18 luglio 2017

Davidi, Robinsoni i maleve të Munellës, që pret turistët aventurierë në bujtinën e tij cadër



TIRANË, 15 Korrik / ATSH-Nikolla Lena /  –  Kisha dëgjuar për këtë mal dhe shtrirjen e tij gjeografike në katër krahina: të Pukës, Mirditës, Tropojës dhe të Kukesit.
Kisha dëgjuar për kafshën e rrallë që rritet në pyjet e këtij mali, Rrëqebullin e Ballkanit, për Ariun e Murrmë, për florën e faunën e tij të pasur, për historinë dhe natyrën e veçantë e mjaft të bukur, por nuk e kisha shkelur me këmbët e mia.
Një ekspeditë mjedisore që kujdeset për ruajtjen e natyrës dhe të faunës së rrezikuar (PPNEA), më bëri ftesë për në pyjet e Munellës. Ata do merrnin informacion mbi mjedisin atje dhe specien e rrallë të Rrëqebullit, ndërsa mua më interesonte më tepër aspekti turistik i kësaj zone.
Interesat përputheshin, Ata do bënin punën e tyre në investigim të florës dhe faunës së rrallë  në këto lartësi, ndërsa unë do merrja informacion se ç’mund të bëhej për turizmin malor në këtë zonë. Natyra me turizmin shkojnë me njëra tjetrën.
Pasi u nisëm nga Tirana me një makinë të fuqishme 4X4, ndalesën e parë e bëmë në Blinisht. Aty pimë një kafe në një Autogrilë në anë tërrugës së madhe  dhe u nisëm për në Spaç. Një rrugë malore e vështirë na ngjiti në një luginë boje hiri.
Një godinë e ngrënë dhëmb-dhëmb po ngjyre hiri na u shfaq përballe si Minotaur.- Ky është burgu i Spaçit- tha Iliri. M’u duk sikur më hodhën një kovë me ujë të ftohtë kur e dëgjova qtë emër. E shikoja dhe çuditesha me peisazhin e tij aq gri.
Ferri i fjalës së lirë rrinte memec përball meje, i kishte thënë të gjitha.
Tani shikonte vështrimet blasfemuese të vizitorëve që shkelnin mbi dheun e hirtë të hedhur rreth e qark si mbeturine e barkut të çarë. Kur thua Spaç ke thënë një epokë.
U larguam nga përbindëshi të heshtur, nga simboli i poshtërimit  njerezor dhe vazhduam drejt malit të Munellës.
Një rrugë e vështire malore përmes një peisazhi natyror të mahnitshëm ku gëlonin gjithfarë bimësh e shkurresh  të dominuara nga pisha e zezë me shtatin e drejtë e të zhdërvjellët, na shoqëronte në ngjitjen e fortë malore.
Çunat në makinë komunikonin me njëri-tjetrin duke i cilësuar në latinisht bimët dhe pemët që ndeshnim gjatë ecjes. Ishin specialiste të natyrës dhe mjedisit.
Iliri ishte inxhinier pyjesh dhe ishte lindur e rritur në këto anë, ndërsa Xhemali ose Xherri, si i thërrisnin shkurt, kishte detyrën e Oficerit të komunikimit dhe informimit me publikun në ruajtje të natyrës dhe në veçanti të faunës së zonës të rrezikuar nga gjuetia e paligjshme, siç është Rrëqebulli I Ballkanit, që gjendet në malin e Munellës.
Fshatrat e luginës dhe shpateve të malit si  dhe shtëpitë e tyre ishin të fshehura  në lugina të thella dhe mezi dukeshin.
Peisazhi ishte mjaft i bukur, por jeta në këto thellësi malore  dukej tepër e vështirë. Pa rrugë e mjete komunikimi, pa objekte sociale eshërbim mjeksor, me shkolla tepër larg e vështire për fëmijët e vegjël, vërtet është vështirë.
Një burim i ftohtë malor na preu rrugën në fshatin Mesul të Pukës dhe më shkëputi nga meditimi.
Kishim dalë nga kufiri me Mirditën dhe vazhdonim drejt pyjeve të Pukës.
Uji ishte i ftohtë dhe ne ishim të lodhur. U shlodhëm pak dhe u nisëm për në Qafe-Lis.
Një pllajë e gjelbërt me bar e pisha të larta na u shfaq kur iu afruam vendit që quhej kështu. Ishte një mrekulli natyrore dhe nuk ngopeshe me gjelbërimin, freskinë dhe hijen e rëndë të malit që na qëndronte mbi kokë.
Një tendë disi moderne për vendin ku ndodheshim, më tërhoqi vëmëndjen. E pyeta Ilirin se ç’ishte ajo?! Iliri më tha se aty jetonte me bletët e tij Davidi, Robinsoni i maleve të Munellës.
U bëra kurioz, ndaluam dhe i u afrova tendës.
Më priti një burre trup vogël me ca sy të vegjël që i nxirrnin zjarr.
Ishin sy tepër shprehës që shkëlqenin vazhdimisht. U përshëndetëm në stilin vendas duke përplasur kokat me –aje burre i fortë e të qoftë e lehtë rruga- dhe  më ftoi të ulesha në një stol druri të vendosur në një tavolinë të improvizuar në hyrje të tendës së tij.
Ishte një tendë e rregulluar mirë, e shtruar me qilima me motive malësie dhe ajo që më bëri përshtypje, ishte tepër e pastër. Aty çdo gjë ishte e pastër dhe në vendin e vet sikur një dorë amviseje të kujdesej për të.
Nisëm muhabetin dhe sa herë unë flisja, Davidi ose Nduja, se kështu e kishte emrin e vërtet, mi ngulte sytë dhe diç kërkonte brenda mendjes vet.
Më shikonte, vinte gishtin në tëmtha, çohej nga stoli i tij i drunjtë e vinte rrotull, i bërrtiste një dhije të bardhë që kërkonte të kapte me dhëmbëxhepin e tij të pantallonave, ulej prap e prap mi ngulte sytë si thënjinj të ndezur që sapo janë zbuluar nga hiri.
Mbi tavolinë ishte një radio e vogël me bateri, një shishe me raki, ca gota dhe një pagure me mjalt. Davidi ishte në siklet, diç e mundonte.- Ça ke që sillesh si thiu në gjerdhek?- e ngacmova – a mos jam mik i tepërt ktu në ksollen tane? – U hodh përpjet sikur ta kishte kafshuar gjarpri dhe mu drejtua që ti merrja mbrasht fjalët që thash se me David Gjonin nuk përdoren këto fjalë. –Po ça ke at’herë?, e pyeta.  U rrotullua me gishtin në tëmtha dhe më tha: -Unë ty se ku të kam parë. -Më ke parë apo dëgjuar- i thash . –Edhe pare edhe dëgjuar- ma preu Davidi.
Unë kam punuar gazetar në Radio Tirana që prej vitit ’91 dhe kam drejtuar shumë emisione radiofonke. Kam dubluar filma e dekumentare që transmetohen nga disa televizione.
Davidi nuk bënte dot dallimin midis figurës dhe zërit tim që mund të më kishte ndjekur në radio.
Ti dëgjon Radi Tiranën -i tha Iliri-më thuaj një gazetar të Radio Tiranës nga ata që të kanë pëlqyer, e pyeti Davidin. Nuja, u mendua një cop herë dhe tha:
-Nikolla Lena ka qenë një gazetar që më ka pëlqyer se bënte ca emisione që mua  më pëlqenin. – A e njeh ti Nikolla Lenën- e pyeti Xherri.- Jo, u përgjigj Davidi- nuk e njoh.
Iliri e zgjidhi enigmën e Davidit duke më prezantuar me emër. Ai shtangu për pak, pastaj më përqafoi si një mik të vjetër dhe më pyeti:- Ç’do ti në këto male arinjsh? Dhe më shtërngonte dorën. –Dola me kërku do shejtana dhe shejtanin ma t’madh prej krejtve e gjeta këtu në maj të Munellës- ia ktheva pyetjen. Qeshëm të dy e më tha – mos shko më lart se nuk ka shejtan tjetër veç ariut atje sipër.
Mbushi gotat e rakisë dhe nga një ene e pastër na nxori djath dhije, buke vatre, qepe, arra e mjalt të freskët prej bletëve që zugasnin rreth nesh. E bëmë-Gëzuar – dhe i shpjegova Davidit arsyen e ngjitjes sime në ato lartësi.
Djemte i shpjeguan për punën e tyre në ruajtje të pyjeve dhe kafshëve të rralla që rriten në to.
Davidi  më shpjegoj për jetën e tij dhe përse i ngjiste bletët e tija kaq lart.- Këtu lulja dhe ushqimi për bletët është i veçantë kështu që dhemjalti del më i mirë, tha ai.
E pyeta për jetën aty dhe për Çadër-Bujtinën që kujdesej aq mirë për të.
Më tha se: këtej, rrallë kalojnë vizitore malesh aventuriere, kanë ardhur edhe të huaj, djem  dhe vajza të reja nga Çekia, Gjermania,Anglia..me motorra dhe makina të larta…i kam pritur, i kam dhënë ujë dhe bukë me ç’më është ndodhur…edhe mjalt… Disa herë i kam strehuar të kalonin natën në çadrën time…Kanë ngelur të kënaqur dhe janë larguar duke më përshëndetur.- Kështu që unë nuk kam miq vetëm në Tiranë e Shqipëri, por edhe në Gjermani e Çeki, përfundoj shakanë duke qeshur sinqerisht.
Çdo gjë rretheqark banesës së tij prej çadre, ishte e sistemuar mirë dhe mjaft e paqme. Dhoma e pritjes së miqve, ajo e ndenjes së Ndues, si vendi i zjarrit që përdorte për gatim, ishin të rregullta e të pastra. Pasi bëmë muhabet e pimë raki medjath dhije e mjalt mali, e pyeta Davidin në se kishte frike që jetonte vetëm mes malesh?!- M’u përgjigj me humor e kulturë  për emrin që mbante. – Davidi i vogël vrau Goliathin e madh dhe nuk pati frike, ndërsa në strehën time më shpesh më vjen ariu se njeriu. Prej ariut nuk frigohem se e di që ai ka më shumë frike prej njeriut se njeriu prej ariut. Edhe unë më shumë frigohem prej njeriut se prej ariut. –Pse?, e pyeta. Sepse ariu trembet me një urë zjarri e një ulurime, ndërsa  njeriu i keq, që njitet në male për të bërë gjëra të ndaluara nga ligji, bëhet i keq dhe i rrezikshëm. Nënteksti i Davidit ishte domethënës dhe s’kishte nevoje për koment. Koha rrodhi shpejt dhe duhet te niseshim. Këtë e kuptova edhe prej padurimit të Ilirit dhe Xherrit. U çuam duke u përqafuar me Davidin e maleve, sigurisht dhe me premtimin se do të kthehesha prap ta vizitoja, por qeshja e tij ironike ma ndërpreu ligjëratën…- Ti mund të vish përsëri, por s’e besoj se e gjen më Davidin, m’u përgjegj.
U laruam nga kjo parajsë natyrore, duke më mbetur në mëndje shprehja e tij e fundit, që s’do ta takoja më.  Davidi ishte rreth 70 vjeç. I trembej moshës, ariut apo njeriut?!
Nuk di vërtet nëse do ta takoj më njeriun  që ngriti bujtinën e parë nën këmbët e Munellës për të pritur turistët  aventuriere të maleve dhe për ta prezantuar  këtë vend me bukuri të rrallë natyrore dhe historike, si destinacionin e ardhshëm turistik. /a.ke/
https://www.ata.gov.al/reportazh-davidi-robinsoni-i-maleve-te-munelles-qe-pret-turistet-aventuriere-ne-bujtinen-e-tij-cader/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate