TIRANË, 16 Qershor /ATSH-Nikolla Lena/.- Një nga objektet historike dhe të kultit më të vizitueshëm në vendin tonë është edhe Manastiri i Ardenicës. Ky objekt i rëndësishëm kulti, por edhe misticizmi, ngrihet në një vend dominues në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë e 200 m mbi nivelin e detit në rrethin e Lushnjes.
Ardenica-Artemisa, perëndia e pjellorisë dhe e begatisë, mbrojtësja e pyllit dhe e kafshëve, perëndia që mbron jetën, ka patur një rezidencë edhe në këtë kodër të bukur që sot ndiqet me kuriozitet nga vizitorët dhe turistët e shumtë nga mbarë bota.
Në anën lindore të tij ndodhet qyteza e Kolonjës, në pjesën jugore ndodhet fshati Ardenicë, ndërsa në anën perëndimore gjendet Libofsha.
Nuk ka të dhëna të sakta rreth kohës së ndërtimit të Manastirit dhe prej kujt është ngritur. Mendohet që ai të jetë ndërtuar në shek XIII, nëvendin ku dikur ngrihej kapela e Shën Triadhës, e ndërtuar aty shekuj më parë.
Në afërsi të ndërtesës, në anën perëndimore të saj, janë zbuluar gjurmë të rrugës së vjetër Egnatia.
Në këtë manastir, igumeni Nektar Terpo, me origjinë nga Voskopja, në vitin 1731 shkroi një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, rumanisht dhe shqip. Kjo ndoshta daton me shkrimin e parë të shqipes.
Manastiri i Ardenicës është një mesazh shpirtëror dhe përbën një mozaik të historisë së kulturës dhe artit të shkruar gjatë shekujve nga dora skalitëse e të parëve tanë.
Aty kanë derdhur talentin e tyre ikonografët: Kosta dhe Athanas Korçari, të cilët kanë pikturuar në afresk si dhe muzikanti i shquar i shekullit te 12 –te, Jan Kukuzeli, me origjinë nga Durrësi, i cili konsiderohet edhe si krijuesi i liturgjisë kishtare bizantine.
Ndërsa ato që quhen si punimet më të bukura si, “Shën Gjon Vladimiri”, “Lindja e Krishtit” dhe sidomos ikonostasi i gdhëndur, kanë për autor Kostandin Shpatarakun, i cili ka qenë një miniaturist.
Një rëndësi të veçantë kanë miniaturat përreth ikonës së “Shën Gjon Vladimirit”.
Piktori ka paraqitur bukur edhe princin shqiptar të shekullit të 14-të, Karl Topia, të veshur me petka princi bizantin.
Autorët e afreskeve të Ardenicës u larguan nga stili bizantin i të pikturuarit dhe nga spiritualizmi.
Ata u përpoqën që t’u jepnin shenjëtorëve pamjen që i afrohej jetës reale.
Po ashtu, ata kanë pikturuar shumë skena martirizimesh të ekzekutuara në mënyra të theksuara dramatike. Shumë relike dhe mbeturina arqitekture të ngulura nëpër mure janë sjellë që të gjitha nga Apolonia.
Tek porta e madhe e manastirit, në krah të djathtë ndodhet punishtja e vajit ose mëngra.
Këtu gjënden gurë të mëdhenj të rrumbullaket me madhësi afro 1.5 metra e me trashësi gjysëm metri, që shërbenin për nxjerrjen e vajit të ullirit. Po ashtu, në këtë punishte ndodhen ende sot disa amfora antike të mëdhaja për të mbajtur vajin.
Sipas gojëdhënave, në kishën e vjetër të këtij manastiri, ka vënë kurorë Skënderbeu. Këtë e përforcon fakti që motra e Skenderbeut ishte martuar në familjen princërore të Muzakajve, në zoterimet e së cilës u ndërtua ky manastir.
Ky manastir sot është jo vetëm një objekt kulti për besimtarët ortodokse të zonës, por është dhe një atraksion turistik për vizitorët kuriozë të historisë dhe të monumenteve të kulturës.
I gjendur në aksin rrugor që të çon në Fier e Vlorë, shumë pranë këtij aksi, ai është dhe tepër i vizitueshëm.
Kujdesi i pushtetit lokal dhe atij qëndror për infrastrukturën rrugore që të çon drejt tij, e ka bërë tepër atraktiv.
Vizitori që ngjitet në këtë manastir mund të sodise nga kodra e lartë ku ai ngrihet, një peisazh të mrekullueshëm natyror, që përfshin fushat e Myzeqesë, lagunën e Karavastasë deri në detin Adriatik.
Një peisazh të mrekullueshëm nga kjo lartësi të shfaq pylli me pisha shekullore i Divjakës.
Nën këmbët e këtij manastiri nuk shtrihen vetëm peisazhet natyrore, por edhe një qendër e banuar që në lashtësi, ku sot mund të shikosh mbetjet e mureve dhe të varrezave të lashta.
Të kalosh disa orë në të mëson shumë gjëra, që nga piktorët e famshëm voskopojare që pikturuan muret e tij, martesën e Skënderbeut, harta astrologjike në dyshemenë e kishës, banesat brenda kishës së lashtë ku jetojnë disa murgj që të kujtojnë periudhën e eremitëve të krishterë që faleshin në vetmi për rrugën e drejt të Krishtit që duhet të ndjeke njeriu, histori të lashta e moderne, gazmore e të frikshme si vet enigma, pra gjithçka që mbart brenda vetes një manastir.
Por, më së shumti, manastiri i Ardenicës sot është një destinacion shlodhjeje dhe relaksi për turistin që kalon disa orë atje.
Në periferi të tij gjen restorante luksoze që shërbejnë me profesionalizëm, peisazhe natyrore të papërsëritshme, gjen kuzhinën tradicionale myzeqare dhe mikëpritjen e ngrohtë vendase. /a.ke/
https://www.ata.gov.al/manastiri-me-emer-perendie-ardenica-artemisa-ben-kurioze-vizitoret-e-huaj/
Nessun commento:
Posta un commento