08 febbraio 2017

Tradita e artizanëve të suvenireve në Durrës rrezikon të zhduket

Ndërkohë që numri i suvenireve artizanale po zvogëlohet në dyqane, mjeshtrat durrsakë ankohen se autoritetet vendore po bëjnë shumë pak për të mbajtur gjallë traditën.

Autor: Gëzim Kabashi 
Mjeshtri Met Lila duke punuar përpara shtëpisë | Foto nga : Gëzim Kabashi
Mjeshtri Met Lila duke punuar përpara shtëpisë | Foto nga : Gëzim Kabashi
Qyteti turistik i Durrësit ofron shumë pak suvenire që rikujtojnë historinë e tij të lashtë apo monumentet arkeologjikë. Ndërsa artizanët që i punojnë ato kanë filluar të rrallohen, suveniret me simbolet e qytetit bregdetar prodhohen në qytete të tjera ose edhe në Republikën e Kinës.
Pushteti vendor ka bërë shumë pak për ta nxitur këtë mundësi, që ndër të tjera do të krijonte edhe vende pune. Mjeshtrat e punimit të drurit apo të baltës vazhdojnë të punojnë në mjedise jo të përshtatshme.
Met Lila është një nga ata që nuk dorëzohet dhe vazhdon të punojë çdo ditë para banesës së vet, në një nga rrugët kryesore të qytetit. “Mbaj familjen me këto të ardhura,” thotë usta Meti, për BIRN. Megjithëse është ftohët ai punon jashtë për të përgatitur skafin e një modeli anijeje me gjatësi 1.5 metra.
“Jam me fat, kur marr porosi për anijet e mija, që kanë përmasa të ndryshme. Kështu siguroj punë dhe të ardhura për një periudhë të gjatë,” tregon 66-vjeçari, duke shtuar se në qytet është shumë e vështirë të shesësh barka të gatshme.
Familja prej pesë vetësh e Metit jeton në një dhomë të vogël dhe ustai u gëzua para tre vjetësh kur bashkia i dha një mjedis pune, në periferi të qytetit. Por kjo nuk zgjati shumë, bashkia e ndryshoi destinacionin e mjedisit dhe usta Meti u detyrua të dalë për të punuar përsëri në rrugë. “Për fat të keq, Dorianit, djalit tim nuk i pëlqen kjo punë dhe unë nuk e di se sa kohë mund të kem fuqi për të punuar,” tregon usta Meti, ndërsa vazhdon të zmerilojë trupin e modelit të anijes. Pavarësisht kurajos së Metit, numri i suvenireve të prodhuar nga mjeshtra durrsakë si ai ka rënë.
Koreografi Arian Plaku tregon se ka vështirësi për të gjetur suvenire me simbolet e qytetit. Ai thotë për BIRN, se para se të niset në konkurimet ndërkombëtare me ansamblin që drejton, kërkon të blejë dhurata me pamje nga Durrësi, por në dyqanet e specializuara gjen kryesisht punime të prodhuara në Berat apo në Shkodër. Të njejtin problem ka edhe Irene Tosti, një italiane me banim dhe punë në Durrës. “Suveniret që gjej këtu shpesh herë janë produkte “Made in China”, shprehet ajo.
Shumë pranë qendrës, punishtja e mermerit të Isa Shuaipit është kthyer prej tre vjetësh në minimarket. Megjithatë, mes mallrave ushqimore dallohen tablotë e Durrësit dhe Beratit të punuara me mozaikë, “Bukuroshja e Durrësit” apo edhe modeli i Torrës mesjetare. Punime me cilësi dhe shije, që para disa vitesh morrën edhe miratimin e shikuesve në një ekspozitë të hapur në Muzeun Etnografik të qytetit. “Gjithçka mbaroi pasi kisha punuar për shtatë vjet me shumë pasion,” tregon Tako, siç e thërrasin shokët Isa Shuaipin. “Mozaikët më jepnin kënaqësi të madhe, por thuajse aspak të ardhura, të domosdoshme për të mbajtur dy vajzat studente,” shpjegoi ai.
Ibrahim Reçi tregon veprat e terrakotës në studion e tij | Foto nga : Gëzim Kabashi
Ibrahim Reçi tregon veprat e terrakotës në studion e tij | Foto nga : Gëzim Kabashi
Megjithatë, Shuaipi pranon se do ti mjaftonte një sharrrë e vogël mermeri në dyqan për t’iu rikthyer kubave me të cilët krijoheshin peisazhet apo modelet e Amfiteatrit, Torrës, Xhamisë së madhe, etj.
Tasim Besho, ekspert i turizmit, i pret me hidhërim lajmet për artizanët që mbyllin aktivitetet e tyre.
“Suveniret e qytetit mbeten një element për turizmin gjithëvjetor,” thotë Besho, duke shprehur mërzinë për humbjen e mjeshtrave të njohur.
“Disa muaj më parë vdiq Luan Emiri, një usta makinash, që në kohën e lirë përgatiste anije mikroskopike brenda shisheve të qelqit. Askush nuk e trashëgoi pasionin e tij,” thotë prof. Besho.
Ai shpreson që të riaktivizojë një projekt të hershëm për një punishte të përbashkët të artizanëve, ku bashkë me tregtimin, turistët dhe qytetarët mund të ndjekin edhe procesin e punës që bëjnë me durim mjeshtrat. Sipas Beshos, të rinjtë mund të kenë vendin e tyre në këtë hapësirë.
“Ata duhet të jenë studentët e artizanëve durrsakë,” thotë Besho.
Ibrahim ReçI është ndër të paktët artizanë, që është kujdesur për të ardhmen e mjeshtërisë së tij në pjekjen e terrakotave. Reçi, i njohur si restaurator në Muzeun Arkeologjik, ka mbajtur familjen me shitjet e figurinave prej balte, që frymëzohen nga lashtësia. “Djali im, Emiljano, studion në Universitetin e Arteve për skulpturë dhe në studion e përbashkët që kemi në oborrin e shtëpisë, unë përpiqem ti mësoj edhe artin e terrakotave,” tregon Ibrahim Reçi për BIRN.
Mjeshtri Isa Shuapi, i mbiquajtur Tako, tregon një mozaik të rrugës 'Tregtare' në Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi
Mjeshtri Isa Shuapi, i mbiquajtur Tako, tregon një mozaik të rrugës ‘Tregtare’ në Durrës | Foto nga : Gëzim Kabashi
Mine Qela, shitëse e suvenireve në qendër të qytetit thotë se figurinat e Reçit janë të vetmet simbole të punuara nga një mjeshtër durrsak. Të gjitha të tjerat vijnë nga qytete të tjera dhe për të kënaqur kërkesat e të huajve apo vendasve me suvenire të Durrësit nuk është e lehtë.
Monumentet arkeologjike dhe qendrat historike duket se nuk mjaftojnë për të rindezur mjeshtërinë e drurit, bakrit, mermerit apo atë të mozaikëve me të cilat Durrësi krenohej në kohë.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate