TIRANË, 14 maj/ATSH/ – “Ruajtja e trashëgimisë sonë ka të bëjë me ekonominë, ka të bëjë me përgjegjësinë e përbashkët, por mbi të gjitha, me detyrën tonë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm”.
Kështu u shpreh kryetarja e Delegacionit të BE-së, Ambasadorja Romana Vlahutin të shtunën në Korçë, ku delegacioni i BE-së përfundoi Javën e tij të Europës “Udhëtim përmes mrekullive kulturore dhe natyrore të Shqipërisë”.
Gjatë shtatë ditëve dhe përmes më shumë se 25 evenimenteve ne eksploruam se si Shqipëria është një pjesë thelbësore e kulturës dhe historisë së pasur të Europës.
Promovimi i trashëgimisë kulturore është një shans i madh për komunitetet vendore. Në Pazarin e Korçës, ekspertët diskutuan për këto mundësi dhe moderatorja Lejla Hadzic nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufi”, theksoi se për çdo 800,000 euro të investuara në rehabilitimin e ndërtesave krijohen 31.3 vende pune, ndërsa e njëjta shumë e investuar në industrinë përpunuese krijon vetëm 21.3 vende pune.
Në këtë kontekst, Ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe ministrja Kumbaro ndanë çmimet e një konkursi të Delegacionit të BE-së për arkitektët e rinj që punojnë në objekte turistike që respektojnë arkitekturën tradicionale.
Ambasadorja deklaron se “tani BE-ja do ta përshpejtojë fuqishëm mbështetjen e saj për një industri turizmi bazuar në asete natyrore dhe kulturore, me zbatimin e një programi të ri pilot në katër rajone (Fier, Berat, Shkodër dhe Korçë)”.
Ambasadorja Vlahutin deklaroi se “kjo është një finale e madhe për Javën e Europës në një Vit Europian të Trashëgimisë Kulturore. Ruajtja e trashëgimisë sonë ka të bëjë me ekonominë, ka të bëjë me përgjegjësinë e përbashkët, por mbi të gjitha, me detyrën tonë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm”.
/gj.mima/ /a.g/
Nessun commento:
Posta un commento