TIRANË, 6 Korrik /ATSH-N.Lena / – Mirdita dhe zemra e saj Oroshi, ndodhen në lindje të Rrëshenit. Kjo është një zonë malore mjaft atraktive me mundësira të shumta për zhvillimit e llojeve të turizmit malor.
Janë të përhapura lëndinat, burimet, shpatet e thepisur dhe kullotat alpine.
Zona më interesante është Nënshejti me burime uji dhe Fushat e Lugjeve me mundësi për turizmin malor. Oroshi është gjithashtu një vend i rëndësishëm historik.
Këtu ndodhej bërthama e krijimit të krahinës së Mirditës dhe njëkohësisht në shek XV ka qenë një nga qëndrat më të rëndësishme të rezistencës anti – osmane. Në Orosh ka qenë edhe abacia e Mirditës.
Kjo është një zonë me mjaft objekte të trashgimisë kulturore dhe të kultit. Ka një histori të pasur bëmash dhe ngjarjesh.
Përveç Nënshejtit e Lajthizës, janë edhe fshatrat Ndërshenë, Shëngjin e Lari, që mundësojnë turizmin familjar. Mikpritja në traditën e mirditorit është një nga virtytet më të rëndësishme e të hershme. Por turizmi familjar për mirditorët është një praktikë e re, që kërkon edhe parapërgatitje për krijimin e një mjedisi tërheqës për turistët.
Kjo zonë nuk ka vetëm natyrën e bukur, por edhe një histori qindra vjeçare. Edhe pylli, edhe guri, edhe majat e maleve e kanë një histori. Për këtë flasin qartë edhe toponimet e shumta, që ka në këtë zonë.
Mirdita ka edhe shumë qendra arkeologjike si në Prosek, Përlat e Bukmirë, Kodër Rrëshen dhe Bukël. Të njohura në harta dhe si Bjeshkët e Kuzhnenit, përbëjnë një bllok të pandarë Bjeshkët e Kaçinarit me bjeshkët e Tërbunit (Pukë), me majën më të lartë atë të Suçelit l476 metra.
Bjeshka e Kaçinarit shtrihet në pjesën veriore të lumit Fani i Madh. Është përgjithësisht një bjeshkë nga më interesantet në veriun e Shqipërisë, me dy fusha (Laja e Madhe dhe Laja e Vogël), Fushën Gjobardh, Fushë Benën, Livadhin e Hamzit etj.
Është shfrytëzuar për disa dhjetëvjeçarë lënda pyjore e saj, si dhe bimët industriale qershigla, kërpudha etj. Burimet ujore të kësaj bjeshke sigurojnë bimësi të shëndetshme në fshatrat Kuzhnen, Gjegjan, Kaçinar, Arrës, Shtuf, Shëngjergj, Gjazuj.
Nga kjo bjeshkë nis burimi i lumit të Gjadrit që përshkon Zadrimën me të cilën kufizohet Mirdita në pjesën perëndimore të saj.
Kjo është një zonë me bukuri të rrallë natyrore ku mund të praktikohet turizmi gjithëpërshirës, i gjelbër, i bardhë, kulturor dhe historik.
Në Orosh gjendet dhe një shpellë tepër e veçantë, “Shpella e Pashës” në Bjeshkët e Oroshit. Specialistët e AdZM-së Lezhë, kanë vendosur shkallë në këtë shpellë me qëllim që ajo të bëhet e vizitueshme nga turistët.
Kjo ndërhyrje u bë në bashkëpunim me banorët e zonës, duke bërë të mundur që kjo shpellë të jetë funksionale dhe e vizitueshme edhe në brendësi të saj.
Që ky atraksion turistik të bëhet i prekshëm, kërkohet një vëmendje më e madhe në drejtim të infrastrukturës rrugore. Ajo është e vjetëruar dhe tepër e konsumur, gjë që e bënë të vështirë turizmin në këtë zonë mbreslënëse./m.m/
https://www.ata.gov.al/bjeshket-e-oroshit-nje-atraksion-per-turizmin-e-aventures-dhe-te-kultures/
Nessun commento:
Posta un commento