18 luglio 2018

Fluksi i shumëfishuar i jahteve turistike në Portin e Vlorës, risia e këtij sezoni turistik 2018

79
Vlorë, 17 korrik/ATSH-Harilla Koçi/.- Dy jahte turistike, “Sevanna” dhe “Moonshadow Noa”, u ankoruan të martën në mëngjes në portin e Vlorës, ku qëndruan për disa orë.
Dy mjetet lundruese, njëra prej të cilave me flamur italian, pasojnë dhjetra  “simotra” të tyre që kanë zgjedhur gjatë këtyre javëve Vlorën, si pjesë të itinerareve turistike në Mesdhe.
Gjatë këtij sezoni, numri i jahteve turistike që janë ankoruar në portin e qytetit jugor bregdetar ka shënuar një rritje të dukshme dhe ritmi pritet të jetë edhe më i lartë në javët në vazhdim.
Drejtori i Portit të Vlorës, Adi Malaj, tha për ATSH-në se, përmirësimi i infrastrukturës portuale, asaj të qytetit dhe standardet e duhura të shërbimeve dhe të sigurisë, janë disa nga faktorët që kanë nxitur dhe rritur interesin e turistëve të kësaj kategorie të vijnë në Vlorë, për të kaluar orë pushimi në qytet.
Sipas tij, në axhendën e qëndrimit të turistëve që mbërrijnë në Vlorë me jahte, përfshihen shëtitje në qytet, vizita në objekte dhe vende të ndryshme historike, si edhe frekuentimi i bareve dhe restoranteve, kryesisht përgjatë “Lungomares”, që është tashmë hapësira e preferuar e vizitorëve të huaj.
“Turistëve të huaj që vijnë me jahte në Vlorë, u pëlqen shumë qyteti, veçanërisht pjesa përgjatë bregdetit, Lungomares, u pëlqejnë baret dhe restorantet, por, krahas kësaj i tërheq edhe cilësia e shërbimeve portuale, ku bëjnë pjesë edhe furnizimi me karburant, standardet e sigurisë etj., të cilat përbëjnë kolonën e elementëve që favorizojnë fluksin në rritje të jahteve në Vlorë, duke e shndërruar atë në një risi, ose në një fenomen të sezonit turistik veror 2018”, – tha drejtori Malaj.
Ai veçon ankorimin pak ditë më parë për 5-6 orë në portin e Vlorës, të një jahti superluksoz të përmasave të mëdha, që lundronte me flamur anglez, në bordin e të cilit ndodheshin pjesëtarët e një familjeje sheikësh nga Arabia Saudite, që kishin në rekuizitën e tyre të shoqërimit edhe një helikopter dhe një autoveturë luksoze “Ferrari”.
Duke u ndalur tek ky rast, Malaj nënvizon se tashmë Porti i Vlorës është bërë pjesë e axhendës turistike të Mesdheut, gjë që argumentohet edhe me kërkesat në rritje turistëve të kësaj kategorie që pritet të mbërrijnë në javët në vazhdim.
“Kemi mjaft kërkesa për ankorime të jahteve të tjera nga vende të ndryshme dhe po marrim masa për të ofruar të gjithë shërbimin e nevojshëm, me tarifa të arsyeshme, duke përfshirë edhe standardet e sigurisë, me mjetet zjarrfikëse”, – shtoi ai.
Vetëm gjatë muajit korrik, në kalatat e portit të Vlorës janë ankoruar 30 jahte turistike, ndërkohë që për javët në vijim, nisur edhe nga kërkesat, numri i tyre pritet të 4-5 fishohet.
Aktualisht, Porti i Vlorës vlerësohet konkurrues në rajonin e Mesdheut, për shkak të tarifave të arsyeshmen dhe cilësisë së shërbimeve.
Kjo pritet të reflektohet edhe në të ardhurat e këtij porti, krahasuar me periudha dhe vite paraardhëse.
Një vit më parë, numri i jahteve turistike që prekën kalatat e portit të Vlorës, ishte shumë herë më i ulët. /e.malaj//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.
https://ata.gov.al/2018/07/17/fluksi-i-shumefishuar-i-jahteve-turistike-ne-portin-e-vlores-risia-e-ketij-sezoni-turistik/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate