-Reportazh-
Vlorë, 26 dhjetor/ATSH-Harilla Koçi/.- Dimri perceptohet lehtësisht sapo hyn në Qafën e Llogorasë, për të udhëtuar drejt Rivierës Shqiptare. Udhëtimi nga Vlora vazhdon nëpër rrugën pothuajse të boshatisur.
Përballja me hapësirën e pamatë nga lartësia 1050 metra mbi nivelin e detit, të krijon një tjetër ndjesi. Kanë mbetur pas ditët e zhurmshme të verës, kur kjo pjesë e bregdetit shqiptar gëlonte nga zhurmat dhe lëvizjet pa fund të automjeteve e prania e mijra pushuesve.
Mjegulla e dendur që shfaqet në faqen jugore të Qafës së Llogorasë, është bashkëudhëtari ynë i parë, që na shoqëron deri poshtë në kthesat e fundit. Denduria e saj është e pazakontë, aq sa na pengon udhëtimin normalisht. Duhet të ndez sinjalet e dritave të makinës, të përshtatshme për këtë mjegull të dendur, për t’u identifikuar ndaj automjeteve të tjera, që vijnë pas meje, apo lëvizin në kahjen e kundërt. Mjegulla në dimensione të tilla, është edhe shenja që dimri është shfaqur plotësisht, pavarësisht se deri para pak ditëve ai dukej se do të vononte.
E, ndërkohë mbërrijmë në kthesat e para në afërsi të fshatit Palasë. Deri në këto momente, gjatë gjithë rrugës kemi ndeshur 5 apo 6 automjete me targa të Vlorës e të Sarandës. Kodrat e mbuluara me ullinj, popullohen tashmë nga banorë të zonës dhe të tjerë të ardhur nga Vlora, apo rrethe të tjera të vendit të pajtuar për vjeljen e tyre. Për shkak të mungesës së krahut të punës, dhjetra punëtorë nga krahina të tjera, vijnë këtu për të punuar duke u shpërblyer në vleftë monetare, ose në natyrë. Shpesh, kjo e dyta është edhe mënyra më e mirë dhe më e përhapura. Në raport me sasinë e ullinjve të vjelë dhe të vaijt të prodhuar në fabrikat e zonës, të ardhurit përfitojnë edhe pjesën e tyre. Soni, kryetar i fshatit, një 37 vjeçar, thotë se “tani është sezoni i punës, kur ullinjtë duhen vjelë e çuar në fabrikë për vaj”.
Në këtë periudhë krijohet edhe një lloj diferencimi në vjeljen e ullinjve, për shkak të shkallës së pjekjes dhe të prodhimtarisë së tyre. Në këtë fazë pjekjeje, ullinjtë kanë shkallë prodhimtarie më të ulët të vajit, por ai është më cilësor. Prej ullinjve të vjelë në këtë periudhë merret vaj i cilësisë së lartë, që ka një përqindje të ulët aciditeti. Por, jo të gjithë janë të interesuar për të prodhuar këtë lloj vaji, për shkak të kostos së lartë. Në këto kushte ullinjtë vilen gradualisht dhe intensiteti vjen duke u shtuar, veçanërisht në janar.
– Punëtorët me mëditje përballojnë punët e përditshme –
Mungesën e banorëve që jetojnë në emigracion e kompensojnë punëtorët “me mëditje”, të cilët vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, kryesisht nga Shqipëria e Mesme. Kjo kategori punëtorësh është edhe një nga dukuritë tipike për krahinën e Himarës në pas vitet ’90-të. Janë qindra shtetas të moshave të të ndryshme, të cilët punojnë këtu prej vitesh. Në mungesë të një pune në fshatrat, apo qytetet e tyre, ata vijnë këtu ku, janë plotësisht të sigurtë se nuk do të ngelen “pa gjë”. Punojnë në të gjitha frontet, në ndërtim, në vjelje ullinjsh e agrumesh. Por, ndërtimi mbetet edhe sektori më i preferuar, për shkak të të ardhurave. Këtu, në fshatrat e Himarës, ndërtohet e ndërtohet. Qindra banesa të vjetra rikonstruktohen çdo vit, ndërkohë që vila bashkëkohore, apo godina të tjera më të vogla, të përshtatshme për një kategori të caktuar pushuesish, kanë plotësuar rrjetin dhe strukturën turistike në zonë.
Vjeshta dhe dimri përjetojnë intensitetin më të lartë të punës në këtë sektor. Pronarët e tyre synojnë që gjithçka ta kenë gati për sezonin e ardhshëm të verës. Në këto kushte, në këto fshatra ka gjithmonë punë. Edhe të ardhurat janë të konsiderueshme. Luani, një 50 vjeçar me origjinë nga Librazhdi, por banor i Rrogozhinës, thotë se punon prej vitesh në Dhërmi dhe Palasë. Atë e gjejmë në një lokal të vogël, buzë rrugës në fshatin Dhërmi. Është vendi ku ai pret për ta kërkuar. Deri sa të vijë ky çast, ai gjerb një kafe, apo rrëkëllen një gotë raki të këtyre anëve. Nuk mërzitet dhe nuk shqetësohet se, herët apo vonë do të vijë “dikush” ta kërkojë. Kjo është e sigurtë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që të rrijë pa punuar. Diku gjen një punë për një muaj, diku për dy muaj, por ka edhe raste, kur punon me ditë. Por, gjithmonë. Asnjëherë nuk i ka shkuar dita kot, madje edhe të dielave. Sepse punëtorët këtu nuk i njohin të dielat. E quajnë një ditë të shkuar dëm po të qëndrojnë pa punuar. Për ta mjaftojnë për të pushuar orët e mbrëmjes dhe nata, kur mblidhen së bashku me shokë të tjerë, në lokalet që funksionojnë në këtë periudhë në këto fshatra. Luani thotë se, ka tre fëmijë dhe sakrifikon për ta. Shkon një herë në dy javë pranë tyre, ku çon paratë dhe gjëra të tjera që i siguron këtu. Të ardhurat mesatare ditore janë 2 mijë lekë, por ndodh që merr edhe shumë më tepër. “Kur nuk ke mend, ke duar dhe këmbë”, përmend ai një shprehje, ndërkohë që më tregon se, dikur ëndërronte të vazhdonte shkollën, por për arsye familjare nuk arriti të mbaronte më tepër se dy vjet të shkollës së mesme.
Punëtorët janë të organizuar edhe në brigada pune. Vendosin një njeri në krye, që quhet “administrator i firmës”, i cili u siguron dhe garanton punën, fjetjen dhe ushqimin. Madje, kjo është një formë që po aplikohet shpesh e më shpesh. Bajrami 53 vjeçar me origjinë nga Dibra, “administrator” i njerës prej këtyre firmave, thotë se “ka të punësuar 10 persona”. Ka një marrëveshje mes tyre, që ai të drejtojë gjithçka dhe të përfitojë financiarisht pak më shumë nga të tjerët, por gjithmonë në raport me punën që bëhet dhe të ardhurat e siguruara. Bajrami është bërë një banor i përhershëm i këtyre anëve, ku mendon të sjellë edhe familjen. Do të blejë një copë tokë dhe do të ndërtojë një shtëpi të përshtatshme. Të ardhurat dhe puna që bën ia mundësojnë këtë gjë.
Vera e ardhshme pritet të jetë intensive për bregdetin. Këtu, në Himarë, është mjaft e prekshme shprehja “Vera punon për dimrin dhe dimri për verën”. /a.ke/http://www.ata.gov.al/vlore-ne-himare-ku-vera-punon-per-dimrin-dhe-dimri-per-veren-207656.html
Nessun commento:
Posta un commento