashtu, nga malet e Shqipërisë.
Ky lumë i rrëmbyeshëm e ka ndërruar shpesh shtratin e vet, duke përmbytur tokat përreth dhe duke i shkaktuar popullsisë së atjeshme dëme të mëdha.
Në liqen fryjnë erëra të forta si nga malet, ashtu edhe nga deti. Era më e fortë është ajo e jugut, Shiroku. Ajo i ngre valët e liqenit aq sa shpesh për ditë me radhë ndërpritet çdo lundrim.
Liqeni i Shkodrës është i pasur në florë detare dhe në faunë ujore.
Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit.shkoder1
Mbi 70% e llojeve të shpendëve të Shqipërisë ndodhen në liqenin e Shkodrës, ku vetëm në dimër numërohen rreth 40 lloje shpendësh.Tani në stinën e vjeshtës,shpendët ujor në këtë liqen,japin një spektakël të vërtetë. Ata janë shtuar shumë dhe kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të vëzhgimit.
Vlerat turistike të liqenit janë të mëdha, pasi aty ka një harmonizim të përkryer të terreneve malore, fushore e ujore, që i japin kësaj zone një pamje piktoreske. Zonat turistike të Shirokës dhe Zogajt, si dhe vendet piktoreske si Bregu i Ranës, Bishtiqendia, Stërbeqi, Grili, Shegani etj., janë cilësuar si vende të rralla.
Në pjesën shqiptare të liqenit nuk ka faktorë të mëdhenj ndotës, pasi në këtë zonë mungon industria, por një ndotës i madh i këtij liqeni dhe, që, sipas specialistëve është një kërcënim i madh,janë derdhjet e ujërave të mbetur dhe plastikat e qytetit të Shkodrës dhe ato që sjellin lumenjtë e rrëmbyeshëm.
Sot ky liqen është kthyer në një atraksion turistik për pushuesit veror dhe vëzhguesit e shpendëve ujor. /n.l/ /a.g/
https://www.ata.gov.al/liqeni-i-shkodres-gumezhine-nga-zhurma-e-shpendeve-ujore/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate