
Ka vetëm dy rrugë që të çojnë në Nikaj-Mërtur, përmes liqenit të Komanit me traget dhe tjetra përmes rrugës nacionale që kalon nga Qafa e Malit, duke u kthyer majtas në Fierzë dhe duke vazhduar sipas rrjedhës së Drinit drejt Lekbibajt dhe më pas ngjitesh në perëndim. Ne zgjodhëm të parën, atë që kalon nga Komani. Ishte një ekspeditë e organizuar nga GIZ me pjesëmarrjen e disa agjencive turistike dhe të gazetarisë shqiptare, për tu njohur me natyrën, biodiversitetin, gjeografinë, traditat dhe bazat turistike të zonës.
Pas rreth një ore udhëtim, trageti qëndroi në një faqe shkëmbore të thepisur që quhej Kodër Markaj dhe aty na thanë të zbrisnim. Ajo ishte rruga për në fshatin Bris, një fshat tashmë i vogël me fare pak shtëpi. Aty ishin përgatitur dy bazat e para për turistët që vizitojnë këto anë. Pasi përgatitëm çantat e shpinës dhe morëm në duar shkopinjtë metalik të ngjitjes, filluam drejt Brisës në një shteg fare të ngushtë dhe të thepisur. Në fillim u tremba dhe dyshova se do ta bëja dot atë rrugë, por në krah kisha udhërrëfyes të zotët si Ndoc Mulajn, i rritur në këto anë dhe njohës i mirë i zonës dhe specialist në
fushën e biodiversitetit, ishte Zefi, një biolog dhe pedagog në Universitetin Bujqësor, Shpresa përfaqësuese e GIZ-it, si dhe djem të fuqishëm nga agjencitë e udhëtimeve turistike që i njihnin mirë alpinizmin dhe ngjitjet në mal.

Rruga vërtetë ishte e vështirë por peisazhi përrreth të inkurajonte e të shlodhte. Shikoje bimësi të harlisur, reliev të thyer dhe poshtë fare, lliqenin që gjarpëronte mes malesh. Ndoci për të na e bërë ngjitjen sa më të lehtë, tregonte për faunën e zonës dhe kafshët e veçanta që rriten në këtë masiv pyjor. Ai na tregoi për kafshët e egra që nga ariu, derri i egër, riqebulli, shpendë e kafshë të shumta deri te ato shtëpiaket autoktone si lopa “busha”, dhia “capore” e Dragobisë, dhia e Hasit, dhe delja bardhoke, që takohen në çdo fshat të Nikaj-Mërturit. Ndoci na foli edhe për gjallesat ujore që rriten në ujërat e ftohtë të këtyre lumenjve, e veçoi troftën pikaloshe.
Ritmin e ngjitjes e mbante një djalë i atyre anëve me emrin Fisnik, por që shkurt i thërrisnin Niku. Ishte muskuloz dhe fjalëpakë. Nuk di pse vazhdimisht ndodhej pranë meje në atë ngjitje të thepisur. Më vonë e kuptova që unë isha më i papërgatituri në këtë ngjitje dhe ai kujdesej nga afër. ”I kemi merak gazetarët” thoshte me shaka. Ndërsa Ndoci që e pëlqente shumë traditën dhe gojëdhënën, tregonte ngjarje fisesh, krijimesh e krijesash që i shkonin përshtat atye lartësive. Fliste edhe për kullat ku mjeshtri i maleve me atë shijen e vet instiktive ka shprehur zotësinë
e vet, duke zgjedhë gur shumëngjyrësh ku ka gdhendur në to simbole autoktone që vijnë nga paganizmi e deri në ditët e sotme. Shumë prej këtyre kullave janë të ndërtuara mbi shkëmbinj, ndaj edhe duken si kala të vogla. Gjithashtu atje gjendet sot edhe një numër i konsiderueshëm i mullinjve të blojës (bluarjes) me ujë dhe një varg objektesh të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Nikaj-Mërturit.

Kur fliste për kullotën thoshte se “kullota e mirë bën që edhe djathi, tlyni e kosi i kulluem të jenë fort të ushqyeshëm; mjalta ka një shije të posaçme sepse bleta si thonë malsorët, “kullotë mbi lulkuqe”. Në fakt kullota polifite bën që edhe bagëtitë edhe bletët të gjejnë një larmi e për pasoje të na japin prodhime shumë cilësore, si për shijen ashtu edhe për shëndetin. Krahas bukurive natyrore përrallore, Nikaj-Mërturi ka krijuar e trashëguar në breza një folklor mjaft të pasur, këngët dhe veglat muzikore, veshjet e larmishme, dasmat dhe ritet e zakonet mortore, të cilat dëshmojnë për një zonë jashtëzakonisht të pasur me etnokulturë të veçantë dhe të bukur.
Nikaj-Mërturi përbën një nga zonat më të pasura jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon, me monumente natyrore e kryesisht me shpella. Duke qenë se zona është e ndërtuar nga masive gëlqerorë, janë formuar shpella të shumta, guva e gropa. Ndër më kryesoret dhe më të veçantat janë shpella “Bira e Zezë” dhe shpella e Kakverrit, e cila që në hyrje të saj ka formën e një stadiumi të madh olimpik. Nisur nga numri i shpellave të shumta e të mëdha, po punohet që Nikaj-Mërturi të shpallet Park Speleologjik. Por çdo shpellë ka një ose më shumë legjenda, shumë atraktive për t’u njohur nga turistët. Rrëfimet për natyrën, florën dhe faunën, për gojëdhënat, etnosin dhe për g
ështenjën, “mbretëreshën” e Nikaj-Merturit, bënë që të mos i ndjenim ato 3 orë ngjitje dhe të ndodheshim përballë me Kullën e Ndok Mirashit, ku dhe ishte bujtina e parë që do na priste. I zoti i shtëpisë doli e na priti sipas zakonit. U përshëndoshëm e u ulëm në tryezën e mikëpritjes.

Ndoka ishte një burrë me trup të lidhur dhe i shtruar në muhabet. Folëm për gjithfarë gjërash, por biseda u përqendrua te vizitorët dhe turistët e huaj që ngjiten në këto anë. Ai na tha se në stinën e verës dhe në vjeshtë, vijnë mjaft vizitorë që bëhen kurioz për natyrën, mënyrën e jetesës, për historinë dhe traditën. Në dimër ngjiten vetëm aventurierët e borës dhe spelologët. Ndoka tregoi se më parë Brisi kishte rreth 50 shtëpi, por tashmë kanë mbetur vetëm 5 dhe këto shërbejnë si stacione (bujtina) që strehohen turistët.
E pyeta se nga vjen emri Bris. Më tha se bris, quhet një gur i atyre lartësive që nxjer xixa, pra strall. Guri i ka dhënë emrin fshatit. Biseda u soll tek mundësitë e jetesës dhe mjeteve të saj. Vendin kryesor në ekonominë e këtyre familjeve e zinin gështenja dhe blegtoria. Ato më shumë përdoreshin për konsum vetjak se sa për tregti. Pak tokë mbillej me misër apo fasule. Kulla ku bujtëm kishte një akomodim midis traditës dhe modernes. Kishte atë strukturë fizike dhe brenda ruante orendi zakonore si dhomën e zjarrit me oxhak, por edhe e përshtatur me dhoma fjetjeje për bujtësit. Aty mund të strehoheshin deri në 10 persona me krevate, çarçafë e batanije të pastra e të reja. Mbrëmja kaloi rreth zjarrit me kecin në hell, verën dhe rakinë tradicionale, me histori, bëma e ngjarje të vjetra e të reja.

Fshatrat e Nikaj-Mërturit janë të shpërndarë në të gjithë zonën, afër liqenit, lumenjve dhe disa edhe afër bjeshkëve, si Bëtosha, Brisa, Salca, Peraj, Vrana, Curraj i Epër, Qereshi dhe Mulaj. Ato janë vendosur në çdo vend ku ka qenë e
mundur të ndërtohet një shtëpi dhe të ketë edhe një copë tokë, si në maja kodrash, livadhe, por disa kulla janë ndërtuar edhe në shkëmbinj, kthyer me kurriz nga humnera për arsye mbrojtjeje nga sulmet e pushtuesve dhe gjakmarrja.
Kujdesi dhe infrastruktura rrugore, do të bënte që kjo zonë të kthehej vërtetë në një zonë atraktive për turistët dhe aventurierët e lartësive. Sot aty ka vetëm dy kulla-bujtinë, ajo e Ndokës dhe Nikollës, por së shpejti në këtë krahinë do të ketë disa. /m.mhttp://www.ata.gov.al/nikaj-mertur-celen-bujtinat-e-para-per-turizmin-malor-dhe-te-aventures-336902.html

Kujdesi dhe infrastruktura rrugore, do të bënte që kjo zonë të kthehej vërtetë në një zonë atraktive për turistët dhe aventurierët e lartësive. Sot aty ka vetëm dy kulla-bujtinë, ajo e Ndokës dhe Nikollës, por së shpejti në këtë krahinë do të ketë disa. /m.mhttp://www.ata.gov.al/nikaj-mertur-celen-bujtinat-e-para-per-turizmin-malor-dhe-te-aventures-336902.html
Nessun commento:
Posta un commento