TIRANË,14 gusht /ATSH/ – Kalaja e Trajanit, jo larg fshatit Tren në rrethin e Devollit, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare që, për fat të keq, pak njihet nga publiku i gjerë.
Ajo mban emrin e një perandori me origjinë ilire të Romës së lashtë, edhe pse rrënjët i shkojnë që në periudhën e hekurit.
Kjo kala ishte një ndër më të mëdhatë në territorin e Ilirisë, duke u shtrirë në plot 22 hektarë, ndërsa muret e saj kanë një gjatësi të përgjithshme prej 3 kilometrash, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Gjerak Karaiskaj në veprën e tij “5 mijë vjet fortifikime”.
Trajan Decius identifikohet si një ndër perandorët e rëndësishëm të Romës së lashtë, edhe pse koha e shkurtër e qëndrimit në pushtet nuk ia lejoi të plotësonte historinë e tij. Perandori Trajan njihet për përballjet me Gotët, ballë të cilëve edhe u vra i tradhtuar. Megjithatë, historia e konsideron si një prijës të vetësakrifikuar për të shpëtuar Romën e lashtë. Drejtimi i tij është i lidhur jo thjesht me sukseset si ushtarak, por edhe si një drejtues i aftë e investues i mjaft objekteve të Romës së atëhershme.
Kalaja e Trajanit ndodhet në kodrën që gjendet në verilindje të fshatit Tren në zonën e Devollit. Kjo është kalaja me e madhe e periudhës së parë të hekurit në vendin tonë. Ajo shtrihet në një territor prej 23 ha duke filluar që nga maja e duke zënë një territor që përfshinte treçerekun e kodrës. Kodra ndodhet 1200 m mbi nivelin e detit.
Pjesa jugperëndimore e saj vjen e butë derisa ngjitet në zonën më të lartë që ka formën e një platforme të sheshtë të përshtatshme për banim, ndërsa pjesa verilindore është krejtësisht shkëmbore dhe bie mbi liqenin e Prespës së Vogël.
Nga materialet e gjetura në kala dhe në afërsi të saj, rezulton se ajo ka qenë e banuar në pjesën e parë të epokës së hekurit. Në periudhën e dytë të hekurit, vendbanimi u braktis për t’u spostuar 1 km më në perëndim në kodrat e Goricës.
Në kohën e vonë antike, kalaja e Trajanit u rifortifikua, por tani është reduktuar vetëm në pjesën e sipërme të saj. Kalaja e Trajanit ruhet në gjendjen në të cilën është gjetur në fillim dhe nuk është konstatuar deri më tani asnjë dëmtim i saj. Kalaja është shpallur monument kulture në vitin 1963./a.a/ /a.g/
Nessun commento:
Posta un commento