03 luglio 2018

Lehtësitë fiskale në agroturizëm si një instrument zhvillimor të pashfrytëzuar në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të ndjeshëm të kushteve sociale në zonën rurale të Shqipërisë.

124
TIRANË, 2 korrik/ATSH/ – Qeveria i ka propozuar Parlamentit miratimin e projektligjit për disa ndryshime në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me qëllim zhvillimin e turizmit në zonat rurale, e shoqëruar kjo me nxitjen e prodhimit dhe tregtimit të produkteve lokale të zonës.
Ajo e sheh agroturizmin si një instrument zhvillimor të pashfrytëzuar në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të ndjeshëm të kushteve sociale në zonën rurale të Shqipërisë.
Iniciativa e ndërmarrë synon të nxisë krijimin dhe rritjen e këtij biznesi, i cili pritet të ofrojë akomodim, ushqim, çlodhje, argëtim dhe veprimtari të tjera të lidhura me fermën ose njësinë agrokulturore.
Projektligji parashikon aplikimin e normës së reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar prej 6% nga 20% që është norma standarde për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, brenda strukturave që zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuara, si “agroturizëm”.
Personi i tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6%, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si “agroturizëm”.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama u ka drejtuar një thirrje emigrantëve, që të ardhurat e mbi 20 viteve punë t’i investojnë në shtëpitë e prindërve apo gjyshërve të tyre, në kuadër të projektit “100 fshatrat” që përfshin “Rilindja Rurale”.
Rama ka theksuar se “është e padiskutueshme që këto investime do të mund të kthejnë mbrapsht fitim shumë më tepër sesa çfarë mund të fitohet sot në vendet fqinje”.
Po ashtu është çelur thirrja për të aplikuar për projekte të zhvillimit për bujtinat dhe për hotelet e vogla sipas standardeve të përcaktuara në programin e zhvillimit të agroturizmit, ku qeveria do të mbështesë financiarisht, qoftë familjet që duan t’i kthejnë shtëpitë në bujtina, qoftë ata që duan të investojnë si investitorë në ndërtimin e strukturave të agroturizmit.
Referuar përcaktimeve në legjislacionin e fushës së turizmit, “agroturizmi” nuk klasifikohet si strukturë akomoduese, por parashikohet si veprimtari pritëse.
“Agroturizëm” është veprimtaria pritëse që zhvillohet në një fermë, ose njësi tjetër agrokulturore, me qëllimin për të tërhequr vizitorë, shpeshherë duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në veprimtaritë bujqësore ose veprimtaritë e tjera ndihmëse që zhvillohen në atë mjedis bujqësor”, përcaktohet në projektligjin e dërguar në Parlament.
Agroturizmi mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale nëpërmjet mbrojtjes së ambientit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës.
Shqipëria është vizituar nga një numër rekord të huajsh në vitin 2017, sipas statistikave të lëvizjeve të shtetasve të publikuar nga INSTAT.
Në total, në Shqipëri hynë 5.1 milionë të huaj, me një rritje prej 8.1% në krahasim me vitin e mëparshëm.
/a.gjonaj/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/02/lehtesite-fiskale-ne-agroturizem/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate