TIRANE,18 Korrik / ATSH / – Vizitorë kuriozë, aventurierë të lartësive, biologë ,arkeologë e gazetarë ngjiten drejt Nivicës, për kuriozitet apo punë shkencore dhe ndeshen me një panoramë krejt tjetër, me rrugë, me njerëz të shumtë që e vizitojnë, me një natyrë të padëmtuar e të mirëkujdesur, pra me një atraksion të vërtetë turistik.
Projekti Nivica, “Nga mali drejt detit”, lindi si një dëshirë apo ëndërr, e njërit prej djemve të kësaj zone Auron Tare, tashmë i kthyer në një realitet të prekshëm. Nivica zgjohet me një qendër të rikonceptuar totalisht, si modeli referent, për programin e “100 fshtrave”, nga qeveria Shqiptare, në mandatin e saj të dytë.
Çdo gjë duket se po shkon sipas parashikimeve, dhe niviciotët janë optimistë se një ditë jeta e tyre mund të ndryshojë, duke ruajtur edhe traditat e tyre mijëravjeçare.
Turistë nga çdo anë kanë filluar të shkelin dhe eksplorojnë zonën, e njohur falë teknologjisë dhe komunikimeve në media, për vlerat dhe natyrën piktoreske, të egër, e cila ofron qetësi dhe kënaqësi të veçantë, e vlefshme për qëndrime 2 – 3 ditore.
Ekipi i fundit që e vizitoi Nivicën ishte ai i arkeologëve nga Universiteti i Bristolit, universitet, tashmë i njohur për vëmendjen dhe studimet e shpeshta në këtë zonë, si pjesë e një marrëveshjeje me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit (AKB-në). Më pas grupi i shkencëtarëve u prit nga kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi.
Ai i falënderoi në emër të gjithë tepelenasve dhe veçanërisht atyre të Kurveleshit, për kontributin e çmuar që po ofrojnë në fushën e arkeologjisë dhe turizmit, duke iu thënë se ajo është vetëm maja e ajsbergut. Tepelena rezervon mjaft pasuri të tjera në formë vendbanimesh dhe qytetërime antike që ndoshta në të ardhmen e afërt do të jenë synimi për kërkimet e dhe zbulimet e radhës, u shpjegoi Peçi arkeologëve.
Në takim me Peçin ishte dhe një grup gazetarësh të një prej rrjeteve me të njohura globale informative si National Geographic, të cilët u shprehën se në përfundim do të ketë një dokumentar në njohjen e vlerave turistike dhe aseteve kulturore të zonës.
“Tashmë miqtë e çmuar të historisë, arkeologjisë dhe kulturës tonë, po vijojnë hulumtimin e hartës antike në zonë, në kërkim të shtigjeve dhe rrugëve të vjetra, duke u bërë të parët e shekullit të ri pas studiuesit të famshëm britanik, Nicholas Hammond”, thotë për ATSH-në Auron Tare, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Nivica, gjithnjë e më shumë po tërheq interes nga vizitorët vendas dhe të huaj. /j.p/
Nessun commento:
Posta un commento