TIRANË, 18 Nëntor / ATSH/.- Deputeti i LSI-së i Qarkut të Fierit, Robert Bitri prononcohet për turizmin shqiptar dhe në veçanti për zhvillimin e turizmit në rrethin e Fierit.
Ai thotë se ”turizmi është shndërruar tashmë në një nga “industritë” më të suksesshme në Shqipëri prej të cilit po gjenerohen gjithnjë e më shumë të ardhura të konsiderueshme. Si pjesë e sektorit të tretë të ekonomisë, ai lidhet me një sërë shërbimesh të së njëjtës fushë dhe ka një akses të rëndësishëm jo vetëm në punësim, në rritjen e mirëqenies, në zhvillimet shoqërore, por edhe në imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Kështu krahas shembujve të prekshëm të zhvillimit të tij në shumë mikrozona të afërta dhe periferike si ato të Valbonës, Razmës, Thethit në veri, të Dardhës dhe Voskopojës në juglindje të vendit, apo të rasteve të tjera si Llogorasë e Rivierës në jug, mund të themi me siguri se edhe rajoni i Fierit ka premisa të mëdha në zhvillimin e kulturor. Krahas parkut të rëndësishëm arkeologjik të Apolonisë, Myzeqeja, mbart resurse të mëdha të këtij zhanri. Për këtë qëllim mund të përmendim dhjetëra objekte antike dhe mesjetare, kisha dha manastire, monumente natyrore, lapidarë dhe obeliskë kushtuar ngjarjeve të mëdha historike të kohës etj.
“Dhe pikërisht në këtë zonë me resurse dhe perspektiva të mëdha turistike, Departamenti i Kulturës pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim të Fierit zhvilloi një inspektim në plan të gjerë për të parë gjendjen reale të disa prej monumenteve të kulturës” thotë Bitri. Ndërsa për zhvillimin e turizmit në rrethin e Fierit, ai komenton se “ka disa qendra të rëndësishme ku mund të zhvillohet turizmi kulturor dhe ai historik dhe nis me Libofshën”.
Libofsha është një nga vendbanimet e mëdha të Myzeqesë, fushës më të madhe të vendit, e cila shtrihet në pjesën veriore të Bashkisë së Fierit. E përmendur në histori që në fund të Mesjetës, Libofsha vijon të mbetet e njohur edhe sot për historinë, njerëzit e shquar që ka nxjerrë dhe monumentet e shumta të kulturës. E vendosur në shpatin perëndimor të kodrave të Ardenicës, në Libofshë kalonte dikur dega jugore e rrugës antike Egnatia. Më pas gjatë mesjetës këtu funksionoi skela lumore e Pirgut, e cila shërbente si pikëlidhje për Beratin dhe Myzeqenë me botën mesdhetare. Pikërisht në dy skajet e Libofshës kanë funksionuar edhe dy manastiret historike të Ardenicës dhe Kolkondasit, të njohura si qendra shpirtërore dhe kulturore. Në Ardenicë, fare pranë saj, në një ditë prilli të vitit 1451, u zhvillua ceremonia e martesës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, me Donikën të bijën e Gjergj Arianitit.
Jo pa qëllim në vitin 1908 në Libofshë u hap edhe e para shkollë shqipe për gjithë Myzeqenë. Po këtu bujti natën e 24 nëntorit të vitit 1912, gjatë udhëtimit të tij historik për në Vlorë, arkitekti i pavarësisë sonë kombëtare, Ismail Qemali. Ndërkohë që në Libofshë gjenden në gjendje të mirë dhe të vizitueshme për turistët e huaj dhe vendas disa objekte me vlera historike dhe arkitektonike. Në hyrje të saj gjendet kisha e Shën Gjergjit, një monument kulture që nga viti 1963. Përveç vlerave arkitektonike kjo faltore ka edhe vlera artistike. E pikturuar nga Kostandin dhe Tërpo Zografi në vitin 1782, afresket e saj janë edhe sot objekt studimi etnografik. Përveç skenave kishtare atoparaqesin edhe sot figura popullore jo vetëm me kostumin karakteristik të Myzeqesë, por edhe në etnografinë aq të njohur të kësaj krahine.
Një tjetër objekt me statusin monument kulture është edhe kisha e Shën Kollit në Vanar. E ndërtuar në vitin 1777, vetëm një vit pas asaj të Libofshës, ajo ka të njëjtën planimetri dhe arkitekturë me të parën. Por ndryshe nga simotra e saj ajo është zbukuruar me afreske nga mjeshtrit e familjes Çetiri. Të tjera monumente kulture të vizitueshme në këtë hapësirë janë edhe kulla e Pirgut me kishën e Shën Marinës. Rrënoja e Kullës së Pirgut e cila gjendet pranë fshatit Dërnënas, dy-tre km larg nga deti përgjatë fushës. E braktisur prej kohësh dhe nga shtrati i dikurshëm i lumit Seman ajo u zbulua në vitin 1978 dhe vetëm një vit më vonë u shpall monument kulture. Dokumentet historike e përmendin për herë të parë atë në vitin 1308, si një skelë e rëndësishme e tregtimit të grurit, fillimisht me emrin Devoll. Më pas, me ndërtimin pranë skelës së tij edhe të kullës-fortesë, Pirgut, përveç emrit të parë nisi të përdoret edhe emri i dytë, Pirg. Do të ishte kjo kullë-fortesë, që do të ruhej deri sot në kujtesën popullore si ‘’Kulla e Pirgut’’. Po aty fare pranë ndodhet edhe manastiri i njohur i Kolkondasit, e vetmja vepër arkitektonike e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, në vitet 1814-1815 në Myzeqe. Festa dhe panairi i tij që organizohet çdo 24 gusht është i njohur në të gjithë zonën dhe rajonin dhe përmendet herët nga udhëtarët dhe studiuesit e huaj, siç është edhe rasti i piktorit anglez, Eduard Lir.
Roskoveci
Në territorin e Rrethit të Fieri, përveç bashkisë me të njëjtin emër, ndodhen edhe bashkitë Patos dhe Roskovec. Pikërisht në territorin e kësaj njësie të fundit ngrihen edhe dy objekte që gëzojnë statusin e monumenteve të kulturës. Të tilla janë kisha bizantine e Shën Nikollës në fshatin Kurjan dhe kisha post-bizantine e Shën Gjergjit në fshatin Strum. Përveç vlerave arkitektonike, kulturore dhe historike ato kanë edhe një veçanti se janë zbukuruar me afreske nga duart e mjeshtërve të ikonografisë shqiptare. Në kishën e Shën Nikollës ka punuar i biri i Onufrit, Nikolla, ndërsa në Shën Gjergj, ka punuar mjeshtri Joan Çetiri, një nga ikonografët më të shquar të Ballkanit në shekullin e XIX. Në gjendjen e sotme të dy kishat kanë nevojë për ndërhyrje, por më imediate ajo paraqitet në kishën e Shën Gjergjit.
Strumi është një nga vendbanimet e shumta rurale të Bashkisë së Roskovecit. I vendosur në lindje të këtij qyteti, përgjatë rrugës automobilistike që e lidh atë me Beratin, ai bart në vetvete dëshmi të shumta të kulturës sonë materiale. Të tilla janë një sërë dëshmish, monumente natyrore dhe objekte kulturore. E tillë është edhe legjenda e famshme popullore e “Bukuroshes së Strumit” dhe kënga e saj popullore. Po kështu aty pranë ndodhet “Këneta e Zezë”, një monument natyror, e cila përpara bonifikimit krijonte një basen të madh, që vijonte me sistemin ujor, ku bënin pjesë edhe kënetat e Roskovecit, Marinzës, Sheqishtes dhe Sheqit. Pikërisht në këtë vend, ngjitur me ’Kënetën e Zezë’ ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila së bashku me kishën e Shën Nikollës në Kurjan, përbën dy nga monumentet e kulturës që ndodhen në hapësirën e Bashkisë së Roskovecit.
E ngritur mbi një bregore të butë dhe të veshur me gjelbërim, “Shën Gjergji”, ndodhet një kilometër në veri të Strumit të sotëm, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike që lidh këtë vendbanim me fshatin Suk. Kisha ka një gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 3.5 m. Nga pikëpamja arkitektonike ajo është një ndërtesë në formë drejtkëndëshi, e vendosur në drejtimin lindje-perëndim dhe mbulohet nga një çati me tavan të rrafshët. Kisha e Shën Gjergjit përbëhet nga naosi njënefësh dhe absida, muret e të cilave janë dekoruar me afreske, të cilat sot ndodhen në një gjendje jo të mirë. Kisha është pikturuar dikur nga piktorët e familjes ikonografe të Çetirëve të Grabovës. Ikonostasi dhe objektet e tjera mungojnë, ndërsa në dyshemenë e faltores, pikërisht pranë absidës shihen dy pjesë kolonash antike me kanelyra dhe një pjesë mermeri e një kapiteli dorik, të marra nga ndërtimet antike, ndoshta edhe nga qyteti i Dimalit që ndodhet aty pranë. Me një lartësi prej shtatë metrash, kambanorja e ndërtuar në vitin 1782, është pjesa më e ruajtur e këtij objekti. Nën të ndodhet një portë me qemer, e ndërtuar me gur të bardhë të skalitur, ku janë imituar kolonat antike, mbi të cilat është vendosur një hark i zbukuruar me dy rozeta.
Kurjani është një tjetër vendbanim rural pjesë e Bashkisë së Roskovecit, që ndodhet në pjesën juglindore të rrethit të Fieri, aty ku ndahet kufiri me rrethet e Beratit dhe Mallakastrës. I përmendur për kultivimin e ullinjve dhe vreshtarisë, ai është i njohur edhe për liqenin artificial të ndërtuar rreth 40 vjet me parë. Pikërisht në Kurjan në kodrën më të lartë të tij, aty ku syri të kap gjithë rrafshinën e Myzeqesë, Shpiragun dhe kodrat e Mallakastrës, ndodhet një nga kishat bizantine më të vjetra në Shqipëri. Aty e vetme, e rrethuar nga kurorat e ullinjve, kisha e Shën Kollit, me harqet e saj rrethore duket sikur ”dëshmon”, se këtu është shkrirë në një stil të vetëm arkitektura e Lindjes me Perëndimin. Në vitin 1956 një ekspeditë studimore e Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Historisë bëri një nga zbulimet më interesante dhe më të rëndësishme në brendinë e saj, siç ishin afresket e pikturuara nga Nikolla, biri i Onufrit të madh. Pas këtij zbulimi, afresket e kishës se Kurjanit u bënë objekt studimesh nga ana e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili e shpalli atë në vitin 1963, monument kulture.
Trashëgimia kulturore
Për vlerat e mëdha historike, arkitekturore dhe artistike, këto monumente kulturore përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kulturor. Ndërkohë që pozita gjeografike në qendër të vendit, arteriet e komunikimit dhe niveli i zhvillimit ekonomik, e bëjnë Fierin një qendër të turizmit studimor dhe kulturor. Shtojmë këtu edhe traditat, mikpritjen, kuzhinën apo ditët e shumta me diell, të cilat ja mundësojnë kujtdo qasjen turistike. Por duke nisur së pari me ruajtjen dhe përkujdesin ndaj tyre, ne duhet të stimulojmë me politikat tona kulturore pikërisht edhe këtë aktivitet të rëndësishëm, që fqinjët tanë prej kohësh e kanë shndërruar në një akses të rëndësishëm ekonomik. Këto resurse i ofron ky rajon, i cili mund të bëhet në të ardhmen një tjetër vlerë e shtuar e turizmit shqiptar, përfundon komentin e tij Bitri. /m.mhttp://www.ata.gov.al/potencialet-e-turizmit-kulturor-fieri-nje-rajon-me-perspektiva-te-medha-341045.html
Nessun commento:
Posta un commento