TIRANË, 20 maj/ATSH/ – Mbi 3 mijë vizitorë kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë, vetëm gjatë fundjavës që lamë pas.
Shumica e vizitorëve ishin turistë nga Italia , Polonia, Zvicra, por nuk mungonin dhe turistë nga vendet e kontinenti aziatik, si Vietnami etj.
Përgjegjës i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha për ATSH-në se “muzetë u frekuentuan gjithashtu edhe nga shumë familjarë shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, por nuk munguan edhe nxënësit e shkollave që vizituan Muzeun këtë fundjavë në kuadër edhe të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve”.
Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.
“Gjatë dy ditëve të fundjavës në dy muzetë kishte një fluks të madh vizitorësh edhe jashtë orarit zyrtar”, – shprehet Masha.
Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës është një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut.
Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.
Ky muze është ndërtuar në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e Shtetit të Arbrit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shekullin XV.
Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavijone të tilla si pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princërve, e pinokotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbanë e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.
Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./k.s/ /a.g/
Nessun commento:
Posta un commento