TIRANË, 2 korrik /ATSH – N.Lena/ – Kruja është një nga destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë, duke qenë modeli i një turizmi të qëndrueshëm dhe të shtrirë përgjatë gjithë vitit.
Kjo, jo vetëm për turizmin e kulturës me veprën e Heroit Kombëtar në Kalanë e Krujës, apo artizanëve në “Pazarin e Vjetër”.
Kjo, jo vetëm për turizmin e kulturës me veprën e Heroit Kombëtar në Kalanë e Krujës, apo artizanëve në “Pazarin e Vjetër”.
Ai që po kthehet në një destinacion të vërtetë turistik është dhe Parku Kombëtar i Qafë- Shtamës, i cili ofron një mozaik natyror dhe kulturor për qindra pushues.
Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafë-Shtama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 m dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”.
Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafë-Shtamës, i cili ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës.
Ajo ç’ka e dallon Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës është masivi i Pishës së Zezë dhe Ahut, duke ofruar një peizazh të gjelbërimit të përhershëm të pishës dhe bukurisë natyrore të ndërthurur me ahun.
Pavarësisht viteve të tranzicionit, pishat e larta qindravjeçare, u ruajtën me fanatizëm nga banorët vendas si ai i fisit Balliu, duke na lënë sot një pasuri të natyrës shqiptare.
“Vitin që shkoi në këtë park u ngjitën rreth 8500 turistë të huaj. Pjesa më e madhe janë nga vendet Europës Perëndimore, si Gjermania dhe Austria, por dhe nga vendet e Europës Lindore si Çekia, Polonia, Hungaria etj. Ndërsa këto ditë drejt këtij parku vërshoi një grup motoristësh, djem e vajza nga Polonia, që “zhurmuan” për disa orë pyjet dhe shtigjet malore të Parku të Qafë-Shtamës”, – tha për ATSH, Drini Masha, përgjegjësi i Zyrës së Informacionit Turistik në bashkinë Krujë.
E veçanta e Qafë-Shtamës lidhet dhe me Kroin e Nënës Mbretëreshë, emër të cilin e ka marrë në vitet ’20 të shek XX, kur familja mbretërore e Zogut e merrte aty ujin për të pirë.
Uji i burimeve të Qafë-Shtamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por edhe i pasur me magnez. Përveç këtij kroi, në këtë park kombëtar, ndeshim burime dhe prroska që zbresin nga mali, duke i dhënë vendit vlera të mëdha hidrografike.
E ndodhur nën administrimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, përveç vlerave kurative të ajrit të pastër dhe ujit të pasur me magnez, sot ky park po tërheq vëmendjen e të apasionuarve mbas turizmit të aventurës.
Mes një natyre të virgjër dhe të thyer, turistë vendas dhe të huaj e shohin si destinacionin e duhur për ecje nëpër shtigje, çiklizëm nëpër terrene të thyera dhe kamping.
Guidat lokale i udhëheqin turistët në shtigjet e markuara, ngjitje në një lartësi deri në 1725 m, njohje me faunën e larmishme, panorama natyrore e detit Adriatik, liqeni i Bovillës, vargmali Krujë-Dajt.
Në këtë park, vizitori mund të marrë kënaqësinë edhe të gatimeve tradicionale të zonës me produkte bio, ku bizneset ofrojnë këtë shërbim bashkë me akomodimin nëpër dhomat që kanë ndërtuar.
Së fundmi është hapur resort i ri që ofron akomodim me standardet më bashkëkohore dhe çmimet më të arsyeshme, duke ofruar kuzhinën tradicionale të zonën, me prodhime bio.
Disa nga investimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare është sistemimi dhe asfaltimi i rrugës nga ish-kampi i punëtorëve deri në Kampin e Sipërm, në një gjatësi 1.8 km, e cila përshkon rrugën e vjetër Krujë-Burrel.
Pjesë e këtij projekti është rehabilitimi i hyrjes së parkut të Qafë-Shtamës dhe ngritja e një pike informacioni për turistët.
Nga ana e bashkisë Krujë ka nisur shenjimi i shtigjeve të reja, vënia e sinjalistikës orientuese si dhe përgatitja e materialeve promovuese për ta zhvilluar këtë park kombëtar.
Sipas përfaqësuesit Drini Masha “bashkia Krujë, këtë vit synon mbështetjen e turizmit të natyrës, si mundësi e rritjes së kohëqëndrimit të turistëve në Krujë”.
“Ndërthurja e turizmit kulturor dhe atij të natyrës, e sjellin Krujën në hapësirën për të zhvilluar një paketë të plotë turistike”, – thotë përfaqësuesi i bashkisë Krujë, që mbulon këtë zonë turistike. /a.g/
Nessun commento:
Posta un commento